Djemtë e Sazeve të Korçës në Tiranë për traditën: Muzika popullore, amanet nga të parët!

27 Nëntor 2023, 17:10| Përditesimi: 27 Nëntor 2023, 17:27

  • Share

Grupi i Sazeve ka udhëtuar nga Korça në Tiranë për Javën Kulturore Kombëtare...

“Ne jemi grupi i Sazeve të të rinjve të Korçës. Kemi 5 vjet që jemi formuar e kujdesemi të çojmë traditën përpara”, shprehet instrumentisti në klarinetë Nexhildo Sula.

Traditën mbi dy shekullore, ku gërshetohen instrumente tradicionalë por edhe klasikë e sjellin në Hollin Koncertor të Operas të rinjtë e formacionit të Sazeve të Korçës, shoqëruar nga solisti Aurel Tanasica.

“Janë këngë popullore tradicionale korçare, që ne brezi jonë mundohemi ti ruajmë në ditët e sotme. Dhe me të vërtetë rastet si këta artistë të rinj që ndodhen sot në këtë sallë janë tepër të rrallë”, shprehet këngëtari Aurel Tanasica.

Promovojnë muzikën popullore shqiptare, me melodi të dashura të tabanit, ku këngët nga Korça e tyre i sjellin për merak.

Prej 5 vitesh bashkë, këta të rinj që performojnë në klarinetë, firzamonikë, violinë, lahutë a dajre, muzika e traditës, jo vetëm që u është mësuar nga të parët, por bashkë me të u është trashëguar edhe amaneti për ta ruajtur këtë trashëgimi të vyer...

“Të gjithë instrumentistët që luajnë sot, e kanë traditë familjare të trashëguar”, shton Sula.

Me drojën që muzika e këtyre instrumenteve, shumica të punuara në mënyrë artizanale, mund të dëgjohet gjithnjë e më rrallë apo të deformohet, artistët thonë se përpiqen të ruajnë me sqimë bazën duke e sjellë në kohë...

“Si lahuta, defi, dajre... po humbasin. Ndaj këto janë përpjekje për t’i ruajtur siç kanë bërë paraardhësit tanë”, shprehet Tanasica.

Por jo vetëm instrumentistët, edhe publiku e dëshmon dashurinë për këtë traditë.

B.V//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?