Në ditën ndërkombëtare të muzeve, xhubleta ka qënë kryefjalë në Shkodër. Përveç ekspozimit të 4 xhubletave që janë pjesë e fondit të muzeut historik të Shkodrës, ky takim ka qënë i veçantë pasi janë paraqitur elemente të dijebërjes së xhubletës.
File Kola, nga Malësia e Madhe, sot 72 vjec tregon për ruajtjen e kësaj trashëgimie e cila vjen edhe në ditët e sotme e ruajtur si traditë nga nenat tek vajzat.
Përvec elementëve të krijimit të xhubletës, në muzeun e Shkodrës janë ekspezuar edhe format e krijimit të elementëve të sermit që vendosen si zbukurime të pjesës së përparme të xhubletës. Dionis Boriçi, tregon këtë pjesë të vecantë të punimit të sermit në formë artizanale.
Përgjegjesi i monumenteve në Bashki, Petrit Bilali, thekson se xhubleta është zgjedhur si element në ditën ndërkombëtare të muzeve për të treguar se xhubleta gjallon në Shkodër. Kujtojmë që nga nëntori i vitit 2022,xhubleta është pjesë e UNESCO, në listën e Trashëgimisë Kulturore jomateriale.
Në kuadër 18 Majit, Ditës Ndërkombëtare të Muzeve, ndërtesat historike të Shkodrës janë kthyer në galeri arti.
Imazhe të ndryshme janë shfaqur në fasadat e ndërtesave të Shkodrës, pranë Prefekturës, tek Teatri “Migjeni” dhe Muzeu Kombëtar Marubi.
Instalacione, organizimi i punëtorive dhe koncerte me muzikë klasike kanë qenë disa nga aktivitetet që do të mbahen në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Muzeve.