Janë vargje të poetit Skënder Rusi, të cilat e sjellin afër miqve dhe dashamirësve në një mbrëmje të veçantë.
Ai u përkujtua në ditës së lindjes në vendlindjen e tij në Devoll, në një “festë”, pa praninë fizike të poetit.
Në qendër të këtij aktiviteti ishte promovimi i vëllimit të tij të fundit poetik, “Ditët e mia pa ty”, një botim pas vdekjes së Rusit.
“Një ditëlindje e cila sot festohet në mungesën fizike, por është një festë, do ta quaja të tillë, sepse poeti vjen me poezitë e vëllimit të fundit, të sapobotuar, “Ditët e mia pa ty”, në vendlindjen e tij, në Devoll. Kjo mbrëmje mbledh dashamirës të poezisë, miq të poetit Skënder rusi, njerëz të cilët kanë gjetur te poezitë e tij edhe një pjesë të tyren.”, thotë i biri i Skënder Rusit, Erisi.
Veprimtaria bëri bashkë familjarë, miq dhe dashamirës të fjalës që rikthyen përmes kujtimeve figurën e lirikut të njohur.
“Liriku mbetet i përhershëm. Skënderi ka mbetur dhe është i tillë. Skënderi ka lindur poet lirik. Shkoja gjithmonë në bibliotekën e Korçës të merrja librat që më duheshin dhe gjithmonë më tregonte poezitë që shkruante.”, shprehet Ilir Shyta, pedagog.
Në emër të institucioneve vendore, kreu i Bashkisë Devoll, Eduard Duro, vlerësoi rëndësinë që figura si Skënder Rusi të mos mbeten vetëm në kujtime.
“Na takon ne si institucione të ushtojmë ato mundësi që kemi që vepra e poetëve të njohur lirikë, si Skënder Rusi, por edhe poetë të tjerë, siç është Dritëro Agolli do të ngelen në kujtim të të gjithë brezave.”, thotë Eduard Duro, kryetar i bashkisë së Devollit.
Mbrëmja poetike, më shumë se një homazh, ishte një dëshmi e gjallë se poezia nuk vdes me autorin. Zëri i Skënder Rusit jeton sot përmes vargjeve të tij.
Komente
