Ditët e ‘errëta’ për valutat, janë kthyer në ‘bekim’ për borxhin publik të huaj, që është marrë kryesisht në euro dhe në dollarë. Zhvlerësimi i valutave përkundrejt monedhës kombëtare, po kontribuon pozitivisht në reduktimin e borxhit të huaj.
Pas një rritje në tremujorin e parë të vitit, shifrat e bankës qendrore tregojnë se borxhi i jashtëm u ul në 10.1 miliardë euro në tremujorin e dytë të vitit. Krahasuar me janar-mars, rezulton se borxhi është ulur me 181 milionë euro, në periudhën prill-qershor, ndërsa në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar stoku i borxhit të huaj është ulur me 94 milionë euro.
Fakti që zhvlerësimi i valutave po ndikon pozitivisht në bilancin e borxhit u pranua edhe nga vetë Ministri i Financave Petrit Malaj, i cili sqaroi se nga 15% që është ulur borxhi publik për periudhën 2021-2023, 5.4% ka ardhur vetëm për shkak të zhvlerësimit të euros e dollarit.
Duke qenë se afro 45% e borxhit publik të vendit është në valutë, me 70% të tij në euro, zhvlerësimi i kursit ka pasur efekt pozitiv, pasi këstet e kthimit të tij janë edhe më të lira se në vitin e kaluar, apo shumë më të lira se në vitet 2021 e 2022.
Monedha evropiane është zhvlerësuar me afro 24% krahasuar me vitin 2021, kohë kur 1 euro kushtonte 123-124 lekë. Në raport me vitin 2022 zhvlerësimi është nga 15-20%, për shkak të luhatjeve të shumta që pësoi kursi pas nisjes së luftës në Ukrainë ku euro arriti të këmbehej deri 127 lekë. Kurse krahasuar me vjet, një euro është zhvlerësuar me 3-4%, pasi aktualisht monedha evropiane po këmbehet me 99.6 lekë, nga 103 lekë që ishte vjet.