Një nga grupet me të bukura në Facebook është “View from your Window” (Pamja nga dritarja jote), dhe, siç funksionojnë mediate sociale, sa më shumë sheh diçka, aq më shumë algorimti e prezanton. Papritur, njerëz të hidhur, inatçorë, intrigantë, thashethemexhinj, nuk duken më në horizontin e murit tënd on line nëse ju nuk i klikoni më, por kërkoni lajme të mira dhe vende të bukura. Dhe ata inatosen edhe më shumë sepse e kuptojnë se nuk shkojnë më në veshët e duhur mesazhet e kodifikuara që mbajnë të mbështjellë helmin e përgatitur trashë apo hollë, gjithësesi, menduar mirë më parë. Është pak a shumë si filozofia e jetës: rrimë me ata që preferojmë, frekuentojmë të njëjtët, të afërmit… Bukuria e “View from your window” qëndron në faktin se cilido, nga çdo cep i botës, mund të publikojë pamjen që sheh nga dritarja e tij, qoftë në shtëpi, qoftë në punë, qoftë në hotel, apo një pamje nga qyteti ku jeton, apo kalon pushimet.
Në të shumtën e rasteve, secili, në u ndodhtë në Afganistan, në Namibi, në Islandë, në SHBA, në Peru, në Shqipëri etj. etj. përpiqet të fotografojë këndin më të bukur dhe nga kjo dëshirë e nga ky fiksim kupton se e bukura ndodhet e shpërndarë në proporcion të barabartë dhe me gjithë forcën dhe magjinë e ngjyrave në mbarë globin. Ky grupim i medias sociale është në një farë mënyre ana tjetër e medaljes se mediave zyrtare, që për traditë, mision e profesion, shpesh detyrohen të publikojnë vetëm anën problematike të rruzullit tonë.
Në Ditën e Tokës, kur disa bëjnë luftë e të tjerë dëshirojnë të përfishjnë sa më shumë në gjakderdhje, kuptojmë se në pjesën më të madhe të globit, edhe në vendet ku luftohet, ka bukuri pa kufi. Nëse këto bukuri, ose të paktën dëshira e madhe për të parë e për të realizuar të tilla përreth vetes shumëfishohen, luftëbërësit e luftëndjellësit mund të pakësohen apo dhe të zhduken një ditë.