Pavarësisht se bëri kallëzim penal në polici, gazetari i Report TV, Piro Nase është kërcënuar sërish pasi raportoi për pezullimin nga detyra të shefit të Krimeve të Komisariatit të Përmetit, Dhurim Çenko.
Një ditë më parë në polici u shoqërua djali i Dhurim Çenkos, Boris Çenko dhe u vu nën hetim në gjendje të lirë. Por pas kësaj ngjarjeje, gazetari ka marrë sërish kërcënime, kësaj here përmes vajzës së mitur.
Një person ka telefonuar të bijën me numër të fshehtë duke i kërkuar llogari se pse kanë denoncuar dhe duke e kërcënuar: “Do ta shikoni si familje ku do të shkoni të gjithë në satër”. Gazetari pritet të depozitojë një tjetër kallëzim në polici, në prezencë të psikologut dhe avokatit.
Për ngjarjen reagoi edhe Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë, i cili kërkoi reagimin e menjëhershëm të autoriteteve dhe vënien para përgjegjësisë së autorëve.
Një ditë më parë, gazetari Nase raportoi se Çenko ishte pezulluar nga detyra për shkelje të rëndë disiplinore dhe se kishte nisur një hetim disiplinor për të, pasi kishte dijeni për abuzimin e së miturës nga njerku polic P.B dhe kolegu i tij, Artur Ago por nuk kishte marrë asnjë masë.
Informacioni i raportuar nga gazetari bazohej në një kërkesë për informacion, ku Drejtoria Vendore e Policisë së Gjirokastrës bëri të ditur se Dhurim Çenko ishte pezulluar nga detyra një ditë pas publikimit të ngjarjes për shkelje të rëndë disiplinore.
Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë ka reaguar sërish ditën e sotme në lidhje me intensifikimin e kërcënimeve ndaj gazetarit të Report Tv në Gjirokastër, Piro Nase.
AGSH kërkon reagimin urgjent të autoriteteve dhe të sigurojnë mbrojtjen e gazetarit Piro Nase.
Kujtojmë se ditën e sotme, vajza e mitur e gazetarit Piro Nase është kërcënuar sot nga djali i Dhurim Çenkos, shefi i Krimeve në Përmet i cili u pezullua nga detyra për skandalin seksual në atë qytet pak javë më parë.
Kërcënimet ndaj gazetari Piro Nase nisën pikërisht sepse ishte i pari që denoncoi pezullimin e shefit të Krimeve në Përmet.
Boris Çenko, djali i shefit të Krimeve në Përmet, i nisi kërcënimet një ditë më parë ndaj gazetarit, për të cilat Piro Nase bëri denoncim në polici. I riu Boris Çenko u shoqërua në policia dhe më pas u la i lirë. Ai hetohet në gjendje të lirë. Ndërsa sot ka vijuar kërcënimet ndaj vajzës së gazetarit.
Reagimi i AGSH:
REAGIM PËR THELLIMIN E KËRCËNIMEVE NDAJ GAZETARIT PIRRO NASE
Fatkeqësisht, sulmet ndaj gazetarit të Report Tv, Pirro Nase nuk janë ndalur, pavarësisht denoncimit të kërcënimeve në polici dhe publikimit të të dhënave.
AGSH është njohur sot nga gazetari më kërcënimin e vajzës së tij nga familjarë të një punonjësi policie për të cilin Nase ka raportuar.
Ky është një akt i rëndë për të cilën autorët e dyshuar duhet të mbajnë përgjegjësi.
Ne bëjmë thirrje për veprime të menjëhershme të autoriteteve shtetërore dhe sigurimin e mbrojtjes së gazetarit dhe lejimin e tij të kryejë detyrën pa frikësim dhe pengesa.
AGSH solidarizohet me kolegun Pirro Nase dhe familjen e tij në këto momente.
Gjejmë rastin të apelojmë për gazetari të përgjegjshme dhe etike.
Komente
