Në ditën botërore të refugjatëve, ambasadori i BE-së në Tiranë, Silvio Gonzato, vlerësoi rolin e Shqipërisë ndër vite në ndihmën e dhënë për menaxhimin e flukseve, duke marrë shembujt strehimin e hebrenjve, shqiptarëve të Kosovës dhe afganëve pak vite më parë.
‘Shqipëria ka një rol të rëndësishëm në historinë e njerëzimit sepse ka pritur dhe ka mbrojtur individë të ndryshëm, ka pritur hebrenj dhe qindra refugjatë nga Kosova. Kur Afganistani ka në duart e Talibanit, i ofroi strehim të përkohshëm mijëra shtetasve të Afganistanit. Gjatë viteve të fundit Shqipëria ka qenë një vend i rëndësishëm për BE për të trajtuar flukset mikse të emigracionit në korridoret e Ballkanit Perëndimor', tha ai.
Ndërsa, Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha nëpërmjet një statusi në rrjetet sociale thekson se refugjatët dhe kërkuesit e azilit të trajtohen me dinjitet, drejtësi e respekt.
“Punojmë pa ndërprerje për të ndërtuar një sistem azili më të fortë, më transparent dhe më efikas – në përputhje me standardet e Bashkimit Europian dhe të së drejtës ndërkombëtare. Bashkëpunimi me UNHCR-në, BE-në, organizatat vendore e ndërkombëtare, si dhe me komunitetet lokale dhe shoqërinë civile, është çelësi për një qasje gjithëpërfshirëse dhe për një integrim të suksesshëm. Solidariteti nuk është vetëm një parim moral, është një angazhim konkret për të mbrojtur dinjitetin njerëzor!”, nënvizoi Hoxha.
Komente
