Kultura

'Ditët e mia pa ty', promovohet libri poetik i Skënder Rusit! Përmbushet amaneti, një vit nga ndarja nga jeta e lirikut

1 Qershor, 13:39| Përditesimi: 1 Qershor, 20:36

  • Share

Një vit më parë, në 31 maj 2024, poeti Skënder Rusi i kërkoi të birit të tij, Erisit, ta ndihmonte të përzgjidhnin e të bënin gati bashkë për botim një cikël poezish, pa e ditur se vetëm dy orë më pas do të ndahej nga kjo jetë. Ata nuk arritën t’i përzgjidhnin së bashku poezitë, por, fiks një vit më vonë, i biri i tij e ka çuar në vend ‘amanetin’ duke sjellë librin “Ditët e mia pa ty”.

Liriku Skënder Rusi është përkujtuar në njëvjetorin e largimit nga jeta në një mbrëmje të veçantë në qytetin e Korçës, për të cilin ai shkroi gjatë gjithë jetës. Miq, familjarë dhe bashkëpunëtorë të poetit interpretuan vargje të tij, ndërsa shtuan se autori i mungon qytetit, edhe pse ka lënë një pasuri të madhe artistike nëpërmjet veprës së tij.

“Ai është gjithmonë pranë nesh se ka lënë jo vetëm poezinë, por dashurinë e tij të madhe për qytetin, familjen e tij, muzën e tij.”, - thotë aktorja Zamira Kita.

“Më vjen turp ta them, por nuk kisha pasur kontakt me poezitë dhe kur i lexova, ngela. I shkrova dhe Zamirës që ishin të mrekullueshme. Dhe vërtet është përgjegjësi, emocion dhe nder që të jem sot.”, - thotë aktorja Egla Ceno.

“Është një kënaqësi e veçantë të përkujtojmë sot Skënder Rusin, një prej lirikëve të jashtëzakonshëm të dhimbjes së bukur, një poet unikal, jo vetëm i Korçës, por gjithë Shqipërisë.”, - thotë aktori Kristian Koroveshi.

I biri i poetit shprehet se ruan shumë dorëshkrime të të atit, të cilat do të pasojnë me botime të tjera.

“Poezitë e tij hapeshin dhe mbylleshin me një çelës që e mbante vetëm ai dhe askush nuk kishte të drejtë të hynte në atë lloj hapësire. Ishte një hapësirë e shenjtë që ne na bënte të stepeshim dhe në momentin që u nda nga jeta. Më pas ishte më e fortë dëshira për të parë se çfarë kishte brenda atij sirtari. Kishte dorëshkrime pafund, poezi të lëna në një shkrim, që vetëm nëna ime mund ta kuptonte. Nisëm të përjetonim dhe rishkruanim poezitë që u bë ky libër, që nuk janë të gjitha, sepse aty ka vend për shumë libra të tjerë, sepse ai raft është jo i vogël.”,- tregon i biri i poetit, Eris Rusi.

Skënder Rusi u nda nga jeta në 31 maj të vitit të shkuar në moshën 72 vjeçare. Ai vuante prej vitesh nga Parkinsoni, sëmundje që e kishte kthyer në sfidë jetën e lirikut, i cili numëron më tepër se 25 libra poetikë të botuar.

B.G/r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Bëri mirë Berisha që akuzoi Shqipërinë si narkoshtet në samitin e PPE?