“Ditët e kujtesës” / Ekspozita “Totalitarizmi në Europë” në Tiranë, të rinjtë indiferentë!

13 Shkurt 2020, 15:55| Përditesimi: 13 Shkurt 2020, 17:36

  • Share

“Nëse e shkuara harrohet, mundësia për ta përsëritur atë është e madhe”.  Në kuadër të Ditëve të Kujtesës” në këtë edicion të pestë të organizuar nga Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë (IDMC) është çelur në sheshin “Skënderbej” ekspozita  “Totalitarizmi në Europë”. Të dhëna mbi komunizmin, nazizmin dhe fashizmin, të ilustruara edhe me fotografi përcjellin krimet e kryera gjatë regjimeve totalitare në më shumë se 7 dekada. Ndërsa, vizitorët më të interesuar që ndalin për ta parë ekspozitën janë të moshuarit, të cilët ndajnë këndvështrime të ndryshme përsa i përket leximit edhe interpretimit të regjimit socialist në vendin tonë

 “Nazizmi dihet se është diçka jashtë normales, ndërsa për të shkuarën konceptet janë të ndryshme.  Njeriu stabilizohet me çdo lloj sistemi, njëherë regjimi socialist, tani ai “demokratik”. Nuk ka sistem pa të këqija, edhe kapitalizmi ka të këqijat e saj. Socializmi i dha prioritet shoqërisë shqiptare, i bëri me shkollë, zhduku analfabetizmin,  këto sot ne na duken si gjëra të vjetra. Atëherë kishte ligje, ai që thyente ligjin do të merrte përgjegjësinë. Unë kam këtë mendim, se atëherë kishte njerëz që dënoheshin për diçka, ndërsa sot ata që janë dënuar thonë që jam dënuar kot”.

“Më pëlqen shumë ekspozita. Herë për herë duhet ta kujtojnë të shkuarën, se pa kujtuar të shkuarën nuk e ndërtojnë të ardhmen. Ne shkuam e mbaruam këtë punë, ndërsa brezi i ri se ka idenë, herë pas herë këto ekspozita duhet që ta shikojnë”.

“Unë jam nga Kanadaja. Jam duke parë, që të gjithë ata që e shikojnë këtë ekspozitë nuk janë të rinj, por janë të moshuar, por kjo është e shkuara juaj, nëse këta njerëz nuk e shikojnë të shkuarën e tyre, do ta jetojnë sërisht. E ardhmja do të jetë më e bukur edhe më e sigurt, vetëm duke kthyer kokën pas”.

Një student i historisë, pasi sheh me vëmendje faktet edhe të dhënat që ekspozohen në këtë ekspozitë mbi regjimet më të ashpër gjatë shekullit XX në vendet e ndryshme të Europës shprehet se:

“Më bën më shumë përshtypje, pjesa që i përket Shqipërisë, sepse ata i japin vetëm pikëpamjen që nuk ishte e mirë, ishte keqe, por e vërteta shkruhet në vitin 1991 nga fituesit. Vërtet ka pas të këqija, por ka pas edhe anët pozitive, deformimi është që i japin vetëm anët negative. Për brezin tim nuk do të thotë gjë, sepse janë vetëm disa fakte historike, por është shumë gjë e mirë që të ndërgjegjësohen të rinjtë, sepse çdo gjë që ka ndodh po ripërsëritet”. 

Qëllimi i ekspozitës është që të kontribuojë në dënimin ndërkombëtar të të gjithë formave të totalitarizmit.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?