Dy të vdekur e dhjetëra të prekur në Francë nga djathi i kontaminuar me bakterin e llojit të listerisë.
Sipas lajmit të publikuar nga britanikja ‘The Sun’, produkti mund të jetë importuar dhe në Shqipëri, por nga autoritetet nuk ende konfirmime për të prekur.
Sipas artikullit, që nga dhjetori 2024 e deri më 13 gusht të këtij viti, janë raportuar për 21 persona të sëmurë. Vetëm nga qershori i këtij viti, janë zbuluar 18 raste, dy prej të cilëve kanë ndërruar jetë.
Të prekurit nga listerioza në Francë ishin të moshës 34 deri në 95 vjeç, kurse 11 prej tyre ishin gra.
Që prej datës 14 prill deri më 9 korrik, vendet si Belgjika, Danimarka, Holanda dhe Norvegjia kanë konfirmuar gjithashtu 4 raste të listeriozës. Të infektuarit janë shprehur se kanë konsumuar djathë të butë të pasterizuar, përpara se të shfaqnin simptoma.
“Sipas Qendrës Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC), ekziston mundësia që këto produkte të kontaminuara janë shpërndarë në: Shqipëri, Andorra, Australi, Austri, Belgjikë, Kanada, Çekia, Danimarka, Estonia, Finlanda, Gjermania, Hong Kong, Hungari, Italia, Japoni, Madagaskar, Malajzi, Holandë, Singapori, Sllovaki, Korea e Jugut, Spanjë, Suedi, Zvicër, Mbreteria e Bashkuar, si dhe Shtetet e Bashkuara”, shkruan media në fjalë.
ECDC është shprehur se është gjurmuar “prodhuesi specific francez i djathit”, por nuk ka dhënë emër të kompanisë.
Listerioza është një infeksion serioz i shkaktuar nga bakteri ‘listeria monocytogenes’, i cili transmetohet shpesh përmes ushqimit. Të rriturit e shëndetshëm, por dhe fëmijët, mund të përjetojnë simptoma të tilla si ethe, dhimbje muskujsh, të përziera, diarre. Ekziston mundësia që dhe të mos shfaqet asnjë simptomë.
Në raste të rënda, infektimi mund të çojë në ndërlikime si meningjiti. Gratë shtatzëna, por dhe të moshuarit, duhet t’i kushtojnë rëndësi etheve, si dhe dhimbjes së fortë e të pashpjegueshme të kokës. Ushqimet që kanë më shumë gjasa të shkaktojnë listeriozë janë produktet e bulmetit.
Komente
