Zhan Gabriel Rey, djali i arkeologut Leon Rey, viziton parkun arkeologjik të Apolonisë së bashku me shume arkeologë të tjerë, shqiptarë e të huaj, kryesisht francezë.
Gjatë vizitës, djali i Leon Rey-t përshkoi rrugën e të atit, arkeologut që zbuloi sitin arkeologjik të Apolonisë.
Ai nisi germimet në vitin 1924 dhe vazhdoi për rreth 20 vite me radhë.
Rikthimi në gjurmët e të atit, është më shumë se emocionues, është shprehur djali i arkeologut Leon Rey.
"Ju mund ta imagjinoni sesa i emocionuar jam unë kur vij këtu në momentin që babai im ka punuar një shekull më parë dhe që më pas kjo punë është vazhduar nga grupe të tjerë arkeologësh shqiptarë, francezë por edhe të kombësive të tjera.
Është vërtet emocionuese të jesh këtu në këtë natyrë kaq të bukur në mes këtyre monumenteve dhe të shohësh që edhe pas një shekulli kujtimi i punës së babait tim është akoma i pranishëm këtu në Apoloni", tha Jean-Gabriel Rey.
Pas Luftës së Dytë Botërore, Leon Rey nuk mundi dot të rikthehej për t’i vazhduar gërmimet dhe kjo ka qenë një nga brengat e tij.
Më pas gërmimet në parkun arkeologjik të Apolonisë vazhduan nga arkeologët shqiptarë.
Pas vitit 1990 kanë qenë të shumta ekspeditat arkeologjike shqiptaro - franceze në Apoloni, të cilat kanë bërë zbulime të rëndësishme arkeologjike në këtë sit.