Frida Krifca

Dita Ndërkombëtare e Qumështit, Krifca: Tufat e vogla po ia lënë vendin fermave të mëdha, mbështetje me grante e trajnime

1 Qershor 2023, 13:35| Përditesimi: 1 Qershor 2023, 13:36

  • Share

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca tha sot se, blegtoria shqiptare është në proces të rëndësishëm ristrukturimi, ku fermat e vogla po ia lënë vendin fermave të mëdha dhe mbështetja për këtë sektor është intensifikuar me grante dhe trajnime.

Duke folur në një aktivitet me blegtorë dhe aktorë të linjës, që u zhvillua në ambientet e Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, në Ditën Ndërkombëtare të Qumështit, ministja Krifca bëri një panoramë të zhvillimeve të këtij sektori, duke vënë theksin fillimisht tek rëndësia e qumështit për peshën që ka në konsum dhe në ekonominë bujqësore.

“Qumështi është pjesë e rëndësishme e dietës ushqimore të konsumatorit shqiptar. Sipas FAOSTAT mesatarisht 1 në çdo 6 kalori të konsumuara nga konsumatorët ofrohet nga qumështi dhe nënproduktet e tij, duke përbërë kështu një prej vendeve që konsumojnë më shumë qumështin dhe nënproduktet e tij midis të gjithë vendeve të rajonit (FAOSTAT)”, tha Krifca.

Gjithashtu, vuri në dukje ministrja, qumështi është një produkt me rëndësi për të ardhurat ekonomike në fshat dhe prodhimin e përgjithshëm të bujqësisë.

“Sot ka më shumë se 110 mijë ferma të cilat mbarështojnë gjedhin dhe më shumë se 58 mijë ferma të cilat mbarështojnë të imtat në shkallë vendi (të dhënat nga RUDA). Kjo  tregon se një pjesë e madhe e fermerëve në zonat rurale e kanë të lidhur një pjesë të ushqimit dhe të ardhurave të tyre nga aktiviteti blegtoral”, theksoi Krifca, teksa u ndal në faktin, që zonat rurale janë shndërruar në atraksione për turistët e vizitorët, nga  shfrytëzimi i më shumë se 2.1 milionë të imtave, të cilat ofrojnë disa prej produkteve më të spikatura të territoreve shqiptare.

Krifca tha se, “nga katër produktet e territorit që regjistruam së fundi në Shqipëri, 3 prej tyre janë produkte të cilat lidhen me qumështin e përpunuar përkatësisht Djathi Mishavina e Bjeshkëve të Kelmendit (EOP), Djath i Ziem i Malësisë së Madhe (STG), dhe Djathi i Dhisë së Bjeshkëve të Runjës në Dibër (STG)”.

“Janë pikërisht këto produkte të cilat ndërtojnë ofertën agroturistike të zonës rurale shqiptare ku qumështi dhe nënproduktet e tij kanë një rol parësor në jetësimin e vizionit që ne kemi zonat rurale”, theksoi ministria.

Krifca tha se sektori është në moment të rëndësishëm ristrukturimi ku fermat e vogla blegtorale me një apo dy gjedhë po i lenë vendin fermave me më shumë se sa 10 krerë.

Ky fakt, nënvizoi ajo, tregon që blegtoria jonë ndodhet në një fazë të re në të cilën zinxhiri ka nevojë për t’u forcuar me qëllim përmirësimin e produktivitetit dhe vlerës së shtuar për aktorët e sektorit, rritjen e nivelit të sigurisë ushqimore në të gjithë hallkat e zinxhirit të vlerës.

Ministrja shprehu angazhimin e qeverisë për rritjen e mbështetjes ndaj blegtorisë dhe blegtorëve.

“Gjatë vitit 2023, ne do të mbështesim blegtorinë shqiptare për të gjithë bletoret që kanë aplikuar për skemën e vitit 2023. Kështu parashikojmë që gjatë këtij viti të mbështesim më shumë de 8500 aplikime gjedhi dhe të imtash. Ne po aplikojmë vaksinimin falas në blegtori ku parashikojmë 511 mijë vaksinime dhe testime të të imtave dhe gjedhit”, informoi Krifca.

Gjithashtu tha ministrja, së bashku me partnerët e BE-së po punojmë për të aplikuar në te gjithë vendin identifikimin elektronik të gjedhit si një mundësi për t’i hapur rrugën eksporteve të produkteve tona drejt BE-së.

Ndërkohë që përmes Skemës Kombëtare të Trajnimit në Bujqësi dhe Blegtori kanë përfituar trajnim më shumë se 200 blegtorë për rritjen e aftësive profesionale të tyre dhe këtë vit, pritshmëritë janë që dija të shkojë më pranë fermerëve me krijimin e 12 fermave blegtorale model, të cilat do të ofrojnë mundësi për zhvillimin e praktikave më të mira të mbarështimit.

“Së bashku me IDELE Francez po rindërtojmë qendrën e transferimit të teknologjisë në Korçë për ta kthyer në një qendër ekselence dhe efektiviteti të blegtorisë së imët për të gjithë Shqipërinë dhe po diskutojmë me Bles Diaries, hartimin e një strategjie unike për të gjithë vendit që synon të forcojë zinxhirin e vlerës së qumështit nëpërmjet organizimit të të gjithë aktorëve me njëri-tjetrin”, u shpreh ministrja.

Gjatë këtij forumi dedikuar prodhimit të qumështit në vend dhe sektorit të blegtorisë, e morën fjalën edhe blegtorë dhe sipërmarrës që operojnë në këtë fushë. Ata tregun eksperiencat e tyre në profesionin që kanë zgjedhur të punojnë me pasion dhe dëshirë, ndonëse kanë studiuar në fusha të tjera, duke besuar në biznesin që kanë ngritur dhe po zhvillohet si kërkesë e kohës.

G.MO/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?