Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlut Cavusoglu, ka deklaruar ditën e sotme nuk ka kuptim që të mbahet një takim me Suedinë dhe Finlandën për të rinisur bisedimet lidhur me aplikimet e këtyre dy shteteve për t’u anëtarësuar në NATO.
Sipas kryediplomatit turk kjo vjen si pasojë e protestave që janë bërë në Stokhol ku u dogj edhe ‘Kurani’ libri i shenjtë i muslimanëve. Në një konferencë të dhënë për mediat turke më 26 janar, Cavusoglu po ashtu tha se nuk ka vullnet për të vlerësuar ndaras aplikimet për NATO të Suedisë dhe Finlandës.
Kryeministri i Suedisë, Ulf Kristersson, tha se shteti i tij dëshiron të rinisë dialogun për NATO-n me Turqinë. Së fundmi, Turqia ka shtyrë në kohë të pacaktuar bisedimet trepalëshe me Suedinë dhe Finlandën.
Suedia dhe Finlanda vendosën vitin e kaluar që t’i bashkoheshin NATO-s, pasi Rusia nisi pushtimin e Ukrainës. Por, Turqia vendosi një sërë kushtesh për Stokholmin dhe Helsinkin. Që një shtet të bëhet anëtare e NATO-s duhet që të 30 shtetet anëtare të ratifikojnë aplikimin në parlamentet e tyre kombëtare.