Antisemitizmi/ Dita e Përkujtesës, 76 vite nga çlirimi i Kampit të Vdekjes në Aushvic! Meta: Bota duhet të ndjekë shembullin tonë! Ruçi: Thirrje për paqe (FOTO)

27 Janar 2021, 09:39| Përditesimi: 27 Janar 2021, 18:07

  • Share

76 vite më parë u çliruar Kampi i Aushvicit, duke i dhënë fund edhe një nga kapitujve më të tmerrshëm në historinë e botës. Në 27 Janar 1945, Kampi u çlirua nga Ushtria e Kuqe dhe që prej vitit 1996 kjo është njohur si Dita e Ndërkombëtare e Përkujtesës së Holokaustit.

Muri i Vdekjes në oborrin e Bllokut 11 është një vend ku nazistët qëlluan mijëra njerëz, kryesisht të burgosur politik. Midis 1940 deri në 1945, rreth 1.1 milion njerëz, kryesisht hebrenj, polakë, romë dhe robër sovjetikë u vranë në Aushvic-Birkenau dhe në 1947 vendi u shndërrua në një muze dhe në 1979 u shtua në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.

Çdo vit në Bundestagun gjerman mblidhen të mbijetuarit e Holokaustit ose kryetarët e shteteve të ftuar  të cilët rrëfejnë eksperiencat e tyre ose sfidat me të cilat po përballet bota.  Ndërkohë që edhe në Poloni, aty ku gjenden kampi zhvillohen ceremoni përkujtimore, të cilat nuk do të jenë aq të populluara si më parë për shkak të pandemisë.

Nga Kampi i vdekjes shumë persona arritën të shpëtojnë, por plagët që ata morën nuk janë shëruar ende dhe çdo 27 Janar ata ndajnë historitë e tyre me botën.

Gjatë luftës së Dytë Botërore, të paktën 6 milion hebrenj humbën jetën, duke lënë një nga kujtimet më të hidhura në historinë e njerëzimit. Ndërkohë që të mbijetuarit e kampit të vdekjes Auschvitz-Birkenau paralajmërojnë rritje të antisemitizmit.

Ora 12:59
Veliaj dhe ambasadori i Izraelit, homazhe në Memorialin e Holokaustit në Tiranë, Kryebashkiaku: Koha të reflektojmë (VIDEO)

Në Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të viktimave të Holokaustit, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, bëri thirrje për reflektim dhe për të lënë pas kulturën e urrejtjes, përçarjes dhe shpifjeve. Ai, së bashku me Ambasadorin e Izraelit në Tiranë, Noah Gal Gendler, vizitoi stendat me foto dhe fakte historike të ekspozuara pranë Memorialit të Holokaustit te kodrat e Liqenit, ku u shpreh se kjo është një ditë për të cilën Shqipëria krenohet, sepse është një nga vendet e rralla në botë që strehoi dhe shpëtoi hebrenjtë.

“Sot është dita kur e gjithë bota, jo vetëm Shqipëria, reflekton mbi Holokaustin. Përkujtojmë një nga ngjarjet më tragjike të historisë sonë njerëzore, shfarosjen e 6 milionë hebrenjve. Ajo që ndodhi në vitet 1941-‘45 nuk filloi në vitin 1933. Kultura e urrejtjes, e përçarjes, e shpifjes dhe e damkosjes së tjetrit kishte nisur kohë më parë. Por, edhe pse sot jemi larg tragjedive si gjenocidi, kultura e përçarjes, e shpifjes, e damkosjes dhe e urrejtjes kultivohet ende; ka ende njerëz që akuzojnë pa fakte”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku tha se duhet të reflektojmë nga gabimet e së shkuarës dhe të ndahemi nga gjuha e urrejtjes. “Nuk ka rëndësi nëse je kryetar bashkie, ambasador, politikan etj., duhet të kuptojmë se ato që themi sot, vërtet nuk shkaktojnë gjenocid apo përplasje fizike, por në afatgjatë e helmojnë shoqërinë. Prandaj, është shumë e rëndësishme të mos i përsërisim gabimet, duhet të reflektojmë dhe të kuptojmë se, gabimet e së kaluarës, jo vetëm gjatë Holokaustit, por edhe me ngjizjen e gjuhës së urrejtjes dhe damkosjes së njerëzve për bindje ose etni, na çojnë në tragjedi të tilla”, deklaroi ai.

Veliaj solli shembullin e familjes Biçaku nga Qerrishta e Elbasanit, e cila gjatë Luftës së Dytë Botërore strehoi 26 hebrenj. “Holokaustin e shkaktoi ligësia, urrejtja dhe përçarja, por dashuria e ka fuqinë më të madhe. Familja Biçaku nuk ishte një familje pasanikësh, por zemrën e kishin të pasur. Ata kishin tjetër botëkuptim, pavarësisht se nuk ndanin të njëjtën fe me hebrenjtë që strehuan dhe shpëtuan. Shqiptarët e thjeshtë, kryesisht të besimit mysliman, hapën dyert për ta. E kjo tregon se fuqia e dashurisë e mund urrejtjen, fuqia e dritës e mund errësirën, fuqia e bashkimit e mund përçarjen”, shtoi ai.

Ambasadori i Izraelit në Shqipëri, Noah Gal Gendler, nënvizoi se Shqipëria është një shtet model, i cili duhet ndjekur për veprat e mira. “Jemi krenarë që jemi këtu dhe ndiejmë detyrimin t’ia rrëfejmë gjithë botës historinë tuaj. Historia juaj nuk është vetëm një histori e së shkuarës, por i përket edhe së ardhmes, brezave që do të vijnë, dhe kjo është diçka unike dhe e pabesueshme. Si ambasador i Izraelit dhe përfaqësues i kombit hebre ju falenderoj për këtë, juve personalisht dhe popullin tuaj”, tha ai.

Kryebashkiaku Veliaj dhe Ambasadori Gendler vendosën buqeta me lule dhe ndezën edhe qirinj në Memorialin e Holokaustit, në Parkun e Liqenit Artificial.

1611749077_10c011d1d0e0405b9ca49d497d0dbf94.jpg

Ora 10:45
Përkujtimi i Holokaustit, Basha: Qëndresa me të keqen është e domosdoshme edhe kur fuqia e propagandës është ende shkatërrimtare

1610716376_Basha30qershor847x477.jpg

Kryedemokrati Lulzim Basha ka kujtuar Ditën Ndërkombëtare të Holokaustit. Përmes një postimi në rrjetet sociale, ai shkruan se qëndresa dhe përballja me të keqen është imperative dhe sot fuqia e propagandës është akoma shkatërrimtare.

Postimi i plotë i Lulzim Bashës:

"Sot në Ditën Ndërkombëtare të Holokaustit kujtojmë dhe nderojmë viktimat e holokaustit dhe gjithë brezat e humbur prej tij. Qëndresa dhe përballja me të keqen është imperative edhe sot kur fatkeqësisht fuqia e propagandës është akoma shkatërrimtare" - shkruan Basha.

Ora 09:44
Dita e Përkujtesës/ Xhaçka: Kurrë s'duhet të harrojmë luftën tonë ndaj antisemitizmit! Krenare për Shqipërinë

Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit, ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka ka publikuar një video, ku evidentohet roli themeltar që diplomacia shqiptare dhe populli shqiptar patën në këtë kauzë. 

Në video tregohen disa prej momenteve kyçe që vulosën fatin e qindra hebrenjve në Shqipëri, para dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Gjithashtu, në video vihet theksi edhe në kontributin e Shqipërisë në ditët e sotme në luftën kundër antisemitizmit.

“Sot, në Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit, nderojmë miliona jetë të humbura, si dhe të gjithë ata që dolën kundër të keqes më të madhe të kohës.  Kurrë nuk duhet të harrojmë apo të ulim vigjilencën në luftën tonë ndaj antisemitizmit. Thellësisht krenarë për Shqipërinë, shqiptarët dhe shërbimin diplomatik në misionin e shpëtimit të hebrenjve”, shkruan Xhaçka.

Ora 09:27
Ruçi: Shqipëria, lider në luftën kundër antisemitizmit! Kujtesa për Holokaustin, thirrje për paqe

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, në Ditën Ndërkombëtare e Kujtesës për Holokaustin, thirrje për pajtim të të gjitha qytetërimeve, komuniteteve fetare, kombeve, rajoneve, racave, të gjithë njerëzimit

“Duke përkujtuar Ditën Ndërkombëtare të Kujtesës për Holokaustin Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, u shpreh se “Shqipëria është mjaft aktive dhe në sinergji me përpjekjet e qytetërimit bashkëkohor në luftën kundër antisemitizmit. Të gjithë kombet që aspirojnë demokracinë, pluralizmin, diversitetin e tolerancën duhet t’i bashkohen këtij fronti. Shqipëria e konsideron përgjegjësi para qytetërimit, por edhe një privilegj, të meritojë lidershipin e frontit të bashkuar të rajonit të Ballkanit për luftën kundër antisemitizmit.  Ne, shqiptarët, mbetemi stoikë në zgjedhjet tona: dashuria mbi urrejtjen, toleranca mbi konfliktin, humanizmi mbi përndjekjet, vuajtjen e dhimbjen në vend të shkaktimit të saj të tjerëve. Historia na ka vendosur shpesh në të njëjtën barkë me hebrenjtë, me këtë popull që ka vuajtur një fat tragjik, por që dhimbjet e shkaktuara prej historisë nuk ia pakësuan fisnikërinë, dashurinë dhe humanizmin.

Shqipëria në kohë të vështira ka shërbyer si një atdhe rezervë për hebrenjtë dhe është vendi i vetëm në Europë, ku të gjithë hebrenjtë u morën në mbrojtje dhe u shpëtuan gjatë Luftës së Dytë Botërore. Shqiptarët bota i njeh si magjistratët e mbrojtjes së hebrenjve, pa dallim besimi fetar, pasurie, territori, orientimi politik, duke shënuar një konvergjencë kombëtare si rrallë herë në histori. Në qëndrimin në krah të aleatëve tanë strategjikë, SHBA dhe BE, në luftën kundër antisemitizmit, ne jetërsojmë veprën e brezave para nesh, ndaj mbrojtjes që u bënë katër valëve të ardhjes së hebrenjve në Shqipëri, të cilat kanë ndodhur gjatë viteve të tmerrshme, në periudha dramatike dhe nxitur prej impulsesh të errëta. Dita Ndërkombëtare e Kujtesës për Holokaustin nuk është një ditë urrejtjeje, por dashurie; nuk është një ditë armiqsie, por miqësie; nuk është një ditë që ndan, por që bashkon; nuk është kujtimi i një dite lufte, por thirrja për një epokë paqeje. Është një ditë që fton e bashkon në pajtim të gjitha qytetërimet, komunitetet e besimet fetare, kombet, rajonet, racat, të gjithë njerëzimin”, tha Ruçi.

Ora 09:19
Meta kujton Holokaustin: Shqipëria i vetmi vend në Europë ku nuk humbi jetën asnjë hebre, bota duhet të ndjekë shembullin tonë

1611313674_meta.jpg

Presidenti Ilir Meta ka kujtuar 76-vjetorin e 'Ditës Ndërkombëtare të Holokaustit'. Përmes një postimi në Facebook, ai shkruan se Shqipëria është i vetmi vend ku nuk humbi jetën asnjë hebre. Ai gjithashtu thotë se të gjithë vendet e tjera duhet të marrin shembull nga vendi ynë.

Postimi i plotë i Ilir Metës:

Sot, në Ditën Ndërkombëtare të Kujtesës, u bashkohem lutjeve për miliona viktima të pafajshme të mizorisë së Holokaustit dhe për të gjithë ata, të cilët i mbijetuan tragjedisë më të tmerrshme njerëzore të kohërave tona dhe janë sot dëshmitarë të gjallë të saj, për të na inkurajuar, që të mos lejojmë KURRË MË të tilla gjenocide e akte çnjerëzore.

Shqipëria ishte i vetmi vend në Europë, ku nuk humbi jetën asnjë hebre dhe askush prej tyre nuk iu dorëzua pushtuesve nazistë, duke dalë nga ajo periudhë e errët, me një popullsi hebraike më të madhe në numër nga ç’kishte para fillimit të Luftës.

Ndihemi jashtëzakonisht krenarë dhe e gjithë bota duhet të ndjekë shembullin frymëzues shqiptar dhe Kodin tonë të nderit e të mikpritjes BESA!

I lumtur, që sot Shqipëria dhe Izraeli ndajnë të njëjtat vlera të paqes, lirisë dhe demokracisë dhe janë bashkërisht të angazhuara në luftën ndaj terrorizmit dhe antisemitizmit, për promovimin e tolerancës, bashkëjetesës dhe përkujtimit të Holokaustit.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?