Kryesocialisti Edi Rama po bëhet gati që të finalizojë këtë fushatë elektorale në ditën e fundit, ku pas pak do të mbajë edhe mitingun përmbyllës dhe të fundit në Tiranë për Partinë Socialiste, për t’i lënë rrugë më tej procesit të votimit më 11 maj.
Me anë të një video-mesazhin në llogarinë personale të rrjetit social Facebook, kreu i mazhorancës njoftoi tubimin përmbyllës të socialistëve, duke lajmëruar se do ishte me pjesëmarrjen vetëm të mbështetësve nga qarku i Tiranës, pasi në të tjerat kishte nisur organizimi i strukturave për punët me komisionet.
Gjithashtu ai dha edhe lajmin e shifrave në rritje të votave të diasporës në ardhje në ditët e fundit, pas apeleve të dhëna, duke e cilësuar “pjesëmarrje të lartë”.
Gjithashtu shprehu kënaqësinë që i dhanë për herë të parë mundësinë diasporës për të votuar, duke shtuar se ishte kurioz për gjykimin që ata do japin dhe se do e respektonte atë vendim.
“Jam jashtëzakonisht i lumtur që ne i dhamë mundësinë të votojnë dhe jashtëzakonisht i lumtur që po e shfrytëzojnë këtë mundësi për votën e parë në histori të shqiptarëve jashtë, por edhe këtë sfidë të Shqipërisë në historinë e 11 majit. Dhe patjetër jam kurioz që ta shoh vendimin e diasporës, gjykimin e diasporës dhe patjetër me respektin më të madh”, tha kryesocialisti.
Në fund ai lëshoi ehde një mesazh për mbështetësit, për “Shqipërinë 2030 në BE”.
Video-Mesazhi i plotë i Edi Ramës në Facebook:
“Orët e fundit të këtij rrugëtimi erdhën pas pak, 19:30 kemi Tiranën, edhe vetëm Tiranën, se gjithë të tjerët kanë qendruar nëpër qarqet e tyre, për përgatitjet e fazës tjetër të procesit, organizimi, trupat e komisionerëve etj., etj., ndërkohë që në 19:30 Tirana do i japë mesazhin e fundit të gjithë Shqipërisë dhe të gjithë shqiptarëve kudo që ata ndodhen dhe më vjen shumë mirë që ka pasur një lëvizje domethënëse në ditët e fundit nga ana e atyre që kishin mbetur ende pa i dërguar zarfat, numrat janë shumë inkurajues, të shohim si do mbyllet pjesëmarrja, por pa diskutim trendi qysh në krye të herës na tregoi se do kishte një pjesëmarrje shumë të lartë nga jashtë kufijve. Jam jashtëzakonisht i lumtur që ne i dhamë mundësinë të votojnë dhe jashtëzakonisht i lumtur që po e shfrytëzojnë këtë mundësi për votën e parë në histori të shqiptarëve jashtë, por edhe këtë sfidë të Shqipërisë në historinë e 11 majit. Dhe patjetër jam kurioz që ta shoh vendimin e diasporës, gjykimin e diasporës dhe patjetër me respektin më të madh. Në 19:30, edhe pak, do jemi së bashku me Tiranën dhe për Tiranën dhe për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian”.
Komente
