Shpallja e ditës së nesërme si ditë zie kombëtare, në nderim të ndarjes nga jeta të Papa Françeskut ka ndikuar në mënyrën se si partitë politike do të vijojnë aktivitetet e tyre në kuadër të fushatës për zgjedhjet e 11 majit.
Partia Socialiste ka njoftuar se të gjitha takimet e planifikuara për nesër në qytetin e Fierit do të shtyhen. Nga ana tjetër, Partia Demokratike ka vendosur të mos i pezullojë takimet elektorale të planifikuara, por ka bërë të ditur se ato do të zhvillohen pa muzikë dhe në fillim të çdo takimi do të mbahet një minutë heshtje në nderim të ndarjes nga jeta të Papa Françeskut.
Nga një konferencë për shtyp, kreu i PD Sali Berisha lajmëroi se do t'i vijojë takimet elektorale duke respektuar rregullat e ditës kombëtare të zisë.
"Vijoj fushatën duke respektuar plotësisht rregullat e zisë. Dmth, përcaktohen nuk do të ketë muzikë dhe natyrisht do të nderohet kujtimi i shenjtërisë së tij Papa Françeskut, në çdo takim me 1 minutë heshtje", tha Berisha.
Këto vendime vijnë pas vendimit zyrtar të qeverisë shqiptare për të shpallur ditën e shtunë si ditë zie kombëtare, në nderim të kreut të Papa Françeskut, i cili u nda nga jeta më 21 prill.
Nesër nga Shqipëria në ceremoninë e varrimit të Papa Françeskut, do të jenë të pranishëm presidenti Bajram Begaj si edhe të katërt udhëheqësit fetarë në vendin tonë, Kreu i Kishës Katolike, Arjan Dodaj, Kreu i Komunitetit Mysliman, Bujar Spahiu, Kryegjyshi i Bektashinjve, Haxhi Dede Edmond Brahimaj dhe Kryepeshkopi i Ortodoksëve, Joan Pelushi.
Ata do të udhëtojnë drejt Vatikanit për të marrë pjesë në ceremoninë e së shtunës, kur në Vatikan do të mblidhet e gjithë bota për t’i dhënë lamtumirën e fundit Papës së të varfërve.
Komente
