Dita Kombëtare e Trashëgimisë është përkujtuar edhe në rrethe. Në qytetin e Fierit është çelur një ekspozitë fotografike për këngët edhe vallet tradicionale. Ndërsa, në qytetin e Korçës janë ekspozuar veprat e shekujve XII-XIX të restauruara.
Dita Kombëtare e Trashëgimisë Kulturore, përpos në Tiranë është përkujtuar edhe në qytete të tjera të vendit, Shkodër, Korçë edhe Fier.
Në Muzeun Kombëtar të Artit Mesjetar në Korçë është çelur ekspozita "Restaurime". Janë 13 vepra të autorëve të njohur, të cilat i përkasin shekujve XVII dhe XIX
“Nga specialistët është bërë një punë kolosale për rikthimin e këtyre veprave në identitet, duke realizuar ndërhyrjet me mjeshtëri pa cenuar origjinalitetin dhe vlerat qe ato mbartin”, shprehet Fjoralba Prifti.
Edhe në qytetin e Fierit, në Muze është çelur një ekspozitë fotografike, që ka në qendër këngët edhe vallet tradicionale me të cilat rrethi i Fierit është përfaqësuar në Festivalet Folklorike Kombëtare
“Në kuadrin e Ditës Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore në Muzeun e Fierit është zhvilluar një aktivitet dhe një ekspozitë fotografike me pamje nga tradita e këngës popullore, valleve, kostumografisë me të cilat rrethi i Fierit ka qenë i përfaqësuar dhe është shpallur disa herë fitues në Festivalet Folklorike Kombëtare të Gjirokastrës, por edhe në aktivitete të tjera të nivelit kombëtar dhe rajonal”, është shprehur drejtori i këtij Muzeu Ilirjan Gjika.
Ekspozitat do të vazhdojnë që të qëndrojnë hapur për vizitorët.