Sociale

Djegia e mbetjeve në landfillin e Elbasanit, alarm nga ekspertët! Raporti: Ajri u ndot, rrezik për shëndetin e banorëve

4 Korrik, 20:07| Përditesimi: 4 Korrik, 22:39

  • Share

Të martën paradite, pasi kodra e mbetjeve në Elbasan ishte gdhirë e përpirë nga flakët, në qytet mbërriti një grup ekspertësh për të matur ndotjen e shkaktuar në mjedis nga djegia e mbeturinave.

Një grup i specializuar nga Co-PLAN dhe Milieukontakt monitoruan situatën në terren dhe vlerësuan ndikimet e zjarrit në cilësinë e ajrit.

“Matjet në terren treguan përqendrime të larta të ndotësve të ajrit, që paraqesin një rrezik të drejtpërdrejtë për shëndetin publik dhe mjedisin përreth”-thotë organizata e mbështetur me financim dhe ekspertizë ndërkombëtare.

Përqendrimet e ndotësve të ajrit të regjistruara vetëm pak orë pas shpërthimit të zjarrit rezultuan mbi normat e pranuara nga BE dhe me pasoja serioze për qytetarët.

Siç thonë ekspertët, në mjedis, një ditë pas zjarrit niveli i dioksidit të karbonit (CO₂) ishte rreth 521 – 794 ppm.

“Ky nivel është mbi normën prej rreth 350 ppm dhe tregon djegie të pakontrolluara të materialeve organike, që ndikojnë negativisht në shëndetin e njeriut dhe mjedisin përreth”,-thotë raporti. Ky nivel i shtuar i dioksidit të karbonit, u shkakton njerëzve lodhje, marramendje, vështirësi në frymëmarrje.

Në ajër u gjet gjithashtu një nivel i lartë metani, 3-4 fish më lart se normalja, që sipas ekspertëve përbën rrezik potencial për shpërthime dhe ul nivelin e oksigjenit në nevojshëm për frymëmarrje.

Specialistët e mjedisit të Co Plan matën dhe nivelin e dioksidit të azotit (NO₂) i cili rezultoi deri në 331 µg/m³. Ky përqendrim dëmton mushkëritë, shkakton kollë, ndikon te astmatikët.

“Përqendrimi i NO₂ tejkalon ndjeshëm kufirin e lejuar nga Bashkimi Europian, të cilët rekomandojnë që ekspozimi afatshkurtër (1 orë) të mos kalojë 200 µg/m³. Vlera e matur prej 331 µg/m³ tregon një rrezik serioz për sistemin respirator të banorëve përreth landfillit”-thuhet në raport.

Raporti dokumenton edhe praninë e një elementi, të njohur si VOC, lëndë organike që janë pezull në ajër, me vlerë deri në 6,800 µg/m³

“VOC tejkalojnë ndjeshëm kufijtë e rekomanduar nga standardet e BE-së  dhe janë shumë të rrezikshëm për shëndetin, me efekte toksike dhe potencial kancerogjen. Ato gjithashtu ndikojnë në formimin e ozonit në nivelin e tokës, duke përkeqësuar cilësinë e ajrit”-thonë ekspertët.

Njerëzit që thithin të tillë gaz, kanë irritime, dhimbje koke, rrezik kancerogjen.

Co-PLAN, një Institut për Zhvillimin e Mjedisit që bëri këto matje, kryen vazhdimisht monitorime të ajrit në vend, me mbështetje financiare të huaj, kryesisht suedeze.

1. Dioksidi i karbonit CO₂
Elbasan: 521-794 ppm
Normalja: 350 ppp
Pasojat: Lodhje, marramendje, vështirësi në frymëmarrje.
2. Metani CH₄ (
Elbasan: 5-8 ppm
Normalja: 1.8
Pasojat: Rrezik shpërthimi, ulje e oksigjenit.
3. Dioksidi i Azotit NO₂
Elbasan: 331 µg/m³
Normalja: 200 µg/m³
Pasojat: Dëmton mushkëritë, shkakton kollë, ndikon te astmatikët.
4. Mbetjet organike pezull VOCs
Elbasan: 6,800 µg/m³
Normalja: 1000 µg/m³
Pasojat: Toksike, irritime, dhimbje koke, rrezik kancerogjen.
S.B/K.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si e gjykoni etiketimin në Kuvend të Flamur Nokës ’media vari Kar-lo’?