Divjaka nis mbjelljen e patates por në tunele plastmasi! Fermerët: Na vrasin shumë çmimet e inputeve bujqësore

11 Shkurt, 20:49| Përditesimi: 11 Shkurt, 21:01

  • Share

Mes çmimeve të larta të inputeve bujqësore të farave dhe plehrave kimike, dhe në mungesë të fuqisë punëtore, fermerët e Divjakës kanë nisur të mbjellin pataten.

“Është sezoni i mbjelljes tani dhe shpresojmë që të ketë edhe çmim që të shitet”, shprehet një fermerë.

“Kemi filluar mbjelljen e patates, tokën e kam marrë me qira. Punëtorët do të ushqehen, nuk na vrasin ato, ne na vrasin plehrat janë trefishuar. Ne kemi pas blerë ure, nitrat nga 30-40 mijë lekë kuintali, tani është 90-120 mijë lekë. Do punojmë që të ushqehemi”, pohon një tjetër bujk.

Për të shmangur humbjet dhe shitjen e prodhimit të tyre nën kosto, kultivuesit e patates në fushat e Divjakës kanë nisur të mbulojnë të mbjellat me plastmas.

Kjo metodë që po përdorin fermerët i ndihmon ata që të dalin më shpejt në treg dhe t'i shesin shtrenjtë prodhimet e tyre, pasi vjelja e patateve nis 1 muaj përpara patates së mbjellë në fushë.

“Kam dy vite që përdor plastmasa, sepse del 1 muaj më para se patatja që mbillet në fushë, dhe ka çmim më të lartë, por ka pak shpenzime më shumë”, pohon fermeri.

“I kemi mbjellë, se vijnë më shpejt dhe duam ti shesim më shtrenjtë. Patatja me plastmas vjen 1 muaj më parë, dhe ka çmim më të shtrenjtë. Ky është viti i dytë që e përdorim”, thotë bujku.  

“Gjatë marsit bën ftohtë dhe than bimën, dhe rendimenti ulet, ndërsa plastmasi e mbron, por e shet edhe më shpejt, dhe s’ka spërkatje. Por ka kosto se plastmasi është shtrenjtë”, sqaron kultivuesi.

Në zonën e Divjakës, kultivohen rreth 300 hektarë me patate dhe aktualisht mbjellja është drejt përfundimit.

B.K/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?