‘Djema bëhuni gati të shëtisni botën’/ Vëllezërit shqiptarë tregojnë si hynë në “Guinness” për aftësitë akrobatike: Stërviteshim nga 5 orë në ditë

12 Prill, 20:57| Përditesimi: 12 Prill, 21:04

  • Share

Dy vëllezër shqiptarë na kanë bërë krenarë pasi janë futur në librin e rekordeve “Guinness’. Bëhet fjalë për Artan dhe Arndold Ballën, dy të rinj akrobatë shumë të zotë, që janë mjaft të talentuar dhe kanë mahnitur dhe juritë ndërkombëtare.

Të ftuar në “Studio Live” me Arbër Hitajn në Report Tv, ata treguan fillimet dhe rrugëtimin e tyre në fushën e akrobacisë, si dhe treguan se si hynë në librin e rekordeve ‘Guinness”.

“Në Amerikë kemi 2 vite që jetojmë. Kemi ardhur si pjesë e “America's Got Talent”. Para se të vinim këtu në Amerikë kemi pasur dhe 16 vite të tjera që performonim në të gjithë Evropën si “Balla Brothers””, është shprehur Artani.

“Sa i përket librit “Guinness” kjo erdhi si rezultat e “America's Got Talent”. Në momentin që ne bëmë audicionet ne patën shumë oferta dhe shumë kontakte të ndryshme. Që momentin e parë pas audicionit producentët dhe menaxherët thanë “djema bëhuni gati se ju do të shëtisni botën, kjo lloj performancë që bëni ju patjetër duhet futur në librin e rekordeve “Gunness”. Pas kësaj ne përfunduam të gjithë “Got Talent” nëpër botë dhe pasi mbaruam të gjithë turnin nëpër botë erdhi momenti për rekordin “Guinness”. Ideja ishte nga producentët e “America's Got Talent” të cilën ende merren dhe përkujdesen për ne. Ideja se ku do ta realizonim ka qenë e Artanit (vëllai), në Times Square. Ne erdhëm me një version ndryshe sepse e bëmë me sy mbyllur, gjë për të cilën mbajmë rekordin dhe çdo gjë mban emrin tonë, vulën edhe çertifikatën për një performancë të tillë, që jemi të vetëm që e bëjmë”,- ka sqaruar Arnoldi.

Vëllezërit akrobatë treguan se në fillimet e tyre stërviteshin rreth 5 orë në ditë.

“Në fillimet tona stërviteshim 5 orë në ditë, ndërsa tani që merremi me shfaqje dhe duhet ta kemi trupin të shplodhur, varion diku deri në 2 orë në ditë”,-është shprehur Artani.

Të frymëzuar nga futja në librin “Guinness’ dy ‘ambasadorët e Shqipërisë” treguan planet për të ardhmen, duke theksuar se qëllim kryesor kanë përcjelljen e hapave të tyre dhe tek të apasionuarit pas akrobacisë nëpërmjet shkollës “Balla Brothers”.

“Një nga planet që mund të përmend tani është turi që vazhdon në të gjithë Amerikën. Normalisht ky ishte vetëm fillimi sepse patjetër kemi shumë për të dhënë dhe për të treguar për të gjithë talentin tonë dhe për të gjithë punën që kemi bërë. Përveç shfaqjeve, kemi dhe shkollën “Balla Brothers”, i cili në një të ardhme shume të shpejtë do mundohemi të marrim sa më shumë artistë internacional, duke përfshirë patjetër dhe Shqipërinë”,- është shprehur Arnoldi.

K.M/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?