Gjergj Vlashi

Ditë zie për artin shqiptar, ndahet nga jeta shkrimtari dhe regjisori i njohur nga Durrësi

4 Tetor 2020, 15:19| Përditesimi: 4 Tetor 2020, 16:18

  • Share

Është ndarë nga jeta në moshën 92 vjeçare Gjergj Vlashi.  Ai ishte një ndër intelektualët më të shquar të qytetit të Durrësit, si shkrimtar, përkthyes dhe artist. Ai u lind në Durrës më 13 korrik 1928.

Shkollën fillore dhe të mesme e kreu në qytetin e lindjes. Që në vitet e para të pas luftës u mor me teatrin amator dhe debutoi në disa shfaqje si “Nën gështenjat e Pragës’, “Prefekti”, “Çani hoxhë”, etj.

Pas shërbimit ushtarak punoi si regjisor ne klubin e portit detar dhe në vitin 1957 u emërua regjisor në shtëpinë e kulturës. Më 5 maj të vitit 1960 u krijua trupa e estradës profesioniste dhe u caktua regjisor, detyrë që e mbajti deri në vitin 1990, kur doli në pension.

Ndërkohë ka punuar me shumë trupa të tjera, duke vënë shfaqje në Tiranë, Shkodër, Korçë, Lushnje, Pogradec, me Estradën e Ushtarit, etj. Ka punuar për disa vite si pedagog i jashtëm në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë. Ka marrë pjesë me trupën e Durrësit në shumë festivale, duke fituar disa çmime të para.

Gjithashtu është autor i librit “Si vihet në skenë një shfaqje estradë” dhe i shumë artikujve e studimeve për estradën dhe teatrin. Krahas punës si regjisor ka zhvilluar një veprimtari të dendur letrare, si shkrimtar dhe përkthyes. Për shumë vite Gjergj Vlashi ka qenë regjisor i estradës profesioniste të qytetit të Durrësit deri kur doli në pension në vitin 1990.

Me të lidhet një pjesë e historisë  e artit durrsak pas çlirimit të vendit. Me dhjetëra shfaqje të trupës së estradës së Durrësit mbajnë vulën e tij. Aktorë si Ramazan Njala, Enver Likmeta, Fadil Hasa, Spiro Strati, Aishe Stari, Lumturi Dashi etj rritën performancën e tyre artistike nën drejtimin e regjisorit Vlashi.

Njohës i disa gjuhëve të huaja, Gjergj Vlashi solli në shqip Franc Kafkën me veprat "Metamorfoza" dhe "Proçesi", si dhe shkroi tregime, novela e romane.

Gjergj Vlashi mban titujt "Qytetar Nderi" i Durrësit,"Mjeshtër i Madh" dhe "Nderi i Kombit".

Komento

Komente

  • sifi: 04/10/2020 15:24

    Gjergj Vlashi dhe Vangjel Toci emblema te kultures dhe qytetarise durrsake .I paharruar qofte kujtimi per Gjergj Vlashin .

    Përgjigju
    • Shpetim Kodra: 07/10/2020 19:25

      Gjergj Vlashi-emblema e kultures dhe artit ne Durres. Qytetar model qe la gjurme te ndritur me virtytet e imazhin e tij fisnik.Me e forte se vdekja do te mbetet kujtimi per te. Krijues polivalent, poliedrik.Erudit i rralle e modest Poliglot e perkthyes i palodhur ne disa gjuhe. Themelues i estrades me mbi 120 shfaqje.Prozator i shquar ne tregime, novela,romane. Kontribuoi ne tri opereta,ne drame e teater kukullash.Veprimtar i perhershem ne Degen e Lidhjes se Shkrimtareve,ne shoqaten "Durresi" e ne Keshillin e intelektualeve. I pranishem kurdohere ne tubimet letrare,artistike,me keshillat e sentencat e tij lakonike.Simbol i korrekteses.Vdekja nuk eshte fundi i jetes,por fillimi i perjetesise per njerez te rralle si ai.

  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?