Në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Lartë të Prokurorisë u miratua mbarimi i statusit të prokuror të Arjan Ndojas, ish-prokurorit të Durrësit pas kërkesës që kishte bërë ky i fundit. Siç dihet Ndoja tashmë synon angazhimin në politikë, pasi emri i tij doli në listat e primareve të PD-së në Durrës.
Zgjedhjet e primareve në PD do të mbahen nesër (1 mars) ku do të dalë dhe lista e plotë për 11 majin. Kujtojmë se Ndoja u bë protagonist në 2019, ku ishte objektivi i një atentati në rrethrrotullimin e Shkozetit. Emri i tij në primare, është shtuar në afatin e zgjatur me firmë të Sali Berishës, për t’i dhënë më shumë kohë disa kandidatëve.
Sakaq, kujtojmë edhe se Ndoja u shkarkua më 6 maj të vitit 2022 nga Komisioni i Vetingut i shkallës së parë për lidhje të shumfishta me krimin por edhe për pasuri të pajustifikuar. Sipas vendimit, prokurori Ndoja kishte kontrate me të paktën 9 persona të dyshuar dhe të përfshirë në veprimtari të paligjshme.
Ndërkohë gjatë mbledhjes së djeshme KLP morën pjesë edhe përfaqësues të EU 4 JUSTICE dhe Ministrisë së Drejtësisë.
Seanca nisi me shqyrtimin e procedimit disiplinor nr. 2363/50 prot., datë 30.12.2024, ndaj magjistratit K.Ll. Pas paraqitjes së raportit nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë, znj. Daniela Sula, u propozua vendosja e masës disiplinore “Ulje e përkohshme e pagës në masën 40% për një periudhë 1 vjeçare” dhe masës plotësuese “Largimi nga detyra e kryetarit”.
Magjistrati kërkoi sjelljen e provave të reja, të cilat u pranua për shqyrtim, dhe u vendos caktimi i seancës tjetër dëgjimore më 17 mars në orën 10:00. Këshilli shqyrtoi dhe miratoi dy raporte për vlerësimin etik dhe profesional të prokurorëve Oltjana Çifligu dhe Erjon Shqarri, të cilët u vlerësuan "Shkëlqyeshëm". Në fund të seancës, u miratua përfundimi pa vendim të procedurës së vlerësimit të përshpejtuar me kërkesë për prokurorët Alma Bramo dhe Blerta Hamza.
Komente

Ja shikoni kush janë ata që bëhen bashkë kur ju preken interesat vetiake,këta jan:K.L.P,GJ.K.KO.,S.P.A.K
Përgjigju