TIRANË- Nëse keni menduar se këto ditë të para të janarit kanë qenë të ftohta, atëherë nuk kemi parë asgjë akoma! 10 ditëshi i dytë i janarit pritet të jetë edhe më i ftohtë me temperatura që do të shkojnë deri në -13 gradë celsius në zonat malore. Meteorologia e Metoalb, Lajda Porja në një lidhje të drejtpërdrejtë në “Sot Live në Shqipëri” me gazetarin Andi Kapxhiu, ka bërë me dije se nga e mërkura pritet të ulen temperaturat dhe kulmi do të arrijë të enjten dhe të premten.
“Duke filluar që nga nesër do kemi depërtimin e të ftohtit, mëngjesi i të mërkurës do të jetë i acartë, termometri do të zbresë shumë, do të qëndrojë për 6-7 ditë, i ftohtë, i kthjellët, do ketë reshje të pakta dhe të izoluara në verilindje dhe juglindje. Më problematike ngricat. I ftohti kulmon të enjten dhe të premte, ku termomenti shkon deri në -9. Edhe zonat në juglindje do të jetë shumë ftohtë, nuk do ketë borë, do jetë shumë e thatë, me flokë dëbore të papërfillshme. Një ditë tipike nordike, termometri do të shkojë në fundjave deri në -13 në Bulqizë apo në zona të tjera në vendit”, tha Porja për Report Tv.
Ky mot i ftohtë nuk ishte parë në vendin tonë prej vitesh, ka sqaruar Porja.
"Janari ka qenë dhe pritet të jetë dinamik, 10 ditëshi i parë, ngrohtë, i dytë me mot të acartë ndërsa 10 ditëshi i fundit do të ketë edhe prezencë reshjeje, dhjetori dhe janari ngjajnë me dimrat e viteve ’90 që kishin vite që s’i kishim parë”, u shpreh meteorologia.
Megjithatë, përtej motit të ftohtë, në Tiranë, të paktën për këtë javë nuk pritet që të ketë reshje dëbore.
B.K.//ReportTv.al“S’ka sinjale për reshje dëborë, edhe Tirana mund të shkojë -2 gradë, por këtë javë nuk parashikohen reshje”, përfundoi Porja në studion e “Sot Live në Shqipëri”.