Qendra tregtare dhe rezidenciale “Metropol” në Lushnje është kthyer sot në skenë krimi dhe ruhet me policë 24 orë. Asnjë prej banorëve dhe pronarëve të dyqaneve nuk lejohet ti afrohet objektit. Një grup i gjerë ekspertësh, thirrur nga prokuroria e Fierit po këqyrin me detaje provat për zbulimin e shkaqeve të zjarrit.
Burime konfidenciale pranë grupit hetimor thanë për Report Tv se paraprakisht dyshohet se zjarri ka qenë aksidental. Shëndija e parë e zjarrit është ndezur në një magazinë këpucësh, pranë së cilës kalonin kabujt elektrik të gjithë qendrës tregtare. Për shkak të materialit të këpucëve, dyshohet se zjarri është ndezur me shpejtësi, duke përfshirë 3 kate të qendrës tregtare, ku u shkrumbuan afro 300 dyqane.
Aktualisht janë marrë në pyetje administratorët e qendrës tregtare, tregtarët si 30 persona të cilët kanë qenë prezentë në momentin e rënies së zjarrit.
Grupi hetimor përbëhet nga specialistë ndërtimi, specialistë elektriçistë dhe ekspertë të zjarrit. Ndërtesa vijon të mbahet me shirit sigurie deri në përfundimin e ekspertizës. Të njëjtat burime konfirmojnë se kanë mbërritur 4 ekspertë nga Tirana të cilët po bëjnë verifikime për sigurinë e godinës.
Ekspertet e Institutit të Ndërtimit ende nuk kanë dalë me një vlerësim, nëse zjarri ka dëmtuar strukturën e objektit me 12 kate banim dhe 5 kate njësi tregtare ndërsa prokuroria e Fierit ka regjistruar procedimin penal për 'shkatërrim të pronës me zjarr'
Prokuroria e Fierit ka nisur hetimet për zjarrin që përfshiu 3 kate të qendrës tregtare “Metropol” në Lushnjë ku u shkrumbuan 300 dyqane.
Në njoftimin e prokurorisë bëhet me dije se është regjistruar procedimi penal për veprën “Shkatërrim i pronës me zjarr”. Nëpërmjet hetimeve që drejtohen nga ekspertë të fushave të ndryshme, do të arrihet në përfundimin për shkaqet e rënies së zjarrit.
“Zjarri në Qendrën tregtare ‘Metropol Center’, Prokuroria Fier regjistron procedimin penal për veprën penale “Shkatërrimi pronës me zjarr”
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Fier informon publikun se për ngjarjen e ndodhur në qendrën tregëtare “Metropol Center”, lagjia “Çlirimi”, Lushnjë, ka regjistruar procedimin penal nr. 1846/2023, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, parashikuar nga neni 151 i Kodit Penal.
Prokurorja e gatshme ka shkuar menjëherë në vendngjarje ku dhe janë kryer veprimet e para hetimore.
Është ngritur grupi hetimor i përbërë nga ekspertë të fushave të ndryshme dhe grup oficerësh të policisë gjyqësore nën drejtimin e Prokurores. Hetimet po kryhen në bashkëpunim të plotë me shërbimet e policisë gjyqësore të Policisë së Shtetit. Me administrimin e akteve proceduriale dhe akteve të ekspertimit do të konkludohet mbi shkakun e rënies së zjarrit dhe vatrës fillestare.
Prokuroria Fier është plotësisht e angazhuar për të zbardhur shkaqet e kësaj ngjarje me pasoja të konsiderueshme për pronën, shëndetin dhe sigurinë e shtetasve”- thuhet në njoftimin e prokurorisë.
Se mos jane 3000 dyqane se 300 me duken pak per nje qender tregetare ne qytetin e Lushnjes. 250 dyqane kemi ne ne qendren tregetare ketu ne katund.
Përgjigju