Dy vjet më parë, Hamasi ndërmorri një sulm terrorist ndaj Izraelit, i cili, iu kundërpërgjigj me një fushatë ushtarake të paprecedentë. Bilanci i viktimave është dramatik, dëmet materiale janë të jashtëzakonshme. Rindezja e konfliktit ndryshoi rrënjësisht jo vetëm Izraelin dhe Palestinën, por edhe dinamikën dhe balancën e forcave në Lindjen e Mesme.
Presidenti Donald Trump ka paraqitur një hartë rruge për të dalë nga qerthulli vdekjeprurës. Plani i paqes ofron kompromise për të dyja palët. Hamasi duhet të dorëzojë të gjitha pengjet izraelite, të çarmatoset dhe të heqë dorë nga qeverisja. Vendet arabe do të mbajnë mbi supe barrën e sigurisë dhe rindërtimit në bashkërendim me Izraelin. Izraeli hoqi dorë nga aneksimi i Bregut Perëndimor dhe zhvendosja e palestinezëve nga Gaza. Gaza dhe Bregu Perëndimor njihen si pjesë e të njëjtit entitet politik. Edhe pse nuk mund të konsiderohet një punë e kryer, në horizont shfaqet krijimi i një shteti palestinez dhe perspektiva e bashkëjetesës së Izraelit dhe Palestinës.
Pavarësisht nëse plani i parashtruar nga presidenti Trump do të vihet në zbatim, efektet e luftës dy-vjeçare do të ndihen për një kohë të gjatë për disa arsye.
Së pari, politika izraelite pësoi një ndryshim dramatik duke u zhvendosur drejt ekstremit të djathtë dhe njëkohësisht duke u bërë më refuzuese ndaj zgjidhjes me dy shtete. Kjo pasqyrohet edhe tek zgjerimi i kontrollit mbi territoret palestineze dhe rritja e vendbanimeve.
Kryeministri Benjamin Netanyahu i mbijetoi gjyqeve dhe protestave popullore, për shkak se vëmendja u zhvendos drejt luftës. Megjithatë, ai vazhdon të fajësohet për dështimet në planin e sigurisë. Koalicioni qeveritar varet nga partitë e ekstremit të djathtë, të cilat e kundërshtojnë planin e paqes të presidentit Trump. Për Netanyahun është i rëndësishëm lirimi i pengjeve izraelite nga Hamasi, pasi zbatimi i plotë i planit të paqes dhe perspektiva në horizont për krijimin e një shteti palestinez është jashtë imagjinatës së koalicionit që ai udhëheq. Pavarësisht se si mund të zhvillohen ngjarjet, Netanyahu e çimentoi trashëgiminë e tij duke mposhtur Hamasin, Hezbollahun dhe Iranin.
Së dyti, panorama politike në Palestinë ka ndryshuar rrënjësisht. Hamasi duket i gatshëm t'ia lërë qeverisjen një pale të tretë, por kundërshton propozimin për kujdestari ndërkombëtare për të mbikëqyrur Gazën. Pranimi i kontrollit të jashtëm bie ndesh me atë çka Hamasi pretendon se përfaqëson: “çlirimin e Palestinës”. Marrja e frenave nga Autoriteti Palestinez është një mundësi, me gjithë dobësitë që paraqet ai.
Së treti, ndërsa bisedimet e paqes përparojnë, as Netanyahu dhe as faktorët e ndryshëm politikë në Palestinë nuk kanë qartësi mbi qeverisjen e nesërme të Gazës. Bregu Perëndimor përballet me krizën e vet, si pasojë e zgjerimit të vendbanimeve. 5 nga 21 ministrat e qeverisë së Izraelit janë kolonë të Bregut Perëndimor, pavarësisht se kolonët përbëjnë vetëm 5% të popullsisë së Izraelit. Ndërkohë, Autoriteti Palestinez është në prag të kolapsit, në pamundësi për të administruar Bregun Perëndimor.
Së katërti, epërsia ushtarake e demonstruar nga Izraeli ka sjellë një riorganizim të forcave në rajon. Ndikimi i Iranit është ulur si pasojë e goditjeve shkatërrimtare të Izraelit me pasoja të drejtpërdrejta për Hamasin në Gaza, Hezbollahun në Liban dhe rebelët Huthi në Jemen.
Mirëpo efektet anësore nuk mungojnë. Pas sulmeve izraelite ndaj Katarit, Arabia Saudite firmosi një pakt mbrojtjeje të ndërsjellë me Pakistanin, i cili, posedon armë bërthamore. Egjipti dhe Turqia po kryejnë stërvitje të përbashkët detare në Mesdheun Lindor. Paralajmërime të qarta këto për Izraelin.
Së fundmi, duhet pranuar se thelbi i çështjes së popullit palestinez, apo e drejta e tij për vetë-vendosje u margjinalizuan nga Marrëveshjet e Abrahamit, të ndërmjetësuara nga presidenti Trump në 2020, që synonte normalizimin e marrëdhënieve midis Izraelit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe. Katastrofa humanitare në Gaza dhe sulmet e Izraelit ndaj Katarit vendosen në pikëpyetje Marrëveshjet e Abrahamit. Garancitë e mëvonshme të ofruara nga presidenti Trump për Katarin, pasqyrojnë vendosmërinë e tij jo vetëm për të ruajtur një nga arritjet më të mëdha të politikës së jashtme të mandatit të tij të parë në Lindje të Mesme, por edhe për t’i konsoliduar ato përmes procesit të normalizimit të marrëdhënieve mes Arabisë Saudite dhe Izraelit.
Qartësisht plani i presidentit Trump ofron një mundësi unike për t’i dhënë fund një prej konflikteve më të mëdha që bota ka njohur. Mirëpo, koreografia e vënies në jetë të planit dhe ndërtimi i besimit mes aktorëve të përfshirë, mbetet thelbësore për të siguruar një paqe të qëndrueshme në Lindje të Mesme.
Komente
