Kultura

Ditëlindja e 86-të e Bujar Zajmit, ekspozohen vepra të reja! E bija e piktorit: Punoi gjatë diktaturës, “rrëfeu” pas ’90-ës

8 Korrik, 11:58| Përditesimi: 8 Korrik, 14:29

  • Share

Do të ishte ditëlindja e tij e 86-të, por edhe pse gati tre vjet i larguar nga jeta, Bujar Zajmi ishte i pranishëm mes miqve të tij, përmes zërit, pikturave që krijoi dhe muzikës klasike që aq shumë e deshi. Miq dhe familjarë e kanë përkujtuar artistin në një mbrëmje të veçantë, ku kanë ndarë kujtime dhe ku kanë mundur të shijojnë një ekspozitë me vepra të paekspozuara më parë të tij, si dhe me vepra të artistëve të tjerë të frymëzuara nga krijimtaria e Zajmit. Tre vjet më parë, ekspozita e fundit në të gjallë të artistit ka qenë ajo e quajtur “Bzaj me diellin”.

“Ekspozita përmban një koleksion me 50 punë. Quhet koleksioni “Bzaj 2024”. Janë punë të pa ekspozuara se krijimtaria e tij ishte e pa ekspozuar. Ai ka punuar gjatë gjithë periudhës së diktaturës, por veprën e tij e ka shfaqur pas viteve ’90-të, aq sa kolegët e tij shumë të çuditur. Babi ka një koleksion shumë të pasur dhe të larmishëm me një variacion koncepti, temash, eksperimenti.”, - thotë për "Report TV" Anila Zajmi, e bija e piktorit.

Tematika kryesore në veprat e Bujar Zajmit janë ajo e jetës apo njeriut, siç e quan ai dhe tema e atdhedashurisë, duke u mbështetur kryesisht te folklori, etnografia shqiptare, të cilën e ka interpretuar në formë estetike e simbolike me gjuhë shumë të veçantë. 

“Babi përveç të tjerave ka qenë një njeri me humor, të cilin e ka transmetuar edhe interpretuar dhe në veprat e tij, tët gjithë veprat përshkohen nga një sens humori interesant, por dhe filozofik. Babi kur ishte para një pikture thoshte: kur hapet goja, mbaroi piktura.”

Përveç trashëgimisë së madhe në pikturë, Bujar Zajmi ka lënë edhe shumë shkrime në formën e eseve, të cilat, sipas së bijës janë një thesar tjetër që pritet të bëhet publik. Një tjetër pasion i artistit ishte edhe muzika klasike, e veçanërisht muzika e Bach-ut dhe Beethoven-it, që ishte gjithmonë e pranishme në studion e tij.

 

B.G/r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    I kishin mbetur edhe 3 muaj burg, si e vlerësoni lirimin e Salianjit?