Kryeparlamentarja Elisa Spiropali, duke folur gjatë aktivitetit sot në Shkodër

Politikë

Dita Ndërkombëtare e të Zhdukurve, Spiropali nga Shkodra: Thirrje për kujtesë dhe ndërgjegjësim, s'është kurrë vonë për të bërë drejtësi!

28 Gusht, 15:14| Përditesimi: 28 Gusht, 15:20

  • Share

Kryetarja Kuvendit Elisa Spiropali, ishte e pranishme në Simpoziumin shkencor “Kufiri i shpresës dhe i vdekjes 1944-1991 – Shkodra përballë të kaluarës”.

Takimi u organizua sot (28 gusht) nga Autoriteti i Dosjeve, në Universitetin “Luigj Gurakuqi” në Shkodër, me rastin e 30 gushtit, Ditës Ndërkombëtare të të Zhdukurve.

Në këtë veprimtari merrnin pjesë ish-të përndjekur nga regjimi komunist dhe familjarë e përfaqësues të tyre, ambasadori i Bashkimit Europian, Silvio Gonzato, Ambasadori i OSBE, Michel Tarran, kryetarja e Autoritetit të Dosjeve, Gentiana Sula, deputetja Greta Bardeli, Rektori i Universitetit “Luigj Gurakuqi”, Prof. Tonin Gjuraj, studiues, përfaqësues të qeverisjes vendore, komuniteteve fetare, shoqërisë civile, etj.

Kujtesa ndriçon të vërtetën dhe ndihmon ndërtimin e një shoqërie të shëndetshme dhe të drejtë. Me datën 30 gusht, bota shënon Ditën Ndërkombëtare të të Zhdukurve, një datë që për vendin tonë nuk është vetëm një moment kalendarik, por një thirrje për kujtesë dhe ndërgjegjësim. Askund tjetër më tepër se në Shkodër nuk mund të kishte kuptim kjo ceremoni”, u shpreh ndër të tjera Spiropali.

Spiropali theksoi se kjo ceremoni homazh është një akt më shumë në favor të kujtesës dhe një apel për të bërë drejtësi.

“Nuk është kurrë vonë për të bërë drejtësi, një domosdoshmëri për ndërgjegjen tonë të përbashkët”, tha ajo.

Sipas saj, “demokracia nuk përmbushet pa ndëshkimin e krimeve dhe pa njohjen e viktimave”.

“Shqipëria nuk mund të ketë një të ardhme të ndriçuar pa reflektuar me ndershmëri mbi të shkuarën e saj. Ky nuk është një borxh vetëm ndaj atyre që nuk janë më, por edhe ndaj brezave që vijnë. E kaluara na përket të gjithëve si histori, si kujtesë dhe si përgjegjësi”, theksoi ajo.

Më poshtë fjala e plotë e kryeparlamentares Elisa Spiropali:

“Të nderuar familjarë të viktimave të regjimit komunist,

E nderuar zonja Sula, Kryetare e Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit,

Të nderuar përfaqësues të lartë të institucioneve fetare dhe vendorë,

Të nderuar ambasadorë,

Të nderuar akademikë, studentë, qytetarë të Shkodrës,

Të ftuar, miq,

Faleminderit për praninë dhe për ftesën për të marrë pjesë në këtë simpozium përkujtimor e reflektues.

Sot, në këtë qytet me një histori të veçantë të dhimbjes, qëndresës dhe dinjitetit, ndalemi për të kujtuar ata që mungojnë — njerëz të zhdukur gjatë një periudhe të errët të historisë sonë, e cila vazhdon të kërkojë qartësi, drejtësi dhe përgjegjësi.

Me datën 30 gusht, bota shënon Ditën Ndërkombëtare të të Zhdukurve, një datë që për vendin tonë nuk është vetëm një moment kalendarik, por një thirrje për kujtesë dhe ndërgjegjësim.

Qyteterimi bashkëkohor kujton ata  shpirtra të pafundem  njerëzish e fatesh të thyera njerëzore në të gjithë botën, për të cilët nuk dihet asgjë.

Askund tjetër më tepër se në Shkodër nuk mund të kishte kuptim kjo ceremoni, në këtë komunitet  të qëndresës antikomuniste, e cili vuajti si asnjë qytet tjetër në Shqipëri, hakmarrjen e regjimit ndaj kundërshtarëve të tij.

Ishte një vuajtje të cilen vatra e Barletit e Bushatlinjeve e Fishtes e perballoi me madheshti, një madheshti tragjike, kujtim i cili ve brezat perballe nje prove morale.

Në mënyrë të veçantë, Shkodra është vendi ku kjo thirrje tingëllon më fort — një qytet që u bë simbol i përndjekjes, por edhe i rezistencës, i vuajtjes, por edhe i identitetit të papërkulur qytetar dhe kulturor.

Në këtë qytet të mrekullueshëm me det e male përreth, me lumenj e liqen, si askund tjetër dhe me një kështjellë mbi krye, janë luajtur me qindra drama njerëzore. Klerikë të arrestuar dhe të pushkatuar me varr të humbur, intelektualë dhe puntorë, të rinj e të reja të vrarë në kufi, janë viktimat që kërkojnë e meritojnë respekt, kujtesë dhe drejtësi.

Kjo ceremoni homazh është së pari një pershpirtje, një refleksion, një ndalesë për të kujtuar njerzit e lirë, kurajon perballe tiranise, nje  akt më shumë në favor të kujtesës, dhe një apel për të bërë drejtësi. Nuk është kurr vonë per të bërë drejtesi një domosdoshmeri për ndergjegjen tonë të perbashket!

Në fakt, akt drejtësie është dhe respekti ynë i thellë, pengu i gjithë shoqërisë për çfarë ka ndodhur dhe bindja se makthe të tilla kombëtare nuk do të përsëriten më kurrë.

Edhe ndaj harreses duhet qendrese po kaq e forte, kjo perpjekje sa etike po aq duhet te jete edhe kulturore, pjese e çdo antologjie historike, shkollore e sociale.

Midis viteve 1944 dhe 1991, mijëra shqiptarë u zhdukën pa gjurmë, u burgosën, u pushkatuan apo u zhytën në errësirën e një sistemi që përjashtoi lirinë dhe individin dhe mbylli qytetarët e vet në një izolim të pashembullt.

Kufiri i Shqipërisë, në vend që të ishte një mundësi lidhjeje, bashkimi e komunikimi ne botën, merrte jetët e shqiptarëve që dëshironin  të jetonin në liri.

Kufiri i Shkodrës, qyteti dhe fshatrat e saj, janë ndër dëshmitë më të rënda të tiranisë komuniste.

Mungesa e të dhënave të plota, fshehja e varreve, mohimi i të drejtës për të ditur, e shtuan tragjedinë dhe e shtrinë atë përtej jetëve të humbura — në një plagë që sot është ende e hapur në ndërgjegjen kombëtare.

Ky simpozium nuk është thjesht një nderim për viktimat, por një akt përballjeje me të shkuarën. Një akt që i takon të gjithë shoqërisë, pa dallime dhe pa qëllime politike apo ideologjike. Pa këtë përballje, pa këtë ndërgjegjësim të përbashkët, nuk mund të ndërtojmë një shoqëri të shëndetshme dhe të drejtë.

Në këtë proces, kultura e kujtesës luan një rol themelor. Kujtesa nuk është vetëm një detyrim moral, por një nevojë shoqërore. Ajo është pjesë e emancipimit tonë dhe e integritetit tonë historik. Të kujtosh do të thotë të kuptosh, dhe të kuptosh do të thotë të mos harrosh — për të mos përsëritur gabimet.

Në këtë kuptim, është detyrë e institucioneve demokratike, përfshirë Kuvendin e Shqipërisë, që të garantojnë mbështetjen për punën e institucioneve si Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit dhe Komisioni për gjetjen e të zhdukurve. Ne kemi detyrimin të forcojmë kuadrin ligjor dhe mbikëqyrës për të mundësuar një qasje më të thellë dhe transparente ndaj së kaluarës.

Kërkimi për drejtësi nuk është hakmarrje, por përpjekje për të rikthyer dinjitetin e mohuar. Asnjë shoqëri nuk mund të ecë përpara në mënyrë të qëndrueshme pa e ndriçuar të shkuarën e saj. Demokracia nuk përmbushet pa ndëshkimin e krimeve dhe pa njohjen e viktimave.

Sot, përballë nesh qëndron ende sfida për të shëruar plagët e hapura — me maturi, me urtësi dhe me përkushtim. Ka nëna që nuk e mësuan kurrë fatin e birit; ka fëmijë që nuk panë kurrë figurën e atit; ka vëllezër e motra që jetuan me mungesën si pjesë të përditshmërisë së tyre. Kjo nuk është vetëm një çështje private e disa familjeve — është një plagë kolektive, që kërkon përgjigje publike.

Në këtë përkujtim, nuk mund të mos përmendim edhe shqiptarët e zhdukur gjatë luftës së Kosovës — një tjetër plagë kombëtare, që ndan me ne të njëjtën dramë njerëzore, të njëjtën heshtje që duhet thyer.

Ndaj, le të bëjmë çmos që kujtesa të mos jetë thjesht një akt simbolik, por pjesë e arsimit, e historisë, e kulturës sonë. Le të mësojmë të flasim për të kaluarën me përgjegjësi, jo për të ndarë, por për të kuptuar. Jo për të manipuluar, por për të ndërtuar. Jo per kredo politike, por per nje politike te moralshme.

Le të kujtojmë sot, në mënyrë të veçantë, fjalët e At Zef Pllumit, i cili shkroi “Rrno për me tregue” jo për të dënuar të tjerët, por për të dhënë dëshmi, për të hapur rrugë drejt së vërtetës dhe drejt ndërtimit të një shoqërie më të drejtë. Është një shembull i rrallë i filozofisë së kujtesës si instrument human, përballë errësirës së mohimit dhe frikës.

Në mbyllje, më lejoni të përsëris: Shqipëria nuk mund të ketë një të ardhme të ndriçuar pa reflektuar me ndershmëri mbi të shkuarën e saj. Ky nuk është një borxh vetëm ndaj atyre që nuk janë më, por edhe ndaj brezave që vijnë. E kaluara na përket të gjithëve — si histori, si kujtesë dhe si përgjegjësi”.

A.Q/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Aksidentet e rënda rrugore, a duhen ashpërsuar dënimet në Kodin Penal?