Dita e katërt e kërkimeve për gjetjen e të mbijetuarve në Turqi, gazetari: Dy qytete janë bërë rrafsh me tokën, duket sikur ka rënë bombë atomike

9 Shkurt 2023, 13:29| Përditesimi: 9 Shkurt 2023, 14:10

  • Share

Kërkimet për gjetjen e të mbijetuarve në tërmetin katastrofik që ka shkaktuar vdekjen e më shumë se 17 mijë personave deri më tani, kanë hyrë në ditën e katërt të tyre. Gazetari, Sokol Brahaj tha se dy qytete të Turqisë janë shkatërruar pothuajse totalisht.

Në një lidhje ‘skype’ për ‘Sot Live në Shqipëri’ me gazetarin Nertil Agalliu në Report TV, Brahaj tha se Kahramanmaras dhe Hatay, janë dy qytetet më të prekura nga tërmetet dhe se pothuajse 80% e ndërtimeve të tyre, janë shkatërruar totalisht.

“Kahramanmaras dhe Hatay janë dy qytete që pothuajse 80% e tyre janë bërë rrafsh me tokën. Në Karaman Marash ka qenë epiqendra. Është zonë pranë Mesopotamisë së Vjetër.  Nuk njihet më, duket sikur është hedhur bombë atomike”- u shpreh gazetari.

Sa i përket shqiptarëve që jetojnë në Turqi, Brahaj tha se deri më tani nuk raportohej për viktima. Por dyshohet se një disa pjestarë të një familje shqiptare të diasporës së vjetër mund të kenë mbetur nën rrënoja.

Mes të tjerash, gazetari tha se në zonat e prekura nga tërmeti është krijuar një kaos, ku njerëzt tentojnë të largohen drejt qyteteve si Stambolli dhe Ankaraja.  

“Ka një kaos në shumë zona. Një hartë gjeografike shumë e madhe, më e madhe se Gjermania dhe Anglia. Është për të ardhur keq, por edhe populli i thjeshtë ka shkuar në ndihmë për të bërë të pamundurën. Ushtria dhe policia po bëjnë të pamundurën për t’i drejtuar njerëzit në vendet e posaçme. Por ka edhe persona që me automjetet e tyre janë drejtuar në vende të ndryshme. Por autoritetet kanë bërë thirrje që qytetarët t’i lajmërojnë për vendet ku janë nisur të shkojnë pasi shumë autostrada të vendit janë dëmtuar”- shtoi ai.

Gjatë ditës së sotme, mbi 6 persona janë nxjerrë nga rrënojat ndërsa numri i viktimave i kalon 17 mijë persona. Në ditën e katërt të kërkimeve, shpresat për të gjetur të mbijetuar pothuajse janë shuar. Në ndihmë të Turqisë, kanë shkuar edhe ekipe shpëtimi nga Shqipëria dhe Kosova.

B.V//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?