Dita e Rinisë, Qendra e Librit propozon ligj për leximin (VIDEO)

7 Dhjetor 2020, 15:58| Përditesimi: 7 Dhjetor 2020, 16:13

  • Share

Në kuadër të 8 Dhjetorit, Ditës Kombëtare të Rinisë, drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Librit edhe Leximit, Alda Bardhyli i propozon ministres së Kulturës, Elva Margariti edhe asaj të Arsimit, Evis Kushit hartimin e një ligji për leximin.

“Qendra Kombëtare e Librit edhe Leximit në bashkëpunim me specialistë të fushës dhe me dy ministritë përkatëse, do të punojë që gjatë vitit 2021 të realizojë këtë ligj. Një ligj që në një farë mënyre nuk do të jetë detyrim në vetvete, por një nxitës që të kthejë dashurinë për leximin”, shprehet drejtoresha e QKLL, Alda Bardhyli.   

Studiuesit e shohin një iniciativë të pavend, duke qenë se leximi nuk mund të imponohet me ligj.
“Leximi është çështje kulturimi, është çështje që ka të bëjë me vetëdijen e çdo institucioni mbi raportin që ka me dijen edhe kulturën. Institucionet të mos marrin përsipër që të udhëheqin, por të bëjnë politika kulturore”, thotë studiuesi i letërsisë, Behar Gjoka.  

“Mendoj se është një rikthim tek para vitet ‘90. Nëse marrim si model Italinë, bëjmë mirë që Italinë ta marrim model edhe për shumë gjëra të tjera, jo vetëm për legjislacionin, që i drejton fëmijët të lexojnë libra që institucionet tona të brishta u’a detyrojnë me zor”, shprehet Hasan Bello, studiues i historisë.

Në qendër të këtij takimi dialogues në Muzeun Historik Kombëtar u diskutua edhe për bibliotekat jofunksionale të shkollave, por edhe të qytetit, të cilat në këto 30 viteve nuk ka pasur vëmendjen e duhur për t’u furnizuar me botime të reja

“Ne duhet të bëjmë akoma më shumë. Së pari, duke pasuruar bibliotekat e shkollave tona me tituj dhe buxhete konkrete, edhe së dyti nëpërmjet kurrikulave, programeve konkrete”, thotë Evis Kushi, ministre e Arsimit.

Ndërsa, ministrja e Kulturës rrëfen iniciativat konkrete që ka ndërmarrë për edukimin e të rinjve përmes artit

 “Këtë vit s'kemi një buxhet të përcaktuar, por kemi përgatit dhurimin në shkolla edhe gjimnaze të një kolane me 300 tituj klasikë, që do të shkojnë nëpër shkolla”, shprehet ministrja e Kulturës Elva Margariti.

8 dhjetori, Dita kombëtare e Rinisë, prej dhjetë vitesh përkujtohet si festë kombëtare. Studentët e dhjetorit të vitit 1990 ishin  iniciatorë të kthesës historike përmes protestave paqësore, që sollën rënien e regjimit komunist dhe ardhjen e demokracisë.

 

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?