Në "Rams Park" në Stamboll, Galatasaray barazoi 3-3 me Manchester United në një ndeshje të "çmendur" për raundin e pestë në grupin A të Champions League. Në "ferrin" e tifozëve vendas, "Djajtë e Kuq" nuk mundën të merrnin tri pikë duke komplikuar pozitat për një biletë në fazën e 1/8, pasi ndeshjen e fundit e luajnë në shtëpi kundër Bayern Munich. Sfida nisi mirë për miqtë e ten Hag që shënuan dy gol në 18 minutat e para të lojës. Garnacho dhe Bruno Fernandes shënuan për United, para se Ziyech të shkurtonte në të 29 minutë.
Edhe pjesa e dytë nuk zhgënjeu, duke nisur me gol që në të 55 minutë me McTominay. Kur u duk se United i kishte tri pikët në "xhep", skuadra nga ishulli u tradhtua nga Onana, me gardianin që nuk ndali një goditje të Ziyech në minutën e 62-të, për golin e 2-3. Më pas ishte Akturkoglu që në minutën e 71 vendosi ekuilibrat në 3-3. Me Bayernin e Munihut të kualifikuar, Galatasaray shkon në kuotën e pesë pikëve në vendin e dytë dhe ndeshjen e fundit në grup e ka me Copenhagen në udhëtim. United me katër pikë mban vendin e fundit dhe duhet të shpresojë që danezët të ndalin turqit në sfidën e fundit, ndërsa ata të kalojnë Munich për një biletë më tej. Duket se me barazimin e sotëm United do jetë jashtë 1/8 të Champions, edhe pse matematikisht kanë mundësi për më tej.
Lajmi kryesor:
GOLAT/ Man. United e bën dramë, larg 1/8 të Champions League! Spektakël dhe 'lumë golash' në Madrid dhe Lisbonë, Arsenal luan 'tenis' me Lens
S.Dh/ReportTv.al