Majlinda Angoni

Do kandidojë në 6 Mars për kryetare bashkie, Majlinda Angoni jep dorëheqjen si Prefekte e Qarkut Shkodër

7 Shkurt 2022, 17:37| Përditesimi: 7 Shkurt 2022, 17:38

  • Share

Prefektja e Qarkut Shkodër, Majlinda Angoni, ka njoftuar ditën e sotme se ka dhënë dorëheqjen nga posti që mbante, kjo për arsye se do të kandidojë në zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit për kryetare të Bashkisë Shkodër nën siglën e Partisë Socialiste.

Në një postim në rrjetet sociale, ajo thotë se dorëheqjen ia ka dorëzuar kryeministrit Rama. Teksa shkruan se mbajtja e detyrës së Prefektes ka qenë një privilegj i madh për të, Angoni shton se tashmë po përgatitet për të nisur një kapitull "duke marrë një tjetër përgjegjësi të madhe siç është sfida për kandidimin në bashkinë e Shkodrës"

"Pas një periudhe intensive në drejtimin e Prefekturës të Qarkut Shkodër, i kam përcjellë sot kryeministrit Rama dorëheqjen time nga ky funksion publik për t’i hapur rrugë kandidaturës time për kryebashkiake të Bashkisë Shkodër në zgjedhjet vendore të 6 Marsit. Mbajtja e detyrës së prefektit të Qarkut të Shkodrës ka qenë për mua nder, privilegj dhe përgjegjësi. Jam ndjerë vërtet e nderuar të ushtroj këtë funksion publik në vendlindjen time, për t’i shërbyer e për t’iu përgjigjur nevojave të çdo qytetari i kudo ndodhur në gjithë territorin e qarkut. Ndonëse në një periudhë të ngjeshur, edhe pse intensive kam vënë në dispozicion të gjithë potencialin tim me gjithë forcat e mia për të qenë në lartësinë e detyrës Menaxhimi i mirë i emergjencave stinore, krizës së përmbytjes dhe situatës së zjarreve që prekën territorin e qarkut, lobimi për hapjen e rrugës së Thethit që pas 30 vitesh e bën këtë destinacion të aksesueshëm për turistët dimëror,  si dhe sigurimi i asistencës teknike dhe mbështetjes financiare nga donatorë vendas e të huaj për të mbështetur logjistikën tonë të emergjencave civile janë disa nga kompetencat e Prefektit që i kam përmbushur me sukses. Mirënjohës çdo punonjësi të këtij institucioni që nuk ka kursyer në asnjë moment devotshmërinë dhe përgjegjësinë që i ka dhënë detyra. Sot nis një kapitull të ri në jetën time profesionale dhe publike duke marrë një tjetër përgjegjësi të madhe siç është sfida për kandidimin në bashkinë e Shkodrës për të përmbushur më shumë sfidat që kanë banorët e Bashkisë Shkodër. Mirënjohje dhe falënderim për mbështetjen e pakushtëzuar tuajën!", shkruan ajo.

Në betejën e 6 marsit, Angoni do të ketë përballë Xhemal Bushatin, ish-kryetar i këshillit Bashkiak për 4 vite, që kandidon për PD, ndërsa koalicioni i Berishës me LSI përfaqësohet me ish-deputetin Bardh Spahia.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?