Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha

Djegia e Melisa Trëndafilit me benzinë nga bashkëshorti, reagon ministri Ervin Hoxha: Apel për të siguruar mbrojtje të fuqishme për vajzat dhe gratë

1 Shtator, 15:06| Përditesimi: 1 Shtator, 16:10

  • Share

1723805612_ervinhoxha.jpeg

Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha

Lidhur me ngjarjen e rëndë të ditës së djeshme në Korçë, ku Bledar Trëndafili (45 vjeç) i vuri benzinën dhe dogji bashkëshorten e tij Melisa Trëndafili në Korçë për shkaqe xhelozie, ka reaguar ministri i brendshëm, Ervin Hoxha.

Ai e cilëson këtë ngjarje si një akt të papranueshëm, ndërsa bëri thirrje për reagim nga institucionet përgjegjëse dhe nga shoqëria. Ai kërkon që rastet e dhunës në familje të denoncohen dhe qytetarët të bashkëpunojnë me autoritetet.

Së fundmi, ministri Hoxha shpreh urimin për shërim sa më të shpejtë të zonjës Trëndafili, nënë e dë fëmijëve, e cila ka pësuar djegie të rënda dhe ndodhet në QSUT ku po mjekohet.

'Ngjarja e rëndë e ndodhur dje në Korçë, ku një bashkëshort në proces divorci, tentoi të djegë me benzinë gruan e tij, është një akt i papranueshëm që na kujton se dhuna në familje është ende një problem që nuk mund të injorohet e që kërkon reagim të menjëhershëm nga institucionet përgjegjëse dhe nga e gjithë shoqëria.

Ngjarje të tilla janë një shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut dhe një apel i fortë për të siguruar mbrojtje më të fuqishme për të gjithë ata që vuajnë nga dhuna në familje, sidomos për të miturit, vajzat dhe gratë.

Jam i bindur se, për të parandaluar dhe trajtuar raste të tilla nuk mjafton vetëm reagimi i institucioneve përkatëse, por dhe solidariteti e sensibilizimi i shoqërisë tonë, në mënyrë që askush të mos i nënshtrohet një trajtimi të tillë të papranueshëm, si rasti i Korçës.

Ndaj u bëj thirrje qytetarëve të denoncojnë çdo rast të dhunës në familje dhe të bashkëpunojnë me autoritetet, për t’u siguruar që ata, të cilët kryejnë këto akte, të përballen me pasojat e veprimeve të tyre, ashtu siç do të përballet dhe autori i ngjarjes së djeshme!

Si ministër i Brendshëm shpreh mbështetjen time më të madhe për viktimat e dhunës në familje dhe angazhimin tim për të punuar parreshtur për një shoqëri, ku secili të ndjehet i ndjehet i sigurt dhe i respektuar.

Duke i uruar shërim sa më të shpejtë zonjës - viktimë e dhunës në familje dje në Korçë - shpreh angazhimin tim për të forcuar mekanizmat e mbrojtjes dhe mbështetjes së duhur për viktimat si ajo, dhe ftoj edhe institucionet e tjera përgjegjëse të veprojnë shpejt e në përputhje me politikat e qeverisë sonë për luftën ndaj dhunës në familje.', thuhet në reagimin e ministrit të Brendshëm, Ervin Hoxha.


Lajmi kryesor:

Burri në proces divorci e leu me benzinë dhe i vuri flakën, Melisa Trëndafili në luftë për jetën në QSUT! Fqinja i hoqi rrobat e ndezura nga trupi! 45-vjeçari ende në kërkim


G.K/ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?