Në Tiranë, komuniteti ukrainas që jeton në Shqipëri dhe diplomatë, zgjodhën ta kremtojnë ditën e pavarësisë së Ukrainës në mjediset e Aeroportit ndërkombëtar “Nënë Tereza”, si një mënyrë për t’u përcjellë sa më shumë njerëzve realitetin e këtij vendi para dhe pas luftës.
Ekspozita fotografike “Kartolina nga Ukraina” e çelur me këtë rast, pasqyron pasojat e shkatërrimit që ka shkaktuar pushtimi rus mbi infrastrukturën civile, monumentet arkitekturore dhe trashëgiminë kulturore.
Gjatë fjalës së saj kryeparlamentarja Elisa Spiropali, tha se Shqipëria qëndron e palëkundur në mbështetje të Ukrainës. Kryeparlamentarja vlerësoi rolin e Shqipërisë, duke përkujtuar mbështetjen e menjëhershme dhe të palëkundur ndaj Ukrainës që nga dita e parë e agresionit rus.
“Shqipëria ka qenë ndër vendet që ka mbështetur luftën e drejtë të Ukrainës për të mbrojtur integritetin dhe sovranitetin e saj territorial. Shqipëria ka dëshmuar mbështetje të palëkundur ndaj Ukrainës. Shqipëria është palë me vendet e tjera në vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë dhe ka shprehur solidaritet me vizita në Ukrainë të delegacione të kuvendit dhe të qeverisë. Shqipëria do të vijoj që të mbështet Ukrainën. Shqipëria mbështet edhe kontributin e presidentit amerikan Donald Trump dhe SHBA për dhënien fund të luftës dhe arritjen e paqes mes Rusisë dhe Ukrainës. Vullneti i Uashingtonit dhe vendeve të BE janë drita e vetme në fund të tunelit. Pa paqe në Ukrainë s’mund të ketë paqe në Europë dhe më gjerë’, tha ajo.”, tha ajo.
Spiropali kujtoi nisjen e bombardimeve nga Rusia në shkurt të vitit 2022.
“Në 24 gusht 1991, Parlamenti i Ukrainës riktheu pavarësinë e vendit. Për tre dekada, Ukraina ka përjetuar një tranzicion të gjatë, një liri që shfaqej edhe me fytyrën e pasigurisë dhe sfidave, me ecje përpara, por edhe me fraktura. Por asgjë nuk mund të barazohet me agresionin e nisur në 2014 dhe sidomos në shkurt 2022, kur një ish-perandori synoi të rivendoste autoritetin e saj mbi një vend të lirë, duke shkaktuar humbje të mëdha njerëzore dhe krizë globale”, shtoi ajo.
Ajo theksoi se lufta në Ukrainë është mësimi se askush nuk është imun nga e keqja dhe se ajo shfaqet në dhjetra forma aty ku duhet të ketë vetëm paqe.
'Në gjysmëdekadën e fundit, bota ka ndryshuar në mënyrë të pabesueshme. Çdo mëngjes në Tiranë apo në Uashington, Paris apo Blerlin, Romë, Bruksel apo çdo skaj të botës, lajmet në televizione apo postimet në rrjetet sociale dëshmojnë për miliona fëmijë që njohin më mirë marshimin therrës të raketave, se sa tingujt e gjuhës amëtare. Njësoj si në vitet e pandemisë së Covidit, askush nuk ka imunitet, askush nuk është i përjashtuar nga frika dhe tmerri, humbja dhe disfata, askund tjetër më shumë se në Ukrainë nuk është shfaqur aq brutalisht dhe egërsisht lufta me të gjitha fytyrat e saj”, tha ajo.
Ambasadori i Ukrainës në Shqipëri, Volodymyr Shukro falënderoi Shqipërinë për mbështjen e dhënë ndaj Ukrainës. Shkurov, theksoi rëndësinë e procesit të rindërtimit në vendin e tij, ndërsa e bën të qartë se qëllimi i vetëm i Kievit është paqja.
'Rindërtimi ka nisur dhe po sjell shpresë për një të ardhme paqësore në një Ukrainë të pavarur dhe evropiane. Populli ynë, më shumë se kushdo në botë, dëshiron paqen. Ne jemi mirënjohës ndaj të gjithë partnerëve tanë - Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkimit Evropian, NATO-s, Mbretërisë së Bashkuar, dhe të gjitha vendeve të tjera - për solidaritetin dhe ndihmën e tyre ndaj Ukrainës. Unë i falënderoj Shqipërisë për qëndrimin e saj të pandryshuar të mbështetjes, i cili shfaqet si në nivelin ndërkombëtar, ashtu edhe drejtpërdrejt në marrëdhëniet mes popujve tanë', tha ai.
Kryetarja Spiropali, e shoqëruar nga Ambasadori Shkurov dhe përfaqësues të Trupit Diplomatik, vizituan ekspozitën kushtuar pasojave të luftës në Ukrainë.
Komente
