7 ditë në grevë për pagat e munguara dhe ende rezistentë! Punonjësit e stacionit të pompimit në Poçem: Këtu deri në vdekje

19 Shkurt 2020, 10:38| Përditesimi: 19 Shkurt 2020, 19:39

  • Share

FIER-Në ditën e tyre të shtatë të grevës së urisë, punëtorët e stacionit të pompimit në Poçem vijojnë rezistencë, duke mos hequr dorë deri në qëllimin final, marrjen e pagave të prapambetura. Ndonëse situata e tyre shëndetësore nuk paraqitet e mirë, fakt ky i konfirmuar edhe nga mjekët e qendrës shëndetësore, ata shprehet se nuk do të heqin dorë. Ditën e djeshme disa prej tyre kanë marrë serum pasi kanë shfaqur shenja dobësie, gjendje të fikti, por më pas i janë rikthyer grevës së urisë. Këta punonjës nuk kanë marrë pagat e tyre prej 27 muajsh, të cilët po vuajnë pasojat e privatizimi të uzinës së naftës dhe ndryshimit të shumë pronarëve brenda një kohë të shkurtër. 

Me gjysmë zëri dhe të shtrirë pasi fuqitë po i shterojnë, grevistët i bëjnë thirrje shtetit për të gjetur një zgjidhje, por duke theksuar se nuk do të dorëzohen dhe nuk do t'i lënë të vetëm në këtë betejë. E tillë është historia e një prej grevistëve, i cili ndonëse është me diabet dhe gjendja e tij shëndetësore sa vjen dhe po përkeqësohet, shfaqet i palëkundur për ta vijuar grevën. 

"Jam me diabet, serumët po më mbajnë në këmbë. Unë po shtyj ditët. Thashë mbase të marr ato lekë dhe të shtyj disa ditë. Po s'pranova mjekim, unë mbaroj. Për ne s'ka shtet fare", tha grevisti.

Të indinjuar se nuk po u ofrohet një zgjidhje, por edhe sepse sipas tyre janë braktisur nga shteti, ku ndonëse ka rreth një javë në grevë askush nuk ka ardhur t'i vitizojë.

"Jemi shumë keq dhe të indinjuar, unë jam më i vogli dhe po e përjetoj shumë keq. Do të qëndrojmë deri në fund. Kolegët këtu kanë marrë serum. I kërkojmë ndihmë shtetit, duhet të përgjigjet për të gjithë shtetasit njësoj".

"Gjendja sa vjen dhe po rëndohet. As një reagim nuk kemi pasur, ka ardhur avokati i popullit dhe morën të dhënat, nuk dhanë asnjë premtim. Do i shikojmë nëpër institucione. Jemi në të drejtën tonë. Ata mund të na nxjerrin në rrugë, por nuk do dalim".

"Më keq nuk ka ku vete. Sot është dita e shtatë. Kam bërë nja dy serume", shprehen disa nga grevistët", tregojnë disa prej grevistëve.

E njëjtë paraqitet situata edhe me punëtorët e Rafinerisë së Naftës në Ballsh, të cilët nuk kanë marrë ende pagat e 5 muajsh dhe kërkojnë fillimin e punës në uzinë. Ata janë në ditën e tretë të grevës së urisë. Kompania u propozoi naftëtarëve të nënshkruajnë një kontratë të re pune nga 1 Marsi, por pa njohur borxhet e prapambetura, pra pa u kompensuar pagat e 5 muajve të kaluar. Kjo u pranua nga naftëtarët, të cilët në mbështetje të grevës së urisë së punëtorëve të Pompimit në Poçem, hynë në grevë në mjediset e qendrës shëndetësore pranë uzinës së naftës.  

B.K.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?