Politika shqiptare ka reaguar në kuadër të Ditës Ndërkombëtare Përkujtimore të Holokaustit ku miliona hebrenj u shfarrosën nga nazistët gjermanë të drejtuar nga Adolf Hitler në Gjermani.
Begaj, duke e cilësuar këtë si një ditë reflektimi për një ndër periudhat më të errëta të njerëzimit, shkroi se tragjedi të tilla duhet të shërbejnë për kundërshtimin e urrejtjes me vendosmëri. Ndërsa vlerësoi edhe përpjekjet e popullit shqiptar që gjatë kësaj periudhe kaq të errët, strehoi dhe shpëtoi mijëra hebrenj.
“Në Ditën e Përkujtimit të Holokaustit, ne reflektojmë mbi miliona njerëz që u persekutuan dhe u zhdukën në një prej periudhave më të errëta të njerëzimit. Krenar per vlerat e popullit shqiptar, i cili kurrë nuk bëri kompromis as edhe me jetën e tij në mbrojtjen e kauzës së humanizmit. Le të na shërbejnë historitë e tyre që të kundërshtojmë me vendosmëri urrejtjen, diskriminimin dhe çdo padrejtësi tjetër në dëm të njerëzimit”- shkruan Begaj në rrjetin e tij social facebook.
Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla ka reaguar për Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit ndaj hebrenjve. Nikolla shkruan se shqiptarët janë krenarë për mbështetjen që u kanë dhënë hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore.
“Sot, në 27 janar, në Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit, një ndër kapitujt më të errët të historisë së njerëzimit, kur nazistët shfarosën mbi 6 milion hebrenj, ne shqiptarët jemi krenarë për mbështetjen që u kemi dhënë hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Si i vetmi vend që në kohë të vështira ka shërbyer si një atdhe rezervë për hebrenjtë.
Si i vetmi shtet dhe i vetmi popull, i cili gjatë Luftës së Dytë Botërore mbrojti jo vetëm hebrenjtë që jetonin në vend, por shpëtoi edhe rreth tremijë hebrenj të ardhur nga Europa Qendrore e Lindore.
Në vitin 2020 Kuvendi miratoi Rezolutën “Për miratimin e përkufizimit të përdorshëm për antisemitizmin, përcaktuar nga Aleanca Ndërkombëtare për Përkujtimin e Holokaustit” dhe organizoi, në partneritet me Lëvizjen Kundër Anti-Semitizmit dhe Agjencinë për Hebrenjtë të Izraelit, Forumin e parë Ballkanik Kundër Anti-Semitizmit.”
Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Metaj, ka reaguar për Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit ndaj hebrenjve. Nëpërmjet një postimi në facebook, Meta tha se duhet të angazhohemi që tragjedi dhe akte çnjerëzore të tilla të mos përsëriten kurrë më duke shprehur edhe krenari për popullin shqiptar që mbrojti mijëra hebrenj të larguar nga vendet e tjera.
"Në Ditën Ndërkombëtare të Kujtesës nderojmë miliona jetë të pafajshme hebrenjsh të humbura gjatë mizorisë së Holokaustit. Krenar për popullin shqiptar dhe kodin tonë të nderit Besa që në periudhën më të errët të njerëzimit mbrojti mijëra hebrenj të larguar nga vendet e tjera, duke e kthyer Shqipërinë në të vetmin shtet në Europë ku numri i tyre ishte më i madh pas Luftës së Dytë Botërore se sa para saj.
Duke dënuar me forcë antisemitizmin, mungesën e tolerancës dhe bashkëjetesës, si dhe dhunimin e lirive dhe të drejtave të njeriut, të angazhohemi që të tilla tragjedi, gjenocide dhe akte çnjerëzore të mos përsëriten kurrë më"- shkruan kreu i PL-së.
Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit, ditën e sotme në ambientet e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme u zhvillua aktiviteti me temë “Shqiptarët zgjedhin për me shpëtue”.
Ministri Igli Hasan vlerësoi rolin e diplomatëve dhe përpjekjet e popullit shqiptar në shpëtimin e hebrenjve, teksa u shpreh se evente të tilla shërbejnë për të na kujtuar që duhet të punojmë shumë, për të edukuar shoqëritë tona kundër çdo lloj urrejtje e diskriminimi racor, fetar, etnik, etj.
“Teksa shfletoja disa dokumente nga arkivat, ajo që del në pah është që këtu bëhet fjalë për veprimet e një shoqërie të tërë. Gjen aty dëshmi diplomatësh të angazhuar për të gjetur mënyra kreative për t'ju dhënë viza udhëtimi për në Shqipëri qytetarëve hebrenj nga e gjithë Evropa. Asgjë nuk mund të justifikojë antisemitizmin. Teksa me të drejtë ndihemi krenarë për këtë traditë mikpritje e për atë çka bënë paraardhësit tanë për të shpëtuar hebrenjtë, koha ku jetojmë e bën të domosdoshme që ne të punojmë për të ardhmen e veçanërisht për edukimin e brezave të rinj”, tha ai.
Ambasadorja izraelite në Tiranë, Galit Peleg, u shpreh se populli izraelit do t’i jetë gjithmonë mirënjohës Shqipërisë për kontributin e tyre, teksa theksoi se e gjithë bota duhet të mësojë për këtë akt simbolik të shqiptarëve.
Në fjalën e tij përshëndetëse, ambasadori gjerman në Tiranë, Karl Bergner, theksoi se duhet bërë çmos që historia mos të përsëritet.
Gjatë aktivitetit, u ekspozuan dokumente origjinale të Arkivit Qendror të Shtetit dhe arkivit të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, për përpjekjet e bëra nga diplomatë shqiptarë të asaj kohe për shpëtimin e hebrenjve.
LIGJI DUHET TE JETE QE NESE NJE MJEK KA KLINIKE PRIVATE NUK DUHET TE PUNOI NE SPITALET SHTETERORE...PRANDAJ MJEKESIA PO SHKON KEQ E ME KEQ
Përgjigju