'Ditari i Ana Frankut' në Teatrin Metropol

'Ditari i Ana Frankut' ngjitet për 16 ditë rresht në Teatrin Metropol

13 Nëntor 2018, 07:37| Përditesimi: 13 Nëntor 2018, 07:45

  • Share

Po aq i gjallë sot sa herën e parë kur është shkruar, ditari i jashtëzakonshëm i Ana Frank është bërë një zë thelbësor i mënyrës se si ne e kujtojmë një nga periudhat më të errëta të historisë njerëzore.

Mbushur me shpirtin plot dritë të autorës, dëshirës së saj të pakufishme për gjithçka të bukur e të mirë, ditari hedh dritë edhe në procesin e rritjes në izolim të një vajze të re, komplekse e pasionante, ndërkohë që ajo bie në dashuri, bëhet një grua dhe lufton të mbijetojë së bashku me familjen e saj në mes të kaosit të luftës dhe përndjekjes etnike.

Këtë të enjte, në datë 15 nëntor Teatri i Metropolit do të ngjisë në skenë pjesën “Ditari i Ana Frank”, përshtatur për skenë nga autorët Frances Goodrich dhe Albert Hackett. Pjesa me regji të Armela Demës sjell në skenë aktorët Vanesa Guri, (në rolin e Anës), Myzafer Zifla, Klea Konomi, Ketjona Pecnikaj, Bruno Shllaku, Marjana Kondi, Roerd Toçe, etj... Regjisorja Armela Demaj tha se “kjo është një shfaqje që nuk duhet humbur dhe gjithshka është menduar deri në detaj, deri tek përzgjedhja e sallës ku do të luhet pjesa që ajo të përcillet sa më mirë tek publiku.”

Në këtë shfaqje luan aktorja Mariana Kondi, e cila njihet për rolet komike gjatë jetës së saj, luan njw rol dramatik. E pyetur për ndryshimin e situatave Aktorja KOndi është shroprehur se e gjen veten më së miri edhe në këtë rol dramatic, duke përcjellë tek publiku emocione pa fund. “Nuk ka një ndarje mes roleve komike dhe atyre dramatike. E prisja prej kohësh këtë rol. Kemi punuar prej gati pesë javësh", është shprehur Kondi.  Datat e shfaqjes së kësja premiere do të vijojnë nga 15, 16, 17, 18, 21, 22, 23, 24, 25, 30 Nëntori dhe më 1, 2, 6, 7, 8, 9 Dhjetor.

Historia e familjes Frank

Më 1940 Gjermania pushtoi Holandën dhe filloi menjëherë zbatimi i ligjeve antihebreje. Babai i Ana Frankut, i frikësuar për familjen e tij me prejardhje hebreje, ra në ujdi me bashkëpunëtorët e biznesit të tij për ta vazhduar punën në një vend të fshehtë, ku edhe do të fshiheshin derisa lufta të përfundonte. Ata shpresonin se lufta do të përfundonte shpejt, por nuk ndodhi ashtu. Iu desh të qëndronin për më shumë se dy vjet radhazi në vendin ku fshiheshin.

Disa muaj përpara se familja Frank të fillonte të fshihej, Anës i dhuruan për ditëlindje një ditar. Ajo e quajti ditarin e saj Kiti dhe shkruante në të gjithçka i ndodhte asaj dhe familjes.

Askush nuk e di saktësisht se si ndodhi që pas dy vjet e gjysmë strehimi, dikush u tregoi nazistëve për vendndodhjen e familjes Frank. Nazistët shkuan në vendin ku gjendeshin Frankët, i morën dhe i dërguan në një kamp përqendrimi.

Miep Gies, mikesha e familjes Frank, e gjeti ditarin e Anës dhe e fshehu në një vend të sigurt, pasi shpresonte që Ana të kthehej pas përfundimit të luftës. Por kjo gjë nuk ndodhi. Nga familja Frank mbijetoi vetëm babai i saj, Otoja. Gruaja e tij u vra në Aushvic. Ana dhe motra e saj më e madhe humbën jetën në kampin e përqendrimit Bergen-Belsen, vetëm disa ditë përpara se kampi të lirohej.

Oto Franku, me sugjerimin e disa miqve të tij, lejoi që ditari i vajzës së tij të botohej. Kështu, Ditari i Ana Frankut u bë një ndër librat më të lexuar në botë dhe u përkthye në dhjetëra gjuhë. Shtëpia, ku ishte fshehur familja Frank në Amsterdam, sot është e hapur për vizitorët. Aty gjendet edhe ditari që shkroi Ana, i cili ka vlerën e një dokumenti unik njerëzor.

Anne Frank filloi të shkruante në ditarin e saj që në moshën trembëdhjetëvjeçare, nga 12 qershori i vitit 1942 deri më 1 gusht 1944. Në të vërtetë, ajo nuk kishte ndonjë mik të afërt me të cilin mund të fliste, ndaj në ditarin e saj i shkruan për të gjitha përjetimet e veta një shoqeje imagjinare, me emrin Kiti. Këto shënime, ku ajo nxirrte dufin e atyre ditëve të zymta dhe të rënda, ishin shkruar vetëm për Anën, deri në pranverën e 1944-ës, kur Bolkenshtajni, atëherë ministër i Arsimit në mërgim, tha në radio se të gjitha dëshmitë e vuajtjeve të popullit holandez gjatë pushtimit gjerman, do të mblidheshin dhe do të botoheshin pas mbarimit të luftës.

I ati, pas luftës dhe zhdukjes së gjithë familjes në kampet e përqendrimit, vendosi ta botonte këtë ditar, që shumë shpejt u bë një nga dëshmitë më të forta dhe rrëqethëse të “Shoah-ut”.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?