Muzeu Arkeologjik i Durrësit

Kultura

Do i nënshtrohet rinovimit, mbyllet nesër Muzeu Arkeologjik i Durrësit! Hapet në tetor 2023

26 Shtator 2022, 17:08| Përditesimi: 26 Shtator 2022, 20:32

  • Share

DURRËS- Nga dita e nesërme, 27 shtator 2022, Muzeu Arkeologjik i Durrësit do të mbyllet për shkak se do i nënshtrohet një procesi të rinovimit. Ka qenë vetë stafi i Muzeut i cili ka bërë me dije lajmin, duke njoftuar do të qëndrojë i mbyllur deri në tetorin e vitit të ardhshëm.

“Qendra Muzeore Durrës lajmëron të gjithë qytetarët dhe miqtë e faqes sonë se Muzeu Arkeologjik i Durrësit do të mbyllet nesër, në datën 27 shtator 2022, ora 19.00 dhe do të qëndrojë i mbyllur deri në tetorin e vitit të ardhshëm.

Sikurse e kemi bërë të ditur edhe më parë, ky muze do t'i nënshtrohet një procesi rinovimi dhe transformimi, falë mbështetjes nga Eu4Culture. Falënderojmë përzemërsisht miqtë dhe qytetarët me të cilët kemi ndarë këtë hapësirë të mrekullueshme kulturore dhe urojmë të ritakohemi në Muzeun tonë, me një pamje, funksion dhe vizion krejt të ri”, thuhet në njoftim.

Punimet e restaurimit do të kryhen përmes programit EU4Culture të financuar nga Bashkimi Evropian dhe zbatuar nga UNOPS në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës. Muzeu i parë arkeologjik në Durrës është hapur më 13 mars të vitit 1951. Ishte nisma e intelektualit Vangjel Toçi, i cili deri në atë kohë ishte bërë mjaft i njohur në Durrës edhe si krijuesi i bibliotekës së qytetit më 10 shtator 1945 dhe që vendosi në eksponatet e muzeut të ri koleksionin e objekteve, që kishte mbledhur me shumë kujdes dhe me mbështetjen e dhjetëra qytetarëve durrsakë.

Tashmë Muzeu Arkeologjik i Durrësit ka një koleksion tejet të pasur. Muzeu Arkeologjik në Durrës ka objekte nga greqishtja e lashtë, periudha Romake dhe periudha mesjetare. Shumica e objekteve në muze janë gjetur në qytet edhe rastësisht nga banorë të vendit, të cilët gërmonin mjedise për vendosjen e themeleve të larta. Në ambientet e tij gjenden mijëra objekte, duke përfshirë qeramikë, enë qelqi, skulpturë arkitektonike, dekorative, skulpturë e rrumbullakët, relieve, gurë varresh, stela, objekte të argjendarisë, monedha etj. Muzeu Arkeologjik i Durrësit dhe amfiteatri antik janë dy nga pikat më të vizituara të qytetit bregdetar, qendra të rëndësishme të turizmit historik dhe tepër të vlerësuar nga specialistët e huaj. Ajo është restauruar edhe në 2015.

B.K./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?