Tirana i ka dhënë leksionin e dytë për këtë sezon Partizanit në derbi, pasi për llogari të javës së 15 ka fituar me rezultatin 1-2. Ky triumf në ‘Air Albania’, që ndryshe nga herët e tjera ishte më pak i mbushur, ka bërë që bardheblutë ta mbyllin vitin kalendarik në vendin e parë me 33 pikë, 5 më shumë se Kukësi ndjekës dhe 15 më shumë se Partizani i vendit të pestë. Për t’u theksuar në këtë sfidë ishte goli i fitores i realizuar nga Xhixha në minutën e 10 pas përfundimit të kohës së rregullt.
“Është një grup i shkëlqyer, grup shumë i mirë. Janë çuna shumë të mirë dhe me shpresë te zoti shpresojmë të rrimë shumë kështu bashkë,”-tha Refik Halili, president i Tiranës.
“Ishte një ndeshje shumë emocionuese ashtu si shkoj. Ndoshta mund ta kishim zgjidh më shpejt. Kur shënon në fund sigurisht që të shijon shumë, por më shumë vlen fitorja sepse dihet rëndësia që ka te lojtarët, te ne, por edhe te tifozët,”-u shpreh Orges Shehi, trajner i Tiranës.
Ndërkohë trajneri i Partizanit dha sinjale lamtumire në përfundim të derbit.
“Unë do ulem edhe me drejtuesit sepse dikush do mbaj përgjegjësi për gjendjen e Partizanit. Sigurisht në këto raste përgjegjësinë e mban trajneri. Pavarësisht se çfarë ka ndodhur dhe arsyet që ne kemi lënë pikë rrugës do mundohemi që të gjejmë një zgjidhje për Partizanin,”-deklaroi Ilir Daja, trajner i Partizanit.
Njolla e këtij derbi ndodhi në fund të sfidës kur tifozët e secilës palë hynë në fushë për t’u përplasur fizikisht më njëri-tjetrin.