Yuri Kim

Kronikë

Dita e Lirisë së Medias, Kim: SHBA mbështet sigurinë e gazetarëve dhe punonjësve të medias! Soreca: Është një gur themeli i shoqërive demokratike

3 Maj 2021, 09:00| Përditesimi: 3 Maj 2021, 10:55

  • Share

Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit ambasadorja e SHBA Yuri Kim ka shprehur mbështetjen për sigurinë e gazetarëve dhe punonjësve të medias.

"Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, shprehim mbështetjen për lirinë e shtypit dhe për sigurinë e gazetarëve dhe punëtorëve të medias në të gjithë botën. Demokracia kërkon liri të shprehjes dhe qasje në informacione faktike dhe të sakta të siguruara nga media të pavarura", shkruan Kim.

Edhe ambasada amerikane shkruan në “Facebook” se gazetari luan një rol kyç në luftën kundër korrupsionit, në nxjerrjen në pah të shkeljeve të të drejtave të njeriut dhe në shpërndarjen në publik të informacionit të besueshëm.

“Media e pavarur është thelbësore për demokracitë e gjalla dhe të qëndrueshme. Gazetaria ka një rol kyç në luftën kundër korrupsionit, në nxjerrjen në pah të shkeljeve të të drejtave të njeriut dhe në shpërndarjen në publik të informacionit të besueshëm. Në Ditën Ndërkombëtare të Lirisë së Medias, ne falënderojmë gazetarët dhe punonjësit e medias në të gjithë botën”, thuhet në mesazhin e ambasadës amerikane.

Një shyp i lirë, i larmishëm dhe i përgjegjshëm është elementi kryesor i çdo demokracie funksionale. Detyra për informimin e publikut me informacione të vërteta e me cilësi jo vetëm që është bërë më e rëndësishme nga shpërthimi i COVID-19, por edhe shumë më e vështirë. Mediat e lira janë me rëndësi të veçantë për një përgjigje të plotë ndaj pandemisë. Vetëm nëse opinioni informohet rregullisht, mund të pengohet edhe përhapja e virusit.

Shtypja e gazetarëve vërehet sidomos në Kinë, ku Partia Komuniste lejon vetëm interpretimin e saj dhe kritikët zhduken papritur. Në Europë si shembull negativ merret Hungaria, ku ligjet e jashtëzakonshme që mund të çojnë në burg edhe gazetarët. 

Dita Botërore e Lirisë së Shtypit është një kujtesë për të respektuar angazhimin për lirinë e shtypit dhe të medias. Kjo duhet të shërbejë si një ditë reflektimi për gazetarët dhe aktorët e tjerë mediatikë mbi sfidat e tyre për të garantuar lirinë e shtypit por edhe për të siguruar një gazetari etike dhe profesionale.

Ora 16:53
Dita e Lirisë së Medias, OSBE: Është rrezikshme të jesh gazetar në kohët e sotme, punojmë çdo ditë për sigurinë e tyre

Zyra e prezencës së OSBE-së në vendin tonë, në Ditën e Lirisë së Medias, thotë se te jësh gazetar është e rrezikshme. Në një shënim në mëdiat sociale ambasadori i OSBE-së Vincenzo Del Monaco dhe ambasadorja e Suedisë, Elsa Hostad thonë se ato po punojnë çdo ditë që të garantojnë sigurinë e gazetarëve.

“Është e rrezikshme të jesh gazetar sot. Gazetaret janë më të ekspozuara ndaj ngacmimeve. Media e sigurt është oksigjen për çdo demokraci. Të gjitha qeveritë duhet të garantojnë sigurinë e gazetarëve. Në Shqipëri, ne punojmë çdo ditë për këtë“, thonë ambasadori Del Monaco dhe ambasadorja e Suedisë Elsa Hastad.

 

Ora 10:48
Dita e lirisë së shtypit, Meta: Shumica e mediave ne vend nën censurën e qeverisë! Pseudo-liritë prodhojnë regjime me pseudo-demokraci

Presidenti Ilir Meta, në ditën botërore të lirisë së shtypit, ngre akuza se në Shqipëri  shumica e mediave janë nën censurën e qeverisë.

Përmes një postimi në rrjetin e tij social Facebook, ai shkruan se fondet publike dhe burimet e dyshimta financiare vazhdojnë të përdoren gjerësisht për të cenuar lirinë e shprehjes, për të fshehur të vërtetat dhe për të shmangur llogaridhënien.

Sipas tij dhuna dhe kërcënimet ndaj gazetarëve janë shpeshtuar, së bashku me censurën dhe autocensurën.

Meta shprehet se liria e medias është thelbësore për demokracinë dhe se duhet të duhet të mbrojmë dhe inkurajojmë çdo ditë gazetarët kurajozë në punën e tyre.

“Pseudo-liritë prodhojnë vetëm regjime me pseudo-demokraci!”, shkruan presidenti në fund.

Meta ka shoqëruar postimin e tij edhe me një foto në të cilën paraqitet me një grup gazetarësh.

Ora 09:40
Dita e lirisë së medias, Soreca: Është një gur themeli i shoqërive demokratike! Do të thotë siguri për të gjithë

Ambasadori i Bashkimit Evropian, Luigi Soreca ka dhënë mesazhin e tij për ditën botërore të lirisë së shtypit.

Përmes një postimi në rrjetin e tij social Twitter, Soreca shkruan se liria e shtypit është një gur themeli i shoqërive demokratike, e cila lulëzon vetëm nëse qytetarët kanë akses në informacion të besueshëm dhe të bëjnë zgjedhje të informuara.

“Liria e shtypit do të thotë siguri për të gjithë.”, shkruan ai.

Lidhur me ditën e lirisë së shtypit, ka reaguar edhe delegacioni evropian, përmes disa fotografive kuptimplote.

Përmes fotove të publikuara, delegacioni i BE, ka dhënë një mesazh të rëndësishëm për mediat dhe kujdesin që duhet të tregojnë lidhur me informacioni që përcjellin te publiku për koronavirusin dhe vaksinën.

 “Gazetari është vaksina kundër keqinformimit”, shkruhet në fotot e postuara.

Përmes një postimi në twitter, kanë shprehur falënderimet e tyre kundrejt të gjithë gazetarëve shqiptarë, të cilët përmes punës se tyre sigurojnë informacionin e besueshëm dhe të saktë.

“Liria e shtypit është thelbësore për të ardhmen e paqes, drejtësisë dhe të drejtave të njeriut për të gjithë.”, shkruhet në postim.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?