24-orëshi i parë i mandatit të dytë të republikanit Donald Trump ishte intensiv dhe i ngjeshur me vendime dhe urdhra ekzekutivë të njëpasnjëshëm, të cilat mishëronin premtimet elektorale të 78-vjeçarit gjatë fushatës presidenciale.
Për të sqaruar përmbajtjen e këtyre vendimeve, të ftuar në “Frontline” me Marsela Karapançon në Report Tv ishin Klementina Cenkollari, gazetare e “Zëri i Amerikës” dhe Dritan Demiraj, ish-ministër i Mbrojtjes.
Cenkollari sqaroi se urdhrat e parë ekzekutivë të presidentit Trump përqëndroheshin në goditjen e emigracionit të paligjshëm, e cila është një ndër pikat më të lakuara të programit qeverisës që republikani u premtoi para amerikanëve.
“Çështja e emigrantëve ka qenë kryefjalë gjatë gjithë fushatës zgjedhore që solli atë për herë të dytë në Shtëpinë e Bardhë dhe urdhërat e parë ekzekutivë që firmosi ai ditën e djeshme kishin të bënin me goditjen ndaj emigracionit të paligjshëm. Shpallja e emergjencës kombëtare nga zoti Trump i jep atij mundësinë që të mobilizojë burimet e Pentagonit në kufi. Presidenti Trump dhe se do të dërgojë pikërisht ushtrinë në kufirin mes SHBA-ve dhe Meksikës duke përfshirë këtuedhe gardën kombëtare për të ndihmuar organet zbatuese të ligjit që gjenden aktualisht në terren.
Një tjetër urdhër prek emigrantët që janë pa dokumente në të gjithë vendin. Gjatë gjithë fushatës ë tij zoti Trump kishte premtuar se do të dëbonte nga SHBA-të rreth 11 milion emigrantë të paligjshëm sipas tij, të cilët gjenden në shtetin amerikan. Po ashtu, dëbimi i menjëhershëm i emigrantëve që kanë kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme përfshin një tjetër urdhër të firmosur prej tij ditën e djeshme”,-tha Cenkollari.
Sipas ish-ministrit Demiraj, padurimi i presidentit Trump për të firmosur aq shumë urdhra ekzekutivë që në ditën e parë të mandatit të dytë, ka të bëjë me dobësimin e SHBA-ve nga administrata Biden në aspektin e brendshëm, si dhe në arenën ndërkombëtare.
“Është e rëndësishme të kuptojmë dallimin e Amerikës së vitit 2017 me Amerikën e vitit 2025 dhe ashkush tjetër më mirë se sa presidenti i SHBA-ve nuk e di këtë sepse Amerika në të cilën filloi mandatin e parë zoti Trump ishte shumë herë më e fuqishme se SHBA-të sot”,-tha Demiraj.
“Kjo vjen si pasojë e dështimeve të njëpasnjëshme të administratës Biden dhe Blinken dhe në këtë kënvështrim që në ditën e parë që dje Sekretari i Shtetit Marco Rubio, por edhe presidenti Trump kanë deklaruar një sërë masash për ta ringritur për ta rifuqizuar”,- theksoi ai.
“Pas betimit të djeshëm të presidentit Trump, të bëhet një bisedë midis presidentit Xi Jiping dhe Putinit, qartazi kjo në mënyrë që të bashkërendojnë agjendën në mënyrën se si do të bashkëpunojnë dhe se si do t’I lidhin veprimet me presidentin Trump”,- deklaroi ish-ministri.