Me himnin shqiptar dhe atë italian është çelur pritja e organizuar nga Ambasada e Italisë në Tiranë me rastin e Ditës Kombëtare të Italisë. Diplomatë, politikanë, njerëz të medias, artit dhe kulturës ishin të pranishëm në festën e mbajtur në mjediset e ish-hotel “Dajtit”, ndërtuar nga italianët e që sot, në 100 vjetorin e Bankës së Shqipërisë i është rikthyer këtij institucioni, po ashtu i themeluar nga një bankier italian.
Ndërsa foli për lidhjet e hershme mes Italisë dhe Shqipërisë, ambasadori Marco Alberti vërejti se të rinjtë dhe e ardhmja janë në qendër të bashkëpunimeve mes dy vendeve.
“E ardhmja. Pikërisht mbi këtë fjalë duam të ndërtojmë dialogun tonë me Shqipërinë. Festa e sotme, si e gjithë Java e Kulturës italiane, flet për të ardhmen. Të ardhmen e Vendeve tona, të ardhmen e popujve tanë, të ardhmen e brezit të ri. E ardhmja, më shumë se sa e shkuara, ndikon mbi të tashmen!”, - tha ambasadori Alberti.
Alberti kujtoi se Italia zë vendin e parë në shkëmbimet tregtare me Shqipërinë, ku numërohen më shumë se 3000 ndërmarrje italiane, kryesisht të vogla e të mesme, të cilat ushtrojnë veprimtarinë e tyre në sektorë të ndryshëm; nga ai energjetik në atë të shëndetësisë, nga ai mbrojtjes në atë të infrastrukturës, nga ai i agrobiznesit në atë tekstil.
"Synimi ynë nuk është të qenit investitorë të thjeshtë, apo tregtarë, por partnerë. Këtë synojnë 45 projektet e bashkëpunimit për zhvillim me lëvrimin e mbi 320 milionë eurove; këtë synon bashkëpunimi i policisë gjyqësore me 14 skuadrat hetimore të përbashkëta; idenë e partneritetit e përqafojnë edhe 130 marrëveshjet e bashkëpunimit ndëruniversitar.”, - tha ai.
Një vend të rëndësishëm në këto bashkëpunime zë edhe bashkëpunimi kulturor, që sipas ambasadorit është një mundësi e shkëlqyer për dialog dhe partneritet me Shqipërinë me mbi 150 nisma të realizuara në 2024 e, për këtë vit, 84 deri tani.
Pjesë e mbrëmjes ishte edhe një spektakël mode, ku u prezantuan veshje të pesë stilistëve të rinj italianë, të cilët, në 2 qershor patën në Tiranë një bisedë në lidhje me modën, në kuadër të Javës Italiane të Kulturës.
“Në Shqipëri ka interes të madh sa i përket modës dhe duhet të kujtojmë që mes dy vendeve ka bashkëpunim produktiv prej kohësh dhe mendoj që Shqipëria mund të ketë stilistët e saj për t’u prezantuar në nivel ndërkombëtar dhe ne jemi gati të luajmë rolin tonë si ‘Shoëroom Milano’.”, - tha për "Report TV", Mauro Galligari, drejtor i komunikimit në "Showroom Milano".
Ambasadori Alberti shprehet për “Report TV” se moda është një dimension kulturor i Italisë dhe shprehje e kreativitetit të popullit italian, ndërsa sa i përket veshjeve të prezantuara të “Alta sartoria” dhe bisedës me stilistët, se nuk flitet për luks, por për elegancë.
Komente
