‘Djepi’ i sherrit në Kuvend? Si iu refuzuan 8 komisione hetimore opozitës nga mazhoranca! Vendimi i Gjykatës Kushtetuese dhe ligji i ri i PS

2 Dhjetor 2023, 11:25| Përditesimi: 4 Dhjetor 2023, 09:06

  • Share

Prej javësh tashmë në Kuvendin e Shqipërisë diskutimet mbi ligjet apo debati parlamentar ia ka lënë vendin kaosit, zhurmës dhe së fundmi edhe flakadanëve. Pjesa më e madhe e opozitës parlamentare, e kryesuar nga Sali Berisha dhe Gazment Bardhi, premtojnë se do ta vazhdojnë këtë strategji deri në heqjen dorë nga ana e mazhorancës të pengimit sipas tyre të punës së deputetëve opozitarë, e lidhur kjo kryesisht me refuzimin e komisioneve hetimore, kur vetëm në 2 muajt e fundit kanë qenë 3 të tilla.

Ndryshimet në ligj, propozuar nga PS

Ndërkohë që teksa opozita vijon protestën, socialistët tashmë i kanë gati ndryshimet në ligj që ridimensionon ngritjen dhe funksionimin e tyre. Sipas draftit, që PS e dorëzoi në Kuvend, ligji i ri do të qartësojë kornizat se kur mund të ngrihen komisionet hetimore, dhe me cilin objekt, nisur nga fakti që pikërisht objekti i gjerë ka qenë argumenti kryesor që kanë rrëzuar kërkesat e opozitës.

Përmes ndryshime ligjore Qeveria shqiptare parashikon që të kufizojë ngritjen e komisioneve. Drafti i parashikon gjithashtu që të mbyllë dyert e këtyre komisioneve për publikun përmes interpretimeve evazive për mbrojtjen e të dhënave personale të dëshmitarëve, mbrojtjen e sekretit tregtar, atij shtetëror apo mosdëmtimin e “moralit shoqëror”.

“Kuvendi është i detyruar të miratojë ngritjen e Komisionit Hetimor  kur objekti I hetimit respekton parimet dhe standardet kushtetuese: 1-Çështja ka të bëjë me funksionin ligjvënës dhe funksione të tjera të Kuvendit 2-Objekti I hetimit duhet të fokusohet në  çështje ose subjekte konkrete 3-Duhet të ekzistojnë të dhëna apo indicie të mjaftueshme për ekzistencën e çështjes....

Komisionet Hetimore ngrihen për të hetuar një çështje të veçantë” citohet në projekt-ligj, sipas të cilit çështje të veçanta janë vetëm ato që lidhen me aspektin e kontrollit dhe zbatimit të ligjit dhe që nxisin rregullimin e tij

“Komisionet Hetimore janë mjet efektiv kontrolli që veprojnë vetëm brenda hapësirës kontrolluese të parlamentit e të lidhura mënyrë funksionale me pushtetin e ligjvënësit...

Komisionet hetimore funksionojnë sipas parimit të ndarjes së pushteteve, parimit të prezumimit të pafajësisë, parimi për një proces të rregullt ligjor, i paanësisë dhe respektimit të shtetit të së drejtës” thuhet në nenin 4 të projektligjit”.

Historia e komisioneve hetimore të refuzuara

Më 22 shtator 2023 një kërkesë e firmosur nga 45 deputetë të grupit parlamentar të PD u depozitua  për ngritjen e komisionit hetimore për rrjedhjen e të dhënave personale dhe ndërhyrjet në sistemin TIMS, ndërsa 4 ditë më vonë më 26 shtator deputetët e Rithemelimit kërkuan hetim parlamentar për 4 kontratat koncesionare në fushën e shëndetësisë. Dy javë më pas, më 11 tetor 2023, 35 deputetë të opozitës firmosën kërkesën për një Komision Hetimor për parandalimin e konfliktit të interesit në funksione publike. Të tre komisionet u refuzuan nga mazhoranca që në mbledhjen e Konferencës së kryetarëve me argumentin se nuk objektivi duhej ndryshuar.

Opozita thotë se mazhoranca është e detyruar nga Kushtetua që t’i ngrejë komisionet hetimore kur këto kërkohen nga të paktën 35 deputetëve, sipas nenit 77 të Kushtetutës. 

“Kuvendi ka të drejtë dhe, me kërkesë të një së katërtës së të gjithë anëtarëve të tij, është i detyruar të caktojë komision hetimi për të shqyrtuar një çështje të veçantë”, thuhet në nenin 77, paragrafi i parë i pikës 2, Kushtetuta e Shqipërisë.

Neni 77 i Kushtetutës

Shumica parlamentare nga ana tjetër thotë se fjalën e fundit për këtë çështje e ka thënë Gjykata Kushtetuese në një vendim të datës 27 dhjetor 2022. Por çfarë thotë vendimi i Kushtetueses, në pikën 44 të tij?

"E drejta e pakicës vetëm për sa i përket kërkesës për ngritjen e komisionit hetimor mbetet një e drejtë e pakufizuar nga vullneti i shumicës. Njëkohësisht, e drejta e pakicës për të disponuar mbi objektin e hetimit e kufizon kompetencën e shumicës për ta ndryshuar këtë objekt pa pëlqimin e pakicës, me përjashtim të rasteve kur nga qëllimi dhe objekti i hetimit konstatohet se preken parimet kushtetuese. Gjithsesi, kjo e drejtë nuk mund të konsiderohet absolutisht e pakufizuar dhe ky kufizim është i lidhur me detyrimin që objekti i hetimit të respektojë parimet dhe standardet kushtetuese, ndër të tjera, veçanërisht ato që lidhen me parimin e ndarjes e balancimit ndërmjet pushteteve, të drejtën për një proces të rregullt ligjor, prezumimin e pafajësisë, paanshmërinë dhe respektimin e jetës private të individit", evideonte në vendim Gjykata Kushtetuese. 

‘Becheti’, ‘25 prilli’ dhe ‘inceneratorët’

Vendimi i Kushtetueses erdhi pas kërkesës së deputetëve të opozitës të cilët kërkonin rrëzimin e votimit të 14 tetorit 2021 në Kuvendi, që nuk pranoi ngritjen e komisionit për çështjen ‘Becheti’. Gjykata Kushtetuese kishte argumentuar edhe më herët se jo me çdo objekt legjitimohet ngritja e komisionit, pasi Kuvendi nuk mund të jetë një super organ që të deligjitimojë institucionet e tjera.

Së bashku me kërkesën për çështjen Becheti në po të njëjtën seancë Kuvendi i pranoi opozitës Komisionet Hetimore për hetimin e asaj që ndodhi në zgjedhjet e 25 prillit 2021 ndërsa më 29 tetor 2021 u ngrit edhe me votat e mazhoranca komisioni për hetimin e inceneratorëve.

Investimet strategjike

Në Maj të vitit 2022, PD tentoi të ngrinte një hetim parlamentar, pasi Komiteti i Investimeve Strategjike mori vendim për t’i dhënë statusin “investitor strategjik” Artan Gaçit, ish-deputet socialist dhe bashkëshort i ish ministres së Jashtme, Olta Xhaçka. Deputetët që kërkuan hetimin pretenduan se ligji po zbatohej në mënyrë klienteliste dhe jo transparente. PS-ja rrëzoi me votim në seancën e 9 qershorit të vitit 2022 me argumentimin se kërkuesit nuk kishin asnjë fakt apo indicie që Kuvendi të investohej për ngritjen e një komisioni hetimor. PS evidentonte se sërish objekti i shumë i gjerë pasi të hetosh të gjitha kontratat dhe hapësirën e ligjin nuk është objekt komisioni hetimor. Çështja përfundoi në Gjykatën Kushtetuese, e cila nuk e pranoi kërkesën e 28 deputetëve pasi do të duhet të ishin 35 për të zgjidhur një çështje, pra ¼ e Kuvendit, një numër i domosdoshëm për të shqyrtuar një “mosmarrëveshje kompetencash”.

Dosja ‘McGonigal’

Më 3 shkurt 2023 çështja e McGonigal 'bashkoi' përkohësisht dy kampet e Partisë Demokratike. Me firmën e 41 deputetëve opozita kërkoi ngritjen e një komisioni hetimor për verifikimin e kontakteve dhe marrëdhënieve të kryeministrit Rama me ish agjentin special të FBI-së, Charles McGonigal.  Kërkesa nuk u mor fare në shqyrtim sipas procedurave parlamentare, pasi mazhoranca nuk u shpreh fare për thelbin e kërkesës por argumentoi se paralelisht është ngritur një komision i posaçëm parlamentar për të transpozuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese në ligjin për komisionet hetimore dhe deri sa ligji të jetë gati nuk do të shqyrtohen.

Porti turistik të Durrësit

Më 13 maj 2023, me 65 vota mazhoranca rrëzoi ngritjen e Komisionit Hetimor për Portin e Durrësit. Kërkesa për ngritjen e Komisionit Hetimor u depozitua më 6 prill nga 35 deputetët të Rithemelimit, të cilët kërkuan hetimin e marrëveshjes 2 miliardë dollarë në lidhje me Portin e Durrësit, që e konsideronin korruptive dhe të klienteliste.  Edhe kjo kërkesë u refuzua me të njëjtin argumentim nga mazhoranca, si ai në rastin e Mc Gonigal që lidhet me faktin se Kuvendi është në proces përgatitje të ligjit të ri për komisionet hetimore.

Udhëtimet e Ramës me charter

Socialistët në Kuvend rrëzuan në Janar të vitit 2023 një kërkesë të firmosur nga 35 deputetë opozitarë, kryesisht të Rithemelimit të Berishës, për ngritjen e një komisioni hetimor për shpenzimet e udhëtimeve të kryeministrit Edi Rama. Ishte pikërisht kjo kërkesë e opozitës e cila bëri që socialistët t’i konsideronin të pakufijshme dhe të nisnin punën për një ligj të ri për komisionit hetimore, që shërbejnë si mekanizëm i opozitës për kontroll parlamentar. Mazhoranca nisi punën për atë që e quajti adresim “urgjent dhe i menjëhershëm” që vendimet e Gjykatës Kushtetuese, që kanë lidhje me ligjin për organizimin e komisioneve hetimore të pasqyroheshin në ligj.

Puna për ndryshimet në ligj ka nisur por ndërkohë pas një viti ende nuk ka një draft të depozituar në Kuvendin e Shqipërisë, dhe deri sa ligji të qartësojë gjithçka ‘lufta’ në Kuvend me komisione hetimore premton të vazhdojë.

M.Q.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Iris: 06/11/2023 00:13

    Ketu behet fjale me shume per parime,se sa per ligje.Mund te mos pranosh per disa raste,por jo t'ju thuash /jo/te gjithave! A nuk ju ben pak pershtypje qe PS s'ka pranuar asnje komision,pavaresisht justifikimeve me te cilat s'pranohen?! Ku shpien veprime te tilla ,e kam fjalen per JO-ne e perhereshme te PS,jo per rremujen qe ben cdo jave opozita ne Kuvend ?!

    Përgjigju
  • Linda: 05/11/2023 16:26

    Opozita nuk i zgjidh propblemet me dialog brenda partis se vet pa le te shpresosh qe te gjejn gjuhen dhe ne parlament! I karakterizon dhuna ,fyerja,faklsifikim diplomash,shpifja dhe pasuria jo ligjore etj! Jane aq te pasur sa dhe kanal privat kane ne dispozicion per te share , per te shpifur , per te bere presion e cfare tu thote mendja per poshtersira!

    Përgjigju
  • ska problem: 03/11/2023 23:05

    Parlamenti Shqiperise ngjason me nje vend grumbullimi qensh rruge, nje nivel injorantesh te pa edukat dhe pa piken e kulture ,kjo eshte pasqyra qe shohin sot rinia pasurim i shpejt k.... pa limit mjete luksoze dhe ne fund del intelektual

    Përgjigju
    • SHQIPTARI: 05/11/2023 12:18

      Nqs çështjet jan në proçes hetimi mendoj se nuk është e nevojshme ngritja e komisioneve.Opozita ti çojë në gjykat çështiet.Nuk edi nqs paguhen me orë jashtë orari depjutetët për pjesmarie në komisionë TË MOS PAGHEN dhe nqs nuk dalin me një konkluzion të drejtë të dënohen me gjoba të majme ose .e heqie lirie për shpifje.

  • Ademi: 03/11/2023 16:38

    Krimineli qe ka djek vendin per 30 vjet do ta djeki prap per interesa personale

    Përgjigju
    • Shoku Taras: 05/11/2023 13:28

      Krimineli do kete djegur dhe abetaret dhe ke ngelur ti analfabet

  • redi: 03/11/2023 16:29

    Kerkesat e Refirmimit per krijimin e komisioneve hetimore jane te drejta qe mbrohen nga kushtetuta dhe nga vet rregullorja e parlamentit , por ne rastin konkret nuk kane te drejte se shumica e ceshtje e te ngritura jane ne hetime nga SPAK u me vet padine e opozites dhe per mua eshte humbje kohe.Ipozita ka ceshtje te tjeta te medha qe shqetsojne qytetaret dhe eshte detyra e saj ti kerkoj llogari qeverise ,sic eshte ngjarja me e madhe ekonomike miratimi i buxhetit per vitin 2024

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?