Arben Lena

Kronikë

Do korruptonin gjyqtarin me 5 mijë euro, Apeli lë në fuqi dënimin më 3 vite burg për avokatin Arben Lena

18 Shkurt, 15:11| Përditesimi: 18 Shkurt, 15:28

  • Share

TIRANË-Gjykata e Posaçme e Apelit ka lënë në fuqi vendimin e GJKKO-së për çështjen e ish-kreut të Dhomës së Avokatisë së Korçës, Arben Lena, i dënuar me 3 vite burg, i cili së bashku me disa persona të tjerë tentuan të korruptonin një gjyqtar me 5 mijë euro.

Sipas Prokurorisë Speciale, Arben Lena ishte pjesë e grupit të 5 personave të tjerë Nikolla Hafësllari, Nikolla Jesku, Blerand Kozici, Artiana Kozici, Dritan Tabaku, që tentuan të korruptonin me 5 mijë euro gjyqtarët e Apelit të Korçës për të liruar nga paraburgimi Bledar Koziçin, i arrestuar për trafikim refugjatësh, të cilin Lena e mbronte.

'Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, shpalli vendimin lidhur me çështjen penale të regjistruar me nr. 60/4 akti, datë 30.10.2024 regjistrimi, mbi ankimin e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe ankimet e ankuesve/të pandehurve Nikolla Hafësllari, Dritan Tabaku, Nikolla Jesku,  A.L., Blerand Kozici, Artiana Kozici, kundër vendimit nr. 41, datë 27.06.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, dhe vendosi: Lënien në fuqi të vendimit nr. 41, datë 27.06.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për sa ka disponuar për të pandehurit A.L., Nikolla Hafësllari, Nikolla Jesku, Blerand Kozici, Artiana Kozici dhe Dritan Tabaku. Mospranimin e ankimit të paraqitur nga e pandehura Dajana Kodra (Ninga) ndaj vendimit nr. 41, datë 27.06.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar', thuhet në njoftim. 

GJKKO e ka dënuar me burg avokatin Arben Lena më 27 qershor 2024 me 3 vite burgim, por për shkak të gjykimit të shkurtuar dënimi i është ulur në 2 vite burgim. Gjithashtu, atij i është hequr e drejta për të ushtruar profesionin për një periudhë kohore prej 3 vjetësh. Nikolla Hafësllari është dënuar me 1 vit e 6 muaj burgim, por për shkak të gjykimit të shkurtuar dënimi i është ulur në 1 vit burgim.

S.B/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Produkte me pesticide, sa besim keni te siguria ushqimore në Shqipëri?