Zemra e shqiptarit Saimir Sula që ndërroi jetë në spitalain ‘Del Mar’ të Barcelonës gjatë kohës së pandemisë, do të dorëzohej më 12 korrik. Këtë informacion e dha zyrtarisht Ministria jonë e drejtësisë pas dakordësisë me autoritetet spanjolle, që me vendim gjykate vendosën dorëzimin e zemrës, por deri më sot nuk është dhënë asnjë njoftim zyrtar se çfarë ka ndodhur, pavarësisht insistimit të Report Tv.
Gazetarët biseduan me Majlindën, motrën e Saimir Sulës, që më 12 korrik, ishte vetë në Barcelonë, shoqëruar me 2 avokatë, për të parë nga afër këtë proces. Ajo tha gjatë bisedës me Report Tv se të mërkurën në Spanjë kanë qenë përfaqësues të ministrisë së Drejtësisë për kthimin e zemrës së vëllait të saj, por thotë se nuk e kanë lejuar të jetë pjesë e bisedimeve mes palëve, që sipas saj zgjatën për mbi 5 orë. Pa një përgjigje se çka ndodhur, Report Tv u interesua edhe pranë Ministrisë së Drejtësisë në Shqipëri, ku thuhet se për rastin do të dilet me një deklaratë zyrtare të premten.
Saimir Sula ka 3 vite nën dhe, ndërsa motra e tij që kur mbërriti trupi në Shqipëri konstatoi se i mungonte zemra, vijon betejën për drejtësi. Pas insistimit të saj autoritetet në Spanjë thanë se gjetën në morg zemrën e Saimir Sulës në tetor të vitit 2022, dhe këtu nisi beteja e radhës e Majlindës për ta sjellë në Shqipëri, ku kërkon që t’i bëhet edhe një analizë ADN-je, për të shuar çdo dyshim që zemra e vëllait të saj mund të jetë marrë për trafik organesh.
31-vjeçari Saimir Sula humbi jetën më 9 maj të vitit 2020 pasi shkoi me temperaturë në spital, për të kryer një test PCR, por nuk doli më prej atij spitali.