Sociale

Djegia e mbetjeve në landfillin e Elbasanit, ish-deputeti i PS Besnik Bare: Impaktet do jenë afatgjata, kontaminohet jo vetëm ajri, por edhe toka

7 Korrik, 18:43| Përditesimi: 7 Korrik, 18:52

  • Share

Pas 7 ditë në luftë më flakët të forcave zjarrfikëse, situata në vendgrumbullimin e mbetjeve në Elbasan duket se po shkohet drejt shuarjes totale.

Por cilat janë pasojat që lë në mjedis djegia e këtyre mbetjeve? Lidhur me këtë ish- deputet i PS Besnik Bare, i ftuar ditën e sotme në emisionin ‘Studio Live’ në Report Tv me gazetarin Arbër Hitaj, ai tha se impaktet do jenë afatgjata.

Sipas tij, substancat nga djegia e mbetjeve depozitohen jo vetëm në ajër, por edhe në tokë dhe në ujërat e lumenjvë.

‘Impaktet do të jenë afatgjata. Për substancat që konsiderohen më të rrezikshme kërkojnë kapacitetet e duhura për tu matur dhe nuk matet me këto aparate që shkon aty dhe të matet. Duhet që të matej edhe dioksidi i karbonit, kur ka shumë Co2 është më mirë sepse tregon se është djegia e plotë dhe s’ka ndodhur sinteza e dioksinave. Këto substanca sjellin vështirësi në frymëmarrje, është e rëndë për fëmijët dhe të moshuarit, sjell astmë. Por substancat mund të depozitohen dhe kur shuhet zjarri sepse depozitohen në tokë dhe në ujëra. Pra ndodh kontaminimi jo vetëm i ajrit por edhe i tokës, kjo lloj ndotje qarkullon dhe nuk është vetëm aty ku është vendi i zjarrit’, tha ai.

Sipas Bares, vendgrumbullimi i mbetjeve nuk duhet që të jetë pranë lumenjve, pasi sipas tij mund të kontaminojë ujin.  

‘Gjëja e parë e gabuar e trajtimit të mbetjeve është se janë afër lumenjve dhe po ta shohësh lumi Shkumbin është shumë afër me landfillin dhe nuk duhet që të lejohet aty. Rrjedhja e substancave si pasojë e dekompozimit që ndodh aty, mund të bëjë që lumi mund të kontaminohet. Problem janë edhe hirat që kanë mbetur pasi kanë mërkurr dhe plumb, pra janë metale të rënda. Shpërndarja e grimcave bëhet me dhjetëra kilometra larg dhe duhen rekomandime të caktuara edhe për popullatën nga ekspertët. Por hiri që prodhohet aty ka substanca toksike dhe duhet që të depozitohen në një landfill për mbetje të rrezikshme’, tha ai.

Ai apeloi që fermerët të bëjnë kujdes dhe të mos djegin mbetjet bujqësore pasi zjarri mund të sjell pasoja të rënda për mjedisin.

‘Vera ka një anë negative, sepse nuk ka shira sepse gjatë rënies së shirave ndodh një lloj shpëlarje e tyre, por ato substanca depozitohen në tokë dhe në ujë. Fermerët duhet që të jenë të kujdesshëm kur i vënë zjarrin mbetjeve bujqësore sepse në radhë të parë dëmtojnë veten e tyre dhe të tjerët. Detyrim i institucioneve është që të bëjnë një monitorim të vazhdueshëm në Elbasan’, tha ai.

Bare tha se problemi me ndotjen në vend nuk është vetëm nga djegia e mbetjeve, por edhe nga makinat të cilat çlirojnë substanca të dëmshme.

‘Ne problemin e ndotjes së ajrit se kemi vetëm kur kemi zjarre, por edhe në qytete, sepse makinat çlirojnë substanca dhe niveli në Tiranë është mbi normën e lejuar dhe duhet që vet qytetarët ta përdorin makinën kur e kanë të domosdoshme’, tha ai.

S.B/A.Q/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Nis aksioni për lirimin e hapësirave publike, si e vlerësoni?