Me një video me inteligjencë artificiale, kryeministri Edi Rama zgjodhi të urojë Ditën e Verës. Kreu i qeverisë nuk e pati një vizitë në Elbasan, qytetin simbol të ditës së Verës këtë 14 mars, teksa festimet mbaheshin në sheshin e qytetit.
Megjithatë, edhe këtë vit Elbasani ishte kryeqendra për përfaqësuesit e politikës. Pasi uroi festën dhe provoi ballokumen e Elbasanit, Berisha e shfrytëzoi vizitën në qytet për fushatë.
“Kjo ditë frymëzon çdo shqiptar që më 11 maj të ndahen nga ky regjim që i varfëroi ata gjer në palcë”, tha Berisha.
Në krah të kandidatëve për deputetë të Elbasanit, Berisha nuk la pa i dhënë një mesazh edhe Dashnor Sulës, deputetit që ka 20 vite që nën siglën e PD përfaqësoi në parlament këtë qark, por këtë herë do të kërkojë vota kundër Berishës.
“Sa i përket deputetit që thatë ju, ai bëri zgjedhjen e tij, midis betejës në sheshin e burrave zgjodhi Tikun dhe shkoi në punën e vet, nuk kam çfarë të them bëri gabim por prapë ka kohë ta mendojë.”, u shpreh ai.
Me frikën se mos braktiset edhe nga deputetët e tjerë që u lanë jashtë listave, Berisha një kërkesë e pati edhe për ta.
"Deputetët që nuk janë në lista, unë i ftoj që të kontribuojnë. Në politikë, udhëtimi nuk është me një finish. Udhëtimi është i gjatë. Sot nuk u zgjodhe, nesër zgjidhesh", tha Berisha.
Rastësia e deshi që në të njëjtën kohë në Elbasan të ishte edhe Lulzim Basha. Ky i fundit teksa uroi festën, shigjetoi Ramën e Berishën bashkë, duke thënë se është koha për ndryshim dhe jo riciklim.
Në ditën e Verës, Elbasani u vizitua edhe nga komisionerja për Zgjerimin Marta Kos që ndodhet për një vizitë në Shqipëri nga ku përsëriti qëndrimin për progresin.
Komisionerja Europiane për Zgjerimin, Marta Kos e cila ndodhet për herë të parë në një vizitë në vendin tonë, iu bashkua festimeve të Ditës së Verës. Marta Kos ishte në Elbasan, ‘epiqendra’ e festës.
Në një prononcim të shkurtër për mediat, Kos foli edhe për integrimin e Shqipërisë, duke thënë se tashmë vendi ynë duhet të plotësojë detyrat deri në fund të 2027.
“Shqipëria po bën një punë shumë të mirë, ka ende shumë reforma për t’u bërë por nëse bëhen, në fund të 2027 do të jetë edhe fundi i procesit. BE është shtëpia juaj, tani duhet të bëni detyrat, por së shpejti shpresoj që pas punës së bërë me pasion, BE të mos ketë 27 vende anëtare por 28. Kam dëgjuar se veroret sjellin fat, kam vënë dy sot, një për ju dhe një për BE, që të jenë fatsjellëse”, tha Kos.
“Në Elbasan takova gra të guximshme që po rindërtojnë jetën e tyre me mbështetje nga BE-ja. Në një punishte për tapicerinë, ato fitojnë aftësi dhe liri financiare. Fola me mbijetues të dhunës në familje që po kurojnë të kaluarën e tyre me ndihmën e BE-së. Ne qëndrojmë pranë tyre për komunitete më të sigurta dhe më gjithëpërfshirëse”, shkruan Kos.
In Elbasan ?? I met brave women rebuilding their lives with EU support.
— Marta Kos (@MartaKosEU) March 14, 2025
At a carpet workshop, they gain skills & financial freedom. I spoke to survivors of domestic violence overcoming their past with EU & @WVAlbania help
We stand by them for safer, more inclusive communities pic.twitter.com/B24zWNiOY8
Kryetari i PD, Sali Berisha ka uruar nga Elbasani qytetarët për Ditën e Verës. Kryedemokrati tha para mediave se kjo ditë do të frymëzojë shqiptarët që të bëjnë ndryshimin në 11 Maj.
“Qytetarë të Elbasanit dhe mbarëshqiptarë ju uroj nga zemra gëzuar këtë festë. Më të lashtën, më të bukurën e festave, festën e ndërrimit të natyrës. Festën e ftesës. Dita e Verës e gjen Elbasanin, shqiptarët me optimist në ndryshimin e madh më 11 maj. 11 maji ose kjo ditë frymëzon çdo shqiptar që më 11 maj të ndahet nga ky regjim që i varfëroi ata gjerë në palcë. Dua t’ju premtoj shqiptarëve se tre muaj e parë, ajo që e kemi quajtur paketë e dhembshurisë do nxjerrë çdo shqiptar nga varfëria ekstreme. Do kenë minimumin jetik 200 euro. S’do ketë pensionistët me pension nën 200 euro. Do bëhet një shpërndarje e re. Do ketë një rrogë minimale 25% më shumë se sot. 1200 euro do jetë rroga mesatare. Rroga do dyfishohet dhe nuk do ndalim vrapin tonë gjersa të bëhemi njerëzit më të paguar në rajon”, tha Berisha.
Drejtuesi politik i Koalicionit Euroatlantik, Lulzim Basha, në një prononcim për mediat nga qyteti i Elbasanit, ka uruar shqiptarët për Ditën e Verës. Ai theksoi se Elbasani është një qytet me vlera të mëdha intelektuale dhe kulturore, që ka kontribuar shumë për Shqipërinë dhe kombin.
Basha uroi të gjithë qytetarët për një verë të mbarë, duke theksuar se ky vit duhet të sjellë ndryshime pozitive dhe besim në një të ardhme më të mirë. Ai vuri në dukje se Elbasani, së bashku me gjithë Shqipërinë, meritojnë më shumë, dhe shprehu angazhimin e koalicionit për përfaqësimin e vlerave qytetare dhe ndryshimeve të domosdoshme. Basha gjithashtu vlerësoi kontributin e kandidatëve të koalicionit për Elbasanin dhe Shqipërinë.
“Nga Elbasani, që sot është kryeqyteti i të gjithë shqiptarëve, ju uroj gëzuar Ditën e Verës. Çdo familje shqiptare, gjithë qytetarëve shqiptarë, ju uroj një verë të mbarë, ju uroj shëndet dhe mbarësi për ju dhe familjet tuaja! Suksese dhe plotësim të dëshirave, planeve, aspiratave për gjithësecilin prej jush. Për mua është një kënaqësi e jashtëzakonshme që ndodhem sot këtu në mes të qytetarëve të Elbasanit, qytetit tim të dytë ku kam shërbyer për një kohë të gjatë si përfaqësues, të ndodhem prapë në këtë qytet i cili i ka dhënë kaq shumë Shqipërisë, i ka dhënë kaq shumë kombit tonë dhe të shpreh pa asnjë kompleks dobësinë që kam për Elbasanin, për qytetarinë e Elbasanit, për vlerat intelektuale dhe kulturën që rrezaton ky qytet. Është një ditë mirësie dhe mbarësie dhe është një ditë pozitiviteti, siç uroj nga zemra të jetë kjo verë për të gjithë shqiptarët duke e nisur pse jo, nga një verë e hershme, nga maji. Një maji i ndryshimeve pozitive, një maji i kthimit të besimit se një jetë më e mirë është plotësisht e mundshme këtu në Shqipëri. Se Elbasani, Shqipëria dhe shqiptarët meritojnë më shumë. Dobësia ime për Elbasanin njihet fare mirë, jo thjesht për mikpritjen që më ka ofruar, për shpirtin e madh të qytetarisë Elbasanase, por edhe për kontributet e jashtëzakonshme me të cilat ka shërbyer. Nuk është e rastësishme, kam në krah ish-zëdhënësen deri dje të Partisë Demokratike, Mirela Karabinën, tani kandidate së bashku me kandidatët e tjerë në qarkun e Elbasanit. Nuk është më zëdhënësja jonë, por edhe zëdhënësja e re që ka ardhur Doriana Musai që e prezantova dje, është po kështu nga Elbasani. E them me natyrisht me humor që është shenjë e dobësisë, në fakt është shenjë e forcës që rrezaton Elbasani në këtë ditë vere. Dhe pikërisht në këtë ditë vere jemi mbledhur këtu me grupin e kandidatëve tanë për deputetë të cilët rezatojnë dhe përfaqësojnë këto vlera dhe i thonë po vlerave qytetare, i thonë po ndryshimit dhe jo riciklimit. Sepse të gjithë jemi këtu duke besuar që Elbasani meriton më shumë, Shqipëria meriton më shumë. Nga Elbasani ju uroj të gjithë shqiptarëve gëzuar ditën e verës, qoftë një verë dhe një vit i mbarë për të gjithë familjet shqiptare dhe për vendin tonë”, tha Basha.
Presidenti Bajram Begaj, uroi sot qytetarët për Ditën e Verës, një festë tradicionale me origjinë të hershme në Elbasan, që shënon ardhjen e stinës së pranverës.
Përmes një foto në rrjetet sociale ku në qendër janë ballokumet, Begaj shprehu urimet e tij për të gjithë qytetarët.
“Gëzuar Ditën e Verës me këtë shportë të përgatitur nga amvisat e Elbasanit, kryeqytetit shqiptar të festimit të kësaj dite!”, shkroi Begaj.
Ndërkohë edhe kryeministri Edi Rama përmes një video të bërë përmes inteligjencës artificiale në llogarinë e tij uroi të gjithë shqiptarët.
“Gëzuar Ditën e Verës”, shkroi Rama.
Komente
