TIRANË - Vladimir Gjuta, i arrestuar në janar 2020 për plagosjen e kushëririt të tij, ka fituar lirinë më 5 shkurt, ku gjykata e Tiranës revokoi masën e arrestit me burg, pasi prokurori kërkoi lirimin e tij pas ekspertizës mjeko-ligjore që e klasifikoi plagosje të lehtë me dashje, ndërsa vetë i dëmtuari u tërhoq nga akuza.
Në një vendim të datës 5 shkurt 2020, gjyqtari i Tiranës, Kreshnik Omari, ka vendosur të pranojë kërkesën e prokurorisë, duke e liruar 40-vjeçarin Vladimir Gjuta nga paraburgimi i institucionit të vuajtjes së dënimit numër 313, "Jordan Misja" në Tiranë.
Nga momenti i arrestimit të Gjutës, prokuroria ngriti fillimisht akuzën e "plagosjes së rëndë me dashje", por ditë më pas, me kryerjen e ekzaminimeve të të dëmtuarit nga mjekësia-ligjore dhe klasifikimin në "plagosje të lehtë me dashje", prokuroria e Tiranës iu drejtua me kërkesë Gjykatës për të liruar Gjutën. Po ashtu, vetë i dëmtuari, i cili u thirr për të dëshmuar pas ekspertizës, i pyetur nëse dëshiron të vazhdojë më tej procesin, është shprehur se kërkon të tërhiqet. Në këto kushte, gjyqtari Omari në zbatim të lligjit, vendosi lirimin e Gjutës, të cilit tashmë i ishte ndryshuar akuza, shtuar dhe faktin që i dëmtuari ishte tërhequr nga kallëzimi. Por gjatë kohës së qëndrimit në paraburgim, Vladimir Gjuta kryer shkelje disiplinore. I vënë në dijeni për këtë fakt, drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Agim Ismaili, më 3 shkurt, ka lëshuar urdhrin për izolimin e Vladimir Gjutës në paraburgimin e Fierit. Kërkesa e Ismailit është marrë në shqyrtim nga Gjykata e Fierit, e cila po më 5 shkurt, në të njëjtën ditë që Gjuta fitoi lirinë, gjyqtarja Arta Duka vendosi të konfirmojë urdhrin e drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, për ta kaluar Gjutën, në regjimin e mbikëqyrjes së veçantë në burgun e Fierit, për një periudhë 3 mujore.
Vladimir Gjuta, thuhet në vendimin e Gjykatës së Fierit, ka shkelur disa herë rregulloren e përgjithshëm të Burgjeve, duke cënuar rregullin dhe sigurinë në institucion, si dhe duke rrezikuar shëndetin e të paraburgosurve të tjerë. Po ashtu, Gjykata e Fierit ka rrëzuar edhe pretendimet e palës mbrojtëse, se Gjuta, i ka kryer këto veprime " në kushtet e gjendjes shëndetësore të tij", duke thënë se "nuk janë të bazuara pasi nuk rezultoi në gjykim se gjendja shëndetësore e të paraburgosurit të jetë e tillë që ta përjashtojë nga përgjegjësia ligjore për veprimet e kryera".
Por përse është ekzekutuar vendimi i Gjykatës së Tiranës? Kjo për faktin se kërkesa e drejtorit Agim Ismaili, ishte që përsakohë qëndron në qeli për akuzat e ngritura ndaj tij, Gjuta duhet të kalojë në izolim për 3 muaj. Por me ndryshimin e akuzës dhe kërkesën për liri të prokurorisë, Gjykata e rrëzoi masën e sigurimit personal të "arrestit me burg", çka rrjedhimisht kthen në të pavlefshëm edhe vendimin e Gjykatës së Fierit për izolim, përsakohë Gjuta nuk ndodhet më në qeli.
Vetëm 5 ditë pas vendimeve të gjykatave, më 10 shkurt Vladimir Gjuta, u arrestua sërish nga policia në Tiranë pranë selisë së Partisë Socialiste me një pistoletë pa leje me vete, mbi 120 mijë euro dhe një dorezë metalike, ndërsa tashmë ndaj tij, Prokuroria e Tiranës ka nisur edhe një hetim pasuror. Po dje, Gjutës iu sekuestrua edhe një makinë Audi A8.
Vendimi i Gjykatës së Fierit