Divjakë- Plagosje me thikë në Divjakë, arrestohet autori i dyshuar menjëherë pas krimit.
Ngjarja ka ndodhur ditën e sotme në fshatin Çermë-Sektor, Njësia Administrative Tërbuf, pas një sherri për motive të dobëta mes dy personave, kurse në pranga ra një 44-vjeçar.
I arrestuari është Lulzim Muça, i cili rreth orës 14:00, në një sherr të çastit, ka goditur me thikë në trup Ferit Balkiun, 64 vjeç.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Divjakë, menjëherë pas marrjes së njoftimit, për një konflikt ndërmjet dy shtetasve, në fshatin Çermë-Sektor, kanë organizuar punën me qëllim zbardhjen e rrethanave të këtij rasti. Si rezultat i veprimeve të shpejta operacionale, u bë e mundur kapja dhe shoqërimi i autorit të dyshuar, L. M., 44 vjeç, banues në Çermë-Proshkë”, bëri me dije policia vendore.
Gazetari i Report Tv, Yrjet Saliasi, informon se të dy burrat janë banues të fshatit ku ndodhi krimi, teksa policia sqaroi se i plagosuri është dërguar menjëherë në spital, ku ndodhet edhe në kujdesin e mjekëve.
“U sekuestrua mjeti prerës me të cilin autori plagosi 64-vjeçarin. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes”, bënë me dije autoritetet, teksa hetimet vijojnë.
Komente
