Enver Hoxha

Ditari politik i Enverit më 1979: Në kryeqytetin e Iranit, ‘Rojat e Revolucionit’, sulmuan ambasadën amerikane dhe…

5 Korrik 2023, 07:17| Përditesimi: 5 Korrik 2023, 07:18

  • Share

Memorie.al publikon disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë, ku ndodhet dhe fondi personal, i ish-sekretarit të parë të Komitetit Qendror të PPSh-së, prej të cilave kemi shkëputur disa pjesë nga ditari i tij politik që i përket një periudhe kohore që nga fillimi i janarit të vitit 1979, e deri në shkurtin e 1982-it, ku në fokus të shënimeve të tij, janë ngjarjet e zhvilluara në Iran, ku forcat kryengritëse islamike të udhëhequra e të frymëzuara nga Ajatollah Kohmeini që arritën të rrëzonin nga froni Shahun Reza Phalevi, i cili duke pasur mbështetjen e plotë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, u detyrua që të largohej me avion nga vendi, duke mbërritur fillimisht në Kajro, ku u prit si mik personal nga Presidenti Janvar Sadat e gjithashtu, edhe ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Zhehrar Ford, (që ndodhej ato ditë për vizitë në Egjypt), për t’u larguar më pas drejt SHBA-ës.

Pas rrëzimit dhe kargimit nga vëndi të Shahut Reza Palehvi, në fund të janarit të vitit 1979, në Tehran mbërriti Ajatollah Kohmeini, udhëheqësi shpirtëror fetar i iranianëve shiit, që thuhej se drejtonte revolucionin për rrëzimin e dinastisë së Palehëveve, që nga Parisi, ku qëndronte prej vitesh. Si i ka përshkruar të gjitha ato ngjarje, në ditarin e tij politik, udhëheqësi i Shqipërisë komuniste, diktatori Enver Hoxha, i cili midis të tjerash shprehet:  “Shahu, për t’u mbrojtur nga populli, kishte blerë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një sasi të madhe armatimesh nga më modernet që kanë shitur këto jashtë, kishte krijuar një ushtri prej qindra mijë vetash, me të gjitha llojet e armëve, me avionë, me tanke, me mitraloza, me raketa nga më modernet, kishte ndërtuar shumë aerodrome. Të gjitha këto, bëheshin për të mbrojtur pasuritë e amerikanëve në Iran dhe pasuritë e shahut, si dhe për ta mbajtur popullin në mjerim. Natyrisht, një gjendje e tillë, nuk mund të vazhdonte tërë jetën, megjithëse ndihma materiale ushtarake e politike Shahut, i vinin nga të katër anët e botës. Përveç të tjerëve, edhe perandoria e re kineze, i hodhi trëndafila Shahut. Vetë Hua Kuo Feni, shkoi në Iran dhe me përzemërsinë më të madhe, bisedoi për një: “miqësi madhe e të shëndoshë”, me Shahun e Persisë dhe i uroi jetë të gjatë këtij furnizuesi të fuqishëm me naftë, të miqve të mëdhenj të Kinës, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe kapitalizmit botëror”.

Revolucionin, pra, e bëri populli iranian, gra dhe burra, pleq e të rinj. Në radhët e para të këtij revolucioni kishte nga klasa punëtore iraniane, ishin punëtorët e naftës dhe të të gjitha degëve të tjera të ekonomisë. Populli u ngrit në demonstrata të përgjakshme, marshoi përpara, edhe pse Shahu, që mendonte se do ta trembte, qëlloi mbi të dhe vrau me qindra e me mijëra veta. Natyrisht, Imam Khomeini e përdori këtë situatë objektive dhe me njerëzit e vet, me atë grupimin e konsiderueshëm, mund të themi, të besimtarëve shiitë, ashtu siç e propagandoi e gjithë bota, mundi të luante një rol në dukje shumë të rëndësishëm. Por duhet thënë se në këtë kryengritje popullore shikoje kryesisht të rinj e të reja, burra dhe gra, që ngrinin grushtet përpjetë e që vriteshin nëpër rrugë. Këta dikush i udhëhiqte. Agjencitë perëndimore të lajmeve i bënë shumë bujë Ajatollah Khomeinit dhe grupit të tij shiit, sikur ky ishte frymëzuesi.

Por, unë mendoj se, pa ekskluduar influencën e sektit shiit dhe të besimit fetar, ky revolucion antiimperialist i popullit iranian kishte karakter klasor, ishte në themel një revolucion shoqëror dhe jo me karakter fetar. Prandaj nga ana jonë nuk mund të konsiderohet si një revolucion islamik. E quajnë revolucion islamik për shumë arsye, por kryesorja është që t’u fshehin masave të gjera të popullit një të vërtetë të madhe: se vetëm me revolucion klasor rrëzohen klasat shfrytëzuese të brendshme të lidhura ngushtë me imperialistët e huaj. Ja përse përpiqen t’i paraqesin këto lloj kryengritjesh, sikur gjoja udhëhiqen nga feja. Pra edhe një here shohim se feja përdoret kurdoherë si një element moderues dhe frenues për hapa revolucionarë, një element idealist.

Përveç kësaj, bota perëndimore, bota kapitaliste përpiqet t’i japë ngjyrën e një lufte joklasore, por fetare revolucionit të popullit iranian, për të krijuar idenë e rreme se ja, bota islame po ngrihet kundër botës kristiane. Pra, kërkon t’i kthejë momentet revolucionare që ekzistojnë aktualisht e që kërkojnë zgjidhje, momentet e revolucioneve proletare, siç i quan Engelsi, në luftëra fetare mesjetare, si ato në mes katolikëve, nga njëra anë, dhe protestantëve, nga ana tjetër, me një fjalë kërkon të kthejë kohën e kryqëzatave.

Kryqëzatat, sipas tyre, po përsëriten në Lindjen e Mesme, gjoja kush të mbajë Jerusalemin, kush të ketë aleancë me Sirinë, kush ta ketë mirë me Libanin, me të krishterët apo me myslimanët e Libanit, e të tjera historira të tilla. Është e vërtetë se bota arabe, në përgjithësi, beson në fenë myslimane, por në këtë botë arabe ekziston edhe ndjenja e urrejtjes kundër shfrytëzuesve të brendshëm dhe kundër imperialistëve të jashtëm, të cilët, për të sunduar, intrigojnë nga të katër anët, vënë një popull kundër tjetrit dhe, kur e shikojnë se po e humbasin davan, siç po ngjet aktualisht në Iran, luftërave nacionalçlirimtare, antifeudale dhe anti-imperialiste përpiqen t’u japin ngjyrën e një lufte fetare, islamike, antishkencore.

Këtë e bëjnë pikërisht në momentin kur kapitalizmi botëror kalon një krizë të madhe dhe kur nuk gjen dot rrugëzgjidhje. Por të gjitha këto revolucione sociale anti-imperialiste janë rezultat i urrejtjes së popullit kundër atyre që i thithin gjakun. Këto shkaktojnë pakënaqësi, greva të mëdha edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Angli, në Francë, në Itali, në Bashkimin Sovjetik e gjetkë. Imperialistët, me ngjyrat që duan t’u japin lëvizjeve të tilla si ajo në Iran, kanë për qëllim t’u thonë grevistëve në vendet e tyre: Ja me çfarë njerëzish kemi të bëjmë, me injorantë, me njerëz që kërkojnë ta kthejnë botën në mesjetë, kërkojnë të kthejnë luftërat fetare, prandaj ne jemi të shtrënguar të mbyllim fabrikat, të hedhim punëtorët në rrugë, të ngremë çmimet, të ulim rrogat, për arsye se nuk -buron» më nafta. Pra, fajin s’e kemi ne, kapitalistët, por e kanë popujt myslimanë, popujt arabë.

Këtu ka një qëllim djallëzor, që ne duhet ta demaskojmë. Luftërat për çlirim kombëtar e shoqëror, qoftë në Lindjen e Mesme, qoftë në Afrikë apo kudo gjetkë, janë luftëra me karakter nacionalçlirimtar e anti-imperialist. Megjithëse në këto luftëra, për njërën apo për tjetrën arsye, proletariati nuk është në krye të masave të popullit dhe nuk ka partinë e vet, në situatat revolucionare që do të krijohen, elementi përparimtar, i cili ka bërë aleancë me fshatarësinë e mjeruar që kërkon tokë, do të krijojë kushtet që edhe proletariati luftarak të hidhet në luftë, të dalë partia e vërtetë e proletariatit, udhëheqja e vërtetë e shtetit, ushtria e vërtetë popullore që do t’i shërbejë popullit e jo borgjezisë së re teokratike, këtë herë gjoja e veshur me forma demokratike. Për sa i përket Iranit, është fakt se proletariati, punëtorët e naftës që morën pjesë në kryengritjen popullore, fituan. U fol shumë për Ajatollah Khomeinin, i cili u kthye në Iran. Baftjari bëri shumë fjalë, por më në fund, u arratis bashkë me gjeneralët e tij. Shumë gjeneralë që mbetën në Iran u ekzekutuan.

Ajatollah Khomeini, që nuk e ndien veten të sigurt, i bën thirrje popullit të qetësohet, por ai nuk qetësohet, vazhdon të jetë në lëvizje dhe përgjigjet: Nuk i hedhim armët! Këto gjëra i shohim në azhanset e lajmeve. Nga turbullirat që mund të nxiten në Iran kundër rendit që u vendos, do të përpiqen të përfitojnë imperializmi amerikan e ai anglez, social-imperializmi sovjetik e të gjithë me radhë. Gjithçka në këtë drejtim varet shumë nga vigjilenca, nga zotësia dhe nga konsekuenca e njerëzve përparimtarë iranianë që iu futën revolucionit. Ata duhet ta vazhdojnë atë, duke kaluar nga një etapë në tjetrën e duke zgjidhur në çdo etapë probleme me rëndësi, me reforma rrënjësore e jo të sipërfaqshme, jo të rreme, jo vetëm për lustër, sepse të gjithë do të përpiqen ta qetësojnë këtë situatë. Ne shohim se vetë Karteri, në intervistat e tij të fundit tregohet jashtëzakonisht i trembur dhe i lëkundur, i vranë ambasadorin në Afganistan e s’flet hiç.

“Rojat e Revolucionit” në kryeqytetin e Iranit sulmuan ambasadën amerikane, u futën në të dhe zunë rob titullarin, 60 nëpunës dhe 19 roja marinsa, të cilët ngritën duart lart. Aty u kapën shumë dokumente, të cilat më vonë do t’i shërbejnë popullit iranian. U desh të ndërhynte kryeministri i ri provizor i Iranit, Bazargani, që t’i shpëtonte robërit. Duhet thënë, gjithashtu, se ekziston rreziku i një ndërhyrjeje. Bile, në fakt, ajo ka filluar me kohë nga ana e social-imperialistëve sovjetikë, të cilët duan të krijojnë zonat e tyre të influencës në Lindjen e Mesme, sidomos në Iran ku ekziston një numër i madh azerbajxhanasish (gjysma e azerbajxhanasve jeton në Bashkimin Sovjetik e gjysma në Iran). Atje ekzistojnë kurdët, të cilët në këto momente janë në lëvizje jo vetëm në Iran, por edhe në Turqi. Mirëpo kurdë ka edhe në Bashkimin Sovjetik.

Në këto situata social-imperialistët sovjetikë po veprojnë edhe nëpërmjet KGB-së. Çështja e Iranit i ka vënë Shtetet e Bashkuara të Amerikës në situate jashtëzakonisht të vështira edhe në Gjirin Persik, si në Kuvajt ku 35 për qind e popullsisë është palestineze, në Arabinë Saudite ku mund të kërkohet shtetëzimi i shoqërisë arabo-amerikane të naftës, ARAMCO. Me dëbimin e Shahut nga Irani, që ishte bërë xhandari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Lindjen e Mesme dhe në Gjirin Persik, Izraelit iu pre burimi kryesor i naftës. Kështu rreziqet janë të mëdha. Prandaj, ne duhet t’i ndjekim me vigjilencë të madhe dhe me kujdes të posaçëm këto çështje për të parë si dhe në favor të kujt do të zgjidhen ato. Për ata që duan të na dëgjojnë, ne duhet t’i shpjegojmë qartë gjërat, hapur, ashtu siç janë, pa prekur ndjenjat fetare në këtë lëvizje të madhe revolucionare klasore të popujve arabë. Në të njëjtën kohë, në një mënyrë ose në një tjetër, duhet të themi se nuk është fjala për një luftë islamike, siç thonë Karteri e të tjerë, por është një luftë, një revolucion i të varfërve kundër të pasurve.

Shtypi, radiot dhe televizioni botëror, flasin sot me të madhe rreth dy ngjarjeve që kanë prekur rëndë autoritetin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Nga Teherani njoftohet se një grup “kryengritësish” iranianë, sulmuan dje ambasadën amerikane dhe, pas një lufte të ashpër e trup me trup me rojat ushtarake të saj (trupa të zgjedhura të Fanterisë së Marinës Amerikane), e pushtuan atë. Kapën rob rojat, personelin e ambasadës, mbi 70 veta me ambasadorin në krye, të cilët i futën pastaj në bodrumet e ambasadës.

U desh ndërhyrja e qeverisë iraniane, që iranianët e zemëruar, të largoheshin nga ambasada. Agjencitë e lajmeve, njoftuan në të njëjtën kohë se edhe në Kabul, kryeqytet i Afganistanit, disa njerëz “të panjohur” goditën dhe vranë ambasadorin amerikan, në këtë vend. Kazani po zien. Popujt që janë hedhur në luftën nacionalçlirimt,are, po “përshëndetin” armikun e tyre më të egër, imperializmin amerikan.

E SHTUNE 17 SHKURT 1979

SHËNIM

Sot, pasi i bëra edhe disa vërejtje e përforcime, i dhashë fund definitivisht artikullit në lidhje me Iranin, tezat e të cilit i kisha shkruar më përpara. Nesër, të dielën, ai do të botohet në “Zërin e popullit”.

E MËRKURE 21 SHKURT 1979

NGJARJET NE LINDJEN E MESME NUK ZHVILLOHEN NE FAVOR TE IMPERIALIZMIT

Ngjarjet në pellgun e Lindjes së Mesme e në Iran, natyrisht, nuk po zhvillohen në favor të Shteteve të Bashkuara dhe as të imperializmit botëror. Në këtë situatë, në rast të një konflikti. Bashkimi Sovjetik, që është në kufi me Iranin, qëndron i gatshëm për ta mbuluar Iranin shpejt. Por aktualisht, ai vepron në mënyrë subversive, nëpërmjet forcave të mëdha të partisë “Tudeh”, të azerbajxhanasve dhe të kurdëve, sido që Mullah Barzani, tash nuk ndodhet më në Irak, por në Shtetet e Bashkuara.

Qenia e tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, na lë të kuptojmë se këto, gjithashtu, kanë vënë në lëvizje faktorin kurd brenda në Iran, si kundërpeshë e subversionit sovjetik nëpërmjet Azerbajxhanit. Në Lindjen e Mesme, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë dërguar Braunin, sekretarin e Departamentit të Mbrojtjes, i cili po bredh shtet më shtet për të rregulluar diçka dhe kjo diçka është një rezistencë efikase e qarqeve borgjeze sunduese kundër kryengritjeve popullore që mund të ndodhin në vendet e Lindjes së Mesme, siç ngjau në Iran, ose për të marrë angazhime nga Emiratet dhe vendet e tjera arabe, për t’i rezistuar eventualisht një kërcënimi sovjetik.

Po ashtu shohim që Karteri ka thirrur përsëri në Uashington Moshe Dajanin dhe kryeministrin egjiptian, për të vazhduar në Kemp Dejvid bisedimet mbi nënshkrimin e marrëveshjes së paqes. Aktualisht Izraeli është në rrezik. Ajatollah Khomeini ka deklaruar haptazi se do të mbrojë palestinezët në luftën e tyre kundër Izraelit. Ai mbylli ambasadën izraelite në Teheran dhe i dëboi diplomatët izraelitë, nga Irani. Izraelit iu pre nafta që merrte nga shahu i Iranit, tash i duhet ta marrë atë gjetkë.

Në këto kushte Shtetet e Bashkuara të Amerikës, po e detyrojnë Izraelin që të përfundojë një marrëveshje me Egjiptin, me fjalë të tjera të mos hedhë më vickla, por të pranojë kushtet që ka vënë Karteri për një marrëveshje të tillë. Duke parë këtë situatë kaq të rrezikshme në Iran, në Gjirin Persik dhe në të gjithë Lindjen e Mesme, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vënë në lëvizje agjenturën e CIA-s. Ato e shohin se rreziku sovjetik mund t’u vijë edhe nga Irani, edhe nga Iraku, mund t’u vijë edhe nga Siria, po ashtu edhe nga Jemeni i Jugut që kapërcen shkretëtirën e Khailit dhe del në Oman e bashkohet me ndonjë grusht shteti palestinez në Kuvajt.

Po të ndodhë kjo, Shtetet e Bashkuara të Amerikës e humbasin të gjithë pozicionin strategjiko-ekonomik të naftës në Lindjen e Mesme dhe në Iran. Sot dëgjova se Ajatollah Khomeini, i ka ndaluar demonstratat me tendencë marksiste-leniniste, në universitetet e vendit. Këtej kuptohet se atje, aktualisht, janë vënë në lëvizje forcat e majta, sigurisht partia “Tudeh”, por edhe forca marksiste-leniniste. Ka mundësi që edhe Partia Komuniste e Punëtorëve dhe e Fshatarëve iranianë, që njihet edhe me emrin “Tufan”, ose ndonjë parti tjetër që nuk dimë se ç’është, të ketë njerëzit e vet në ngjarjet e kohëve të fundit.

Sidoqoftë atje po ngrihen në lëvizje grupe që mbështetin një situatë akoma më revolucionare dhe jo frymën islamike që kërkon t’i japë reaksioni botëror revolucionit në Iran. Do të shohim se si do të zhvillohet gjendja në Iran, por tash ajo nuk është e qetë dhe, natyrisht, do të ketë zhvillime. Ne bëmë një artikull për ngjarjet që kanë ndodhur në këtë vend, por konstatojmë se agjencitë e lajmeve, që kurdoherë janë treguar të gatshme, duke njoftuar për artikujt tanë, këtë herë për artikullin tonë mbi gjendjen në Iran dhe mbi të ardhmen e revolucionit në këtë vend, nuk po bëjnë fjalë, i kanë vënë kapakun, se nuk u intereson.

E ENJTE 8 MARS 1979

PËR GJENDJEN NE IRAN

Sipas informatave që na vijnë dhe njoftimeve të agjencive të lajmeve, të cilat i ndjek vazhdimisht, duket qartë se revolucioni iranian, pavarësisht nga parullat islamike që përdoren e se gjoja në të mbizotëron fryma fetare, është një revolucion popullor antifeudal e antiimperialist. Khomeini, që del si udhëheqësi kryesor i kryengritjes, duket është kryetar i partisë islamike, e cila duhet të jetë partia më e madhe në vend. Këtë gjë e konstatuam që kur filluan demonstratat kundër regjimit të Shahut, me fjalë të tjera që kur filloi kryengritja.

Edhe në televizion e nëpër gazeta shikonim e lexonim që Khomeini paraqitej si udhëheqësi shpirtëror i masave në revoltat kundër Shahut. Tash po del se Khomeini bashkëpunon edhe me partitë e tjera demokratike, që kanë pasur si qëllim përmbysjen e monarkisë feudale e të qeverisë së saj dhe është për vendosjen e demokracisë.

Del se Khomeini është edhe kundër ndërhyrjes së huaj. Në revolucionin iranian, nga sa u duk e siç thonë edhe agjencitë e ndryshme të lajmeve, rolin kryesor e kanë luajtur partia islamike, partia e muxhahidinëve dhe partia -,që mund të jetë e mund edhe të mos jetë e vërtetë. Por ka mundësi që maoistët, në bashkëpunim me Shahun, të kenë krijuar një fraksion të tillë, i cili, sa kohë që shahu ishte në fuqi, qëndronte në përkrahje e në mbrojtje të tij, kurse tash që ai ra, mund të ketë dalë më vete. Fidainjtë dukët janë komandot e partisë së muxhahidinëve, disa nga të cilët janë stërvitur në kampet e huaja. Duke parë influencën që ka kjo parti në popull dhe forcën e saj, Khomeini bashkëpunon me të dhe ai vetë dha urdhër të liroheshin nga burgu mijëra luftëtarë të burgosur nga regjimi i Shahut. Partia “Tudeh” që quhet parti komuniste, është e lidhur me Bashkimin Sovjetik. Kjo zë vendin e tretë në mes partive të tjera. Pas përfundimit të kryengritjes, të dyja këto parti nuk pranuan t’i dorëzonin armët, por Khomeini i kërcënoi se do t’i shtypte me anën e forcës dhe, me sa duket, ato u detyruan të përkrahin politikën e tij.

Thuhet se ambasadori sovjetik në Iran, i kërkoi qeverisë iraniane t’i jepte liri të plotë kësaj partie, partisë “Tudeh”, po atij iu bë e qartë se ajo duhet të veprojë njëlloj si të gjitha partitë e tjera. Tashti kjo parti kërkon që, me rastin e zgjedhjeve të reja, të ketë dhe ajo dy përfaqësues të saj në qeveri. Duke ndjekur me vëmendje njoftimet dhe lajmet e agjencive të huaja mbi ngjarjet në Iran, mund të arrijmë në konkluzionin që revolucioni lranian synon t’u japë liri demokratike masave dhe do që t’i japë fund ndërhyrjes së huaj në Iran.

Megjithatë, se sa do të realizohet një gjë e tillë, do ta shohim nga zhvillimi i ngjarjeve të ardhshme. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Anglia, shtetet kapitaliste e vendet me regjime reaksionare të Lindjes së Mesme janë shumë të shqetësuara nga gjendja në Iran. Shtetet e Bashkuara u detyruan ta njohin regjimin e ri të Iranit, por ato, me agjentët e tyre, po përpiqen të organizojnë komplote, të frenojnë hovin revolucionar të popullit iranian;• ta frikësojnë atë e ta ndalin në rrugën që ai po ndjek. Edhe regjimi reaksionar i Arabisë Saudite është shumë i shqetësuar nga .gjendja në Iran, mbasi e njëjta shtypje dhe shfrytëzim feudal si në Iran ekziston edhe në këtë vend.

Me siguri në mos sot, nesër i njëjti fat e pret edhe regjimin reaksionar të këtij vendi. Flitet se pas referendumit për shpalljen e republikës e disa masave të tjera, Khomeini do të kërkojë edhe largimin e bazave amerikane nga Irani. Flitet se amerikanët duan që këto baza t’i transferojnë në ishullin Kreta të Greqisë. Edhe këtë do ta shikojmë sa do të realizohet. Një gjë është e sigurt: Sot Karteri vete në Egjipt dhe prej këtej do të shkojë në Izrael. Vajtja e tij në këto dy vende, ka lidhje me nënshkrimin e marrëveshjes së “paqes” në mes Egjiptit dhe Izraelit. Me fjalë të tjera, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ua kanë vënë këmbët në një këpucë të dy këtyre satelitëve. Me Shtetet e Bashkuara këto dy vende, mund të kenë edhe marrëveshje të tjera sekrete dhe jo vetëm për marrje armësh. Sekretari i Departamentit Amerikan të Mbrojtjes, Braun, që ka qenë me javë të tëra në këtë rajon, tok edhe me krerët e Arabisë Saudite, mund të ketë kurdisur ndonjë marrëveshje të fshehtë. Pra, me disa vende të kësaj zone, ka mundësi të krijohet një bllok xhandarësh kundër Sirisë, Irakut e Iranit, të cilët shprehen kundër Sadatit e Izraelit.

Siria dhe Iraku kanë edhe mbështetjen dhe përkrahjen e sovjetikëve, nga të cilët blejnë edhe armë. Khomeini deri tash, thotë se Bashkimi Sovjetik nuk duhet të ndërhyjë në punët e brendshme të Iranit, por qëndrimi i tij, është akoma i papërcaktuar. Ta shohim se çfarë qëndrimi do të mbajë më vonë. Sidoqoftë në pellgun e naftës në Lindjen e Mesme, nuk ekziston më ajo statukuo aq shumë e dëshiruar nga amerikanët. Këtë statukuo e prishi rrëzimi i shahut Muhamed Pahlevi dhe i monarkisë së Pahlevëve, që ishte xhandarja e imperializmit amerikan në gjithë këtë zonë. Sipas lajmeve që kemi nga ambasadat, artikulli që bëmë për Iranin e që u botua në gazetën “Zëri i popullit” në datën 18 shkurt, ka jehonë në vendet arabe e aprovohet plotësisht. Nuk dimë në ka mundur të depërtojë edhe deri në Iran.

E HËNË 2 PRILL 1979

IRANI U SHPALL REPUBLIKE

Dje në Teheran, u shpallën rezultatet e referendumit kombëtar për kalimin e vendit nga Monarkia në Republikë. 95 për qind e Votuesve, votuan për shpalljen e Republikës Islamike të Iranit. Me këtë rast, Ajatollah Khomeini mbajti një fjalim, gjatë të cilit theksoi se referendumi kombëtar dhe votimi për shpalljen e republikës, i dhanë fund sundimit monarkik në Iran. Kjo është një fitore tjetër e madhe e luftës së popullit iranian për çlirim shoqëror dhe për shkëputje nga influenca e imperialistëve. Ngjarjet atje po ecin përpara dhe në rrugë pozitive. Memorie.al

G.MO/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?