Dita Ndërkombatëre e Rinisë, i gjen të rinjtë në Shqipëri, më të varfër, më të dhunuar dhe në gjëndje ekonomike edhe më të mjerë se një vit më parë. Raporti i përvitshëm Kombëtar “Rinia në Shqipëri 2020“, evidenton problemet më madhore dhe sfidat me të cilat janë përballur të rinjtë përgjatë këtij viti.
49% e të rinjve kanë deklaruar se ata ose një familjar i tyre, humbën vendin e punës gjatë pandemisë, 88% e tyre deklaruan se vajzat dhe gratë ishin viktimat kryesore të dhunës, gjatë pandemisë dhe 63 % e tyre konfirmojnë dhunën e shtuar në familje gjatë po të njëjtës periudhë.
Në raport paraqitet realiteti që të rinjtë largohen jashtë vendit për një jetë më të mirë. Gjatë 10 viteve të fundit janë larguar nga Shqipëria mbi 140,000 të rinj e të reja. Papunësia vazhdon të mbetet një ndër sfidat kryesore, thuajse 51% e të rinjve nuk janë në marrëdhënie pune. Rreth 14,4 % e të rinjve me arsim të mesëm dhe 12,3 % me arsim të lartë vuajnë papunësinë.
TABELE
· Shqipëria ka 661,365 të rinj dhe të reja të grupmoshës 15-29 vjeç, të cilët përbëjnë 23,2% të popullsisë.
· 49% e të rinjve deklaruan se ata ose një familjar i tyre, humbën vendin e punës gjatë pandemisë;
· 88% e të rinjve deklaruan se vajzat dhe gratë ishin viktimat kryesore të dhunës, gjatë pandemisë;
· 92% e të rinjve deklaruan se nuk kanë përfituar asnjë lloj ndihme nga Qeveria gjatë mbylljes së detyruar;
· 63 % e të rinjve konfirmojnë dhunën e shtuar në familje gjatë po të njëjtës periudhë.